• e enjte, 14 nëntor 2024
MIA Flesh

15:00/13 nëntor/2024

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot në një takim pune priti një delegacion nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektesh, UNOPS, të udhëhequr nga drejtori rajonal për Evropë dhe Azinë Qendrore, Tim Lardner. Siç njoftoi Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, duke i uruar mirëseardhje Lardnerit në vendin tonë, Mexhiti shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen që UNOPS-i i jep vazhdimisht Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shkup - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, pas autorizimit të djeshëm në seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot nënshkroi kërkesën për para-financim prej 7 për qind në kuadër të Agjendës Reformuese të vendit, informnojnë nga Ministria e Çështjeve Evropiane. Me dërgimin e kësaj kërkese në vlerë prej 52,5 milionë euro, Maqedonia e Veriut bëhet vendi i parë në rajon që ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm për para-financim në kuadër të mekanizmit të ri financiar evropian.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot në takime të veçanta e priti ambasadoren e Greqisë, Sofija Filipidu dhe ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Irlandës për Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Bukuresht, Brendan Vard, njoftuan nga Ministria. Në takimin me ambasadoren Filipidu edhe njëherë u konfirmua interesi i ndërsjellë për ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore, me theks në vlerën e mbajtjes së sigurisë, stabilitetit dhe prosperitet të rajonit përmes integrimit të tij në Bashkimin Evropian.

Shkup – Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski pret që të gjendet zgjidhje në interes të biznesit për interesin dhe provizionet për kredinë hungareze të dedikuar për kompanitë në takimin mes Qeverisë dhe bankave që do të mbahet të dielën në Ministrinë e Financave. Edhe pse nuk është ftuar në takim, siç thotë, është optimist se do të gjendet zgjidhje dhe bën thirrje që kjo të shkojë në pako me çështjen për kapitalizimin e Bankës së Maqedonisë për mbështetje të zhvillimit sepse një institucion i tillë është i nevojshëm për biznesin. Nëse e ftojnë në takim është i gatshëm të shkojë. 

Shkup - Ambasadori në Rumani, Andrej Zhernovski, demanton se nuk i ka dorëzuar letrat kredenciale për ambasador në Bukuresht, pasi që dje në konferencë për shtyp, shefi i diplomacisë, TImço Mucunski, dukee arsyetuar vendimin për tërheqjen e shtatë ambasadorëve, mes tjerash tha se Zhernovski "formalisht-juridikisht, asnjëherë as që është bërë ambasador në Bukuresht, sepse nuk ka dorëzuar letra kredenciale".

Shkup - Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, lidhur me vrasjen e Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski sot dëshmoi tezja e Vanjës. Ajo foli për kërkimin e mbesës së saj. Dëshmitarja Maja Spiroska në seancën e sotme gjyqësore, në pyetjet e prokurores Zhaklina Llazarevska, tha se ditën kur e kishin kuptuar se Vanja ishte zhdukur me miq me vetiniciativë kishin kërkuar nëpër kafene për informacione. “Nga e marta tashmë çdo ditë ishte prezente, deri të dielën e më tutje. Të gjithë ishim në panik, të gjithë e kërkonim Vanjën. Kishte kolege nga puna e Zoricës, inspektorë, Sashko, nipi im, kur unë shkoja ai vinte në mbrëmje. E kërkuam, provonim të shihnim disa video xhirime”, tha ajo. 

Shkup – Shërbimet inspektuese të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), dje zbatuan kontrolle të jashtëzakonshme te operatorët me ushqim në Kriva Pallankë dhe gjatë kësaj kanë shkatërruar padëmshëm rreth pesëdhjetë kilogramë ushqim të pasigurt. “Për parregullsi të konstatuara në qarkullimin e ushqimeve të pasigurta dhe të padeklaruara (përgatitjet e mishit) në një market në këtë qytet, është lëshuar zgjidhje dhe urdhërpagesë kundërvajtëse, si dhe janë asgjësuar si të pasigurta 15,6 kilogramë nga produktet e cekura. Për tregtimin e produkteve të padeklaruara të pasigurta, në gjellëtore është lëshuar edhe vendim dhe urdhërpagesë kundërvajtëse. Ajo shiste produkte të tymosura të padeklaruara, salsiçe të ngrira dhe ushqime të ngrira gjysmë të gatshme për t'u ngrënë. Si të pasigurta, me origjinë nga ky operator ushqimor, padëmshëm janë shkatërruar 30 kilogramë ushqim me origjinë shtazore”, njoftojnë sot nga AUV.

Shkup - Moti nesër do të jetë me vranësira me reshje shiu të cilat në disa vende do të jenë më të rrëmbyeshme (mbi 20l/m2), informojnë nga DPHM. Të premten dhe të shtunën në mëngjes do të ketë reshje shiu të cilat në pjesët malore dhe në vendet më të larta veçanërisht në pjesët perëndimore do të jenë të borës dhe do të formohet shtresë e dëborës. Do të fryjë erë mesatare deri në të përforcuar veriore, veçanërisht e shprehur të premten. Në ditët e fundjavës moti do të jetë stabil me temperatura më të ulëta të mëngjesit. 

Tiranë - Gjatë zhvillimit të KOP29, në Baku, Azerbajxhan, u nënshkruan dy marrëveshje mes Albgazit dhe Socar për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës si dhe mes KESH dhe gjigandit energjetik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike që do të investojë në Shqipëri e në rajon. Siç njofton ATSH, kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga nënshkrimi i këtyre dy marrëveshjeve.

Tiranë - Propozim - buxheti për vitin e ardhshëm para deputetëve në Parlamentin shqiptar do të gjendet në seancën plenare të martën, por të njëjtin opozita, përveç se deklaroi se nuk do ta votojë, njoftoi edhe protesta para ndërtesës së Kuvendit. Për këtë qëllim, Partia opozitare Demokratike, e mbështetur nga Partia e Lirisë, liderët e të cilave Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në paraburgim, njëri në paraburgim shtëpiak dhe tjetri në burg, kërkoi nga organizatat komunale të organizohen për pjesëmarrjen masive në protestë.

Tiranë - Kryetari i radhës së OSBE, njëherësh, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Maltës, Jan Borg i cili sot qëndron në Tiranë, pas takimit me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se "misioni i rëndësishëm i OSBE-së është ta ndërtojë ose rivendosë sigurinë dhe stabilitetin nga Vankuveri në Vladivostok". "Gjatë ditëve të fundit kam pasur biseda produktive me partnerët tanë në rajon ku kemi theksuar misionin e rëndësishëm të OSBE-së për të ndërtuar, apo rivendosur sigurinë dhe stabilitetin nga Vankuveri në Vladivostok".  Motoja e kryesisë këtë vit, forcimi i qëndresës dhe rritja e sigurisë reflektojnë vetëdijen e Maltës për mjedisin sfidues ku ne veprojmë", theksoi Borg në konferencën e përbashkët për media.

Ankara - Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi sot se marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin janë ndërprerë dhe shtoi se vendi i tij është i gatshëm të fillojë operacione tejkufitare nëse ndjehet e rrezikuar. "Turqia, në krye me Rexhep Taip Erdoganin, nuk mund të vazhdojë t'i zhvillojë marrëdhëniet me Izraelin. Nuk kemi kurrfarë marrëdhënie me Izraelin në këtë moment. Nuk ndërmorëm kurrfarë hapa për zhvillimin e atyre marrëdhënieve", tha Erdogani pas kthimit nga Azerbejxhani", raportoi Si-En-En Turk.

Ankara - Turqia mori ofertë për t'u bërë vend partner i BRIKS-it, deklaroi sot ministri turk i Tregtisë, Omer Bolat. Në intervistë për ueb faqen lituaneze, Tvnet.lv, Bolat deklaroi edhe se ky është "një proces tranzitor". Ai shtoi se përfshirja në BRIKS do të sjellë përfitime të konsiderueshme për Turqinë, pasi që do të mundësojë bashkëpunim me të gjitha platformat më të rëndësishme globale.

Vjenë - Organizata e vendeve eksportuese të naftës (OPEK) në raportin e saj të fundit mujor të nëntorit, të publikuar sot, përsëri uli parashikimin për rritjen e kërkesës globale për naftë këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Siç është parashikuar, OPEK ka rishikuar parashikimin e vet për kërkesën e naftës për të katërtën herë me rradhë, njofton Nezavisne Novine. Karteli i naftës tani pret që kërkesa globale për naftë të rritet për 1,82 milionë barel në ditë këtë vit, që është më pak se vlerësimi i tetorit për rritje të kërkesës në tetor prej 1,93 milionë barelë në ditë.

Bruksel - Rajoni euroatlantik dhe Indo-paqësor nuk janë shumë të ndara kur bëhet fjalë për kërcënimet dhe ajo që po ndodh në Ukrainë tani ka ndikim në nivel global, deklaroi sot në Bruksel sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute pas takimit dypalësh me sekretarin shtetëror amerikan Entoni Blinken. "Ushtarët e Koresë së Veriut paraqesin kërcënim shtesë për Ukrainën dhe do ta rrisin potencialin e (presidentit rus Vlladimir Putin) për shkaktimin e dëmeve", theksoi Rute.

Bruksel - Partitë nga e a.q. shumica proevropiane në Parlamemntin Evropian kanë arritur marrëveshje për anulimin e seancave të komiteteve parlamentare për konfirmim të nominimeve të kandidatëve për nënkryetarë të rinj të Komisionit Evropian, marrja në pyetje e të cilëve është mbajtur dje. Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, paraprakisht është paraparë që konfirmimi i nominimeve të bëhet dje, pas çka Konferenca e kryetarëve, që e përbëjnë kryetarja e Europarlamentit, Roberta Mecolla dhe njerëzit e parë të grupeve të deputetëve, më 21 nëntor do të bënte evaluim përfundimtar të nominimeve dhe do ta shpallte procesin e dëgjimit të kandidatëve për eurokomisarë të përfunduar.

Bruksel - Komisioni Evropian sot publikoi se pret propozime nga investitorët privatë për të marrë pjesë në rindërtimin e Ukrainës deri në mars të vitit të ardhshëm. Projektet e miratuara të investimeve do të mbështeten nga një fond me buxhet prej 50 miliardë eurove. Pritet që projektet të dërgohen deri më 1 mars të vitit 2025, vërejnë nga komisioni. Sot dhe nesër n; takimin në Varshavë marrin pjesë më shumë se 5.000 kompani dhe organizata private, të cilat dëshirojnë të mbështesin rimëkëmbjen e vendit, të sulmuar nga Rusia.

Kiev - Dorëzimi me kohë i raketave për mbrojtjen kundër ajrore të Ukrainës, zbatimi i marrëveshjeve të sistemeve të mbrojtjes dhe prodhimi dhe dërgesa e sistemeve radio-elektronike nënkupton shpëtimin e jetëve të njerëzve, deklaroi sot presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski. "Në mëngjes pati një tjetër sulm të kombinuar rus në qytetet tona dhe ai mori një përgjigje efektive nga mbrojtja jonë kundërajrore. Kemi shkatërruar raketat ruse, që sulmuan Kievin, si dhe dronët", ka shkruar Zelenski në Telegram. 

Kiev - Sulmi i sotëm i kombinuar me raketa dhe dronë rusë në Kiev mund të jetë fillimi i sulmeve më të mëdha ndaj Ukrainës në javët dhe muajt e ardhshëm, paralajmëroi zyrtari ukrainas i sigurisë Andrij Kovalenko. Anëtari i lartë i Këshillit për Siguri Kombëtare dhe Mbrojtje së Ukrainës, në kanalin e tij Telegram njoftoi se "Moska është gati të nisë një sulm masiv" dhe se ka grumbulluar një numër të konsiderueshëm raketash lundrimi "për dimrin e ardhshëm".

Baku - Italia dëshiron të vazhdojë të punojë në "pjesën e saj" nga puna e luftës kundër ndryshimeve klimatike, por është e nevojshme një qasje pragmatike për mbrojtjen e mjedisit, deklaroi sot kryeministrja italiane Xhorxha Meloni në fjalimin e saj në samitin COP29 në Azerbajxhan. "Na nevojitet një miks i balancuar për ta favorizuar procesin e tranzicionit. Duhet t'i shfrytëzojmë të gjitha tekologjitë e disponueshme", tha Meloni në Baku, raporton ANSA. Ajo theksoi se në konferencën klimatike COP28 në Dubai në janar u vendosën "qëllime ambicioze". 

Teheran - Diplomati më i shquar iranian Abas Aragçi sot deklaroi se kanalet e komunikimit me SHBA-në ende janë të hapura, një javë pasi Donald Trampi u zgjodh për president. "Kanalet e komunikimit mes nesh dhe amerikanëve ende ekzistojnë. Kemi dallimet me amerikanët, të cilët ndonjëherë janë shumë themelor dhe qendror...por duhet të menaxhojmë me to për t'i ulur tensionet", tha Abas Aragçi në margjinat e takimit javor të qeverisë. Ai muajin e kaluar tha se nuk ka bazë për negociata bërthamore indirekte me SHBA-në.

Romë - Roma vazhdon të kërkojë trajner të ri pas dorëheqjes së Ivan Juriqit, ndërsa sipas shumë gazetarëve italianë, mes të cilëve Xhanluka Di Marcio, favorit i ri për këtë funksion është Klaudio Ranieri. Ranieri (73) është ish lojtar i Romës, dy herë ka qenë trajner i "romakëve" - nga viti 2009-2011, e pastaj përsëri në vitin 2019. Së fundmi ai publikoi se është pensionuar pasi që kaloi dy vitet e fundit në Kaljari. Suksesi më i madh i italianit ishte titulli i Premier ligës me Lesterin në vitin 2016.

QËNDRONI TË LIDHUR