18:00/11 shtator/2024
Shkup - Delegacioni shumë anëtarësh i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, i përbërë nga gjykatës, bashkëpunëtorë dhe ekspertë, duke përfshirë edhe Rajnhard Pribe, sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut realizoi takim me Kryetarin Afrim Gashi, si kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese dhe me deputetë tjerë të këtij trupi të punës. Siç bëri të ditur shërbimi për informim i Kuvendit, në takim u diskutua për frymën dhe strukturën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ndryshimet e bëra në 33 vitet e fundit, strukturën dhe përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në vend...
Shkup - Kuvendi, me kërkesë procedurale nga Blerim Bexheti nga Fronti Evropian, përsëri është në pauzë njëorëshe. Konfirmimi i rendit të ditës së seancës së 14-të do të vazhdojë në orën 17:15. Më parë, gjithashtu, Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE në fjalim procedural i bëri thirrje opozitës që të hyjë në sallë, ndërsa të mos qëndrojë në korridore dhe të pengojë dy ligje të rëndësishme të cilët i prekin të gjithë qytetarët. Bëri thirrje edhe që të ndalen politikat dhe të lejohet të mbahen komisionet të cilët janë të nevojshme për miratimin e ligjeve.
Shkup - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot pati një takim me ambasadorin e Republikës së Sllovenisë, Gregor Presker. Në takimin u rikonfirmuan marrëdhëniet e ngushta dypalëshe, si dhe partneriteti solid në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim dhe integrimit evropian. Siç informojnë nga Ministria e Çështjeve Evropiane, ministri Murtezani, në veçanti theksoi rëndësinë e investimeve në projekte infrastrukturore të mbështetura nga fondet sllovene për zhvillim. Ai theksoi se këto projekte paraqesin hapa të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës lokale, dhe se mbështetja dhe investimi në këto fusha do të kenë një efekt afatgjatë pozitiv, duke krijuar kushte më të mira dhe inkurajimin e rritjes ekonomike.
Shkup - Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, sot realizoi takim me ambasadorin e Sllovakisë, Henrik Markush. Në takim, siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, u bisedua për bashkëpunimin e deritanishëm në mbrojtje me Sllovakinë dhe iniciativat për intensifikimin e tij, përforcimin dhe avancimin në disa fusha me qëllim stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe më gjerë. Ministri Misajlovski shprehu mirënjohje për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Sllovakisë në rrugën drejt integrimit të plotë euroatlantik të vendit tonë.
Shkup - Ministri I Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot ka realizuar takim pune me ambasadorin e Bosnjës dhe Hercegovinës, Dragan Jaçimoviq dhe me ambasadoren holandeze Ozlem Kanell. Në takimin me ambasadorin e BeH, siç njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, Toshkovski e potencoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të deritanishëm me Ministrinë e Sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin, ndër të tjera, edhe përmes harmonizimit të disa akteve, siç është memorandumi i mbështetjes dhe bashkëpunimit në fushën e trajnimit të përbashkët dhe protokolli i bashkëpunimit në fushën e provave ekzaminimeve forenzike dhe mjekësisë ligjore, të cilat do të lehtësojnë një bashkëpunim të tillë.
Shkup – Deri të premten duhet të përgatitet shporta konsumatore e vjeshtës me rreth 100 produkte ushqimore, informon MIA. Grupi i punës në të cilin ka anëtarë të ministrive të Ekonomisë, Bujqësisë dhe Financave, do të bëjë simulim për kufizimin e çmimeve ose të marzhave. “Domethënë, llogaritjet do të bëhen duke ulur marzhet në 5, 10 ose 15 për qind të tregtisë me pakicë ose ngrirje të çmimeve në nivel të caktuar. Simulimi duhet të japë informacion se cila do të jetë zgjidhja më e favorshme për çmimet përfundimtare për konsumatorët dhe cilat do të jenë implikimet fiskale të kësaj mase”, thotë ministri i Ekonomisë Besar Durmishi në një deklaratë për MIA-n.
Shkup - Koordinatori i grupit të deputetëve të LSDM-së, Oliver Spasovski lidhur me rastin me kishën në Gallate sot deklaroi se "është e padrejtë dhe se e dënon arrestimin e cilitdo në një rast të tillë". Sigurisht që nuk duhet përdorur një sjellje e tillë kur bëhet fjalë për objektet fetare, tha Spasovski, duke theksuar se institucionet duhet përmes dialogut të gjejnë një zgjidhje adekuate. "Maqedonisë nuk i nevojiten incidentet, veçanërisht jo në pjesën e marrëdhënieve ndëretnike, absolutisht nuk guxojmë të luajmë me të drejtën e fesë. Gjithçka që duhet të zgjidhet, duhet të jetë mes institucioneve të sistemit, nëse është ajo KOM, BFI, Kisha katolike, autoritetet lokale dhe autoritetet qendrore. Përmes dialogut duhet të vijë deri te zgjidhja", tha Spasovski.
Shkup - Kryetari i Partisë Demokratike Evropiane, Arjanit Hoxha realizoi takim miqësor me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Shkup, Denion Mejdani.Në takim u bisedua për sfida e përbashkëta të dy vendeve tona në aspiratat për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian. Ambasadori Mejdani dhe kryetari i PDE-së Hoxha rikonfirmuan qendrimin e përbashkët se e ardhmja e të dy vendeve tona është në Bashkimin Evropian dhe gjithë forcat politike duhet të angazhohen për të arritur këtë synim strategjik.
Shkup - Kundër gjashtë nëpunësve policorë është ngritur procedurë disiplinore për rastin kur delegacioni i udhëhequr nga kryetari i Kuzvendit, Afrim Gashi ka kaluar në venfdkalimin kufitar Bllacë. "Departamenti për Kontrollë të Brendshme, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punve të Brendshme ka zbardhur rastin e datës 17.08.2024 në Pikë Kalimin Kufitar “Bllacë e Poshtme” gjatë sigurimit të delegacionit të Kryetarit të Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, dhe gjatë këqyrjes të materialeve zyrtare, analizën e mbikëqyrjes video dhe bisedat me nëpunësit policorë, për shkak të shkeljes të rendit dhe disiplinës në punë të përcaktuara në nenin 187 paragrafi 1 alinea 10 të Ligjit për punët e brendshme, dhe nenit 210 paragrafi 1 alinea 10 të Marrëveshjes kolektive të MPB-së, nga Departamenti për Kontrollë të Brendshme, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale do të përgatiten propozime për fillimin e një procedure për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore kundër nëpunësve policorë N.R., M.S., A.B., B.A., N.B. dhe B.S", thuhet në kumtesën e MPB-së.
Shkup - Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike Koçan parashtroi kallëzim penal kundër I.K. (73) nga Koçana për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “prodhim i palejuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”. I denoncuari, siç kumtoi sot MPB-ja, në ambientet e magazinës në firmën e tij në Koçanë, ka kryer prodhimin e ekstraktëve të marihuanës për qëllime mjekësore dhe përskaj që leja i ka skaduar në maj të vitit 2022.
Strumicë – Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe thotë se është mirë që VMRO-DPMNE do të parashtrojë ankesë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për pasurinë e tij që të konfirmohet gjendja faktike, ndërsa pastaj, siç tha, do të kërkojë kërkimfalje publike nga lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri Hristian Mickoski. “Është mirë që VMRO-DPMNE ka dhënë diçka si nismë në një institucion që patjetër të zbardhet dhe pasi Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do ta analizojë rastin, ndërsa apeloj që kjo të ndodhë sa më shpejt dhe të dalin me qëndrim dhe të thonë se si është gjendja aktuale, unë do t'i kërkoj kryeministrit Mickoski që të më kërkojë falje publike, ashtu siç doli publikisht gjatë intervistës së djeshme për ta thënë atë gënjeshtër”, tha Filipçe në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se ka dhënë dy fletëpronësi të ndryshme si ministër dhe si deputet.
Strumicë – Po miratohet një ligj i tillë serioz me procedurë të shkurtër që të mos ketë mjaftueshëm kohë për diskutim, as për analizë nga ana e ekspertëve, vlerëson lideri i LSDM-së, Venko Filipçe për ligjin për hua nga Hungaria i cili është në procedurë parlamentare me procedurë të shkurtër. “Ai ligj kaloi në Qeveri më 3 shtator dhe dukshëm që gjatë gjithë javës e më shumë po fshehet nga publiku. Parashtrohet pyetja pse po bëjnë përpjekje që në atë mënyrë të fshehtë atë ligj ta përbirojnë në Kuvend me procedurë të shkurtër”, tha Filipçe.
Prishtinë – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se Kosova gjithnjë është diskriminuar dhe nuk është trajtuar si palë e barabartë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare në dialogun me Serbinë, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në paraqitjen e tij para gazetarëve pas takimit të tij të sotëm me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, Konjufca deklaroi se diskriminimi ekziston nga viti 2011, kur filloi procesi i negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Prishtinë - Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, deklaroi se për Shqipërinë dhe për Kosovën bashkëpunimi është prioritet dhe ai kontribuon për qëndrueshmërinë e gjithë rajonit, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Spiropali në fillim të konferencës së përbashkët për media në Prishtinë me kryekuvendarin e Kosovës, Glauk Konjufca, ka kujtuar sulmin terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA. Ajo ka thënë se SHBA-ja e Kosova "ishin rreshtuar krah aleatëve strategjikë në luftën kundër terrorizmit".
Tiranë – Ish kryeministri shqiptar dhe ish presidenti, demokrati, Sali Berisha edhe zyrtarisht akuzohet për korrupsion në kuadër të dosjes “Partizan”. Berisha (80), i cili është në arrest shtëpiak që nga 30 dhjetori i vitit të kaluar, sot për herë të parë doli nga shtëpia dhe u paraqit në Prokurorinë Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku u njoh me aktakuzën, për të cilën hetimet zgjatën katër vjet.
Singapor - Papa Françesku sot nga Timori Lindor arriti në Singapor në pjesën e fundit të udhëtimit 12-ditor në Azinë Juglindore dhe Oqeani. Papa dhe shoqërimi i tij mbërritën në qytetin-shtet për një vizitë dyditore, e cila përfshin fjalim para zyrtarëve politikë dhe një meshë në Stadiumin kombëtar, për të cilën Vatikani pret se do të tërheqë rreth 55.000 njerëz. Papa do të realizojë edhe takim privat me presidentin Tarman Shanmugaratnam, kryeministrin Lorens Vong dhe ish kryeministrin, Li Hsien Lung.
Kajro - Presidenti gjerman Frank-Ualter Shtajnmaer e falënderoi Egjiptin për rolin e tij si ndërmjetës në përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Gazë, raportoi DPA. Në një deklaratë të përbashkët me presidentin egjiptian Abdel Fatah al Sisi në Kajro, Shtajnmaer kërkoi përpjekje të mëtejshme për të arritur armëpushim midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas. Në deklaratë shprehu shqetësimin për rrezikun e përhapjes së konfliktit në rajon.
Pretoria - Republika e Afrikës së Jugut (RAJ) paralajmëroi se muajin e ardhshëm do të parashtrojë kërkesë deri te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtsisë (GJND) për vazhdimin e padisë, me të cilën akuzohet Izraeli për gjenocid në Rripin e Gazës. "Republika e Afrikës së Jugut planifikon të siguroj fakte dhe dëshmi, të cilat do të tregojnë se Izraeli ka kryer gjenocid në Palestinë. Ky rast do të vazhdojë derisa gjykata nuk sjellë konkludim. Derisa rasti është në pritje, shpresojmë se Izraeli do t'i respektojë masat e përkohshme gjyqësore, të lëshuara deri tani", thuhet në kumtesën e presidencës së RAJ-it.
Uashington – Për shkak të zjarrit në malin San Gabriel, në lindje të Los Anxhelosit, është dhënë urdhër për evakuim të rreth 4.500 njerëzve. Zjarri “Ura” është një nga tre zjarret e mëdha të cilët shpërthejnë në Kaliforninë e Jugut dhe kërcënojnë dhjetëra mijëra shtëpi dhe objekte të tjera. Zjarre të mëdha pyjore ka edhe në shtetet federale perëndimore amerikane – Ajdaho, Oregon dhe Nevada, ku zjarri në rajonin Reno detyroi rreth 20.000 njerëz ta lëshojnë zonën. Sezoni i zjarreve pyjore në Kaliforni ende është në vijim, por deri më tani janë djegur gati tre herë më shumë territor se sa në gjithë vitin 2023.