• e shtunë, 14 shtator 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 13 shtator/ 2024

Sofje - Jam e bindur se biseda e sotme në një atmosferë të këndshme debatuese do të japë fryte. Nuk mund të them se nesër do të ndodh kjo, por me rëndësi është të filloni, deklaroi presidentja Gordana Siljanovska Davkova pas takimit në Sofje me kolegiun e saj bullgar, Rumen Radev. "U tregua se fjala është më e rëndësishme në Bibël. Edhe një herë u tregua se kur të uleni dhe bisedoni, të udhëhequr nga vullneti i mirë 'bona fide', e jo nga 'mala fide', do të bëni një hap të madh drejt gjetjes së zgjidhjeve të rëndësishme të përbashkëta. Unë nuk jam rastësisht këtu, erdha të bisedoj, dhe kuptohet se tani e pres presidentin Radev të vijë në Shkup. Mendoj se, dhe jam e sigurtë se, siç them shpesh herë, mendimi mund të jetë më i shpejtë se drita. Nëse dëgjohemi, nëse respektohemi, nëse kemi vullnet të kuptohemi, atëherë zgjidhja është afër", tha Siljanovska Davkova.

Shkup – Është koha që Bashkimi Evropian të na takojë në gjysmë të rrugës dhe ta kthejë besimin e qytetarëve në integrimet evropiane, theksoi ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani në “Forumin Ballkanik të Integrimeve 2024” (BIF2024), i cili po mbahet prej sot në Podgoricë, Mal të Zi. “Derisa njëherë kishte entuziazëm për integrimet evropiane, tani ka pakënaqësi për ëndrrën evropiane. Për Maqedoninë dhe Ballkanin Perëndimor Bashkimi Evropian nuk guxon të shihet si qëllim iluzion. Interes strategjik i BE-së është që Ballkani Perëndimor të mos e humb interesimin”, porositi Murtezani.  Ai theksoi se integrimet evropiane janë imperativ moral, përkushtim në paqe, demokraci dhe të ardhmen e qytetarëve. 

Shkup - Thellimi i marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimi rajonal dhe aspiratat e përbashkëta e të dy vendeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ishin në fokus të takimit të ministrit të Çështjeve Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani me ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq. Siç njoftojnë nga Ministria e Çështjeve Evropiane, ministat Murtezani dhe Ibrahimoviq e kanë konfirmuar bazën e fuqishme të marrëdhënieve bilaterale. Theksi i bisedimeve ishte në thellimin e marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimi rajonal dhe aspiratat e përbashkëta të të dy vendeve për anëtarësimin në Unionin Evropian.

Shkup - Gjithsej 80 komuna kanë aplikuar në thirrjen publike të Qeverisë për marrjen e mjeteve për realizimin e projekteve infrastrukturore në komunat mbarë vendin me para nga buxheti shtetëror. Janë dorëzuar gjithsej 357 aplikacione, që do të thotë se secila komunë ka aplikuar me më shumë projekte, informoi sot ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski. "Pritjet tona u përmbushën plotësisht. Në këtë fazë të parë do t'i mbështesim komunat me afro 100 milionë euro, ndërsa nga viti i ardhshëm do të jenë në dispozicion edhe 250 milionë euro të tjera për kohën kur planifikohet një thirrje e re. Tani e kanë radhën ministritë resore. Në afat prej 10 ditëve, dokumentacioni i plotë i projektit duhet të dorëzohet nga ana e komunës pranë ministrisë përkatëse në sferën e projektit, e cila do kryejë vlerësimin e projektit. Vlerësimi pritet të përfundojë për jo më shumë se 10 ditë, pas çka ministritë resore duhet të përgatisin një propozim vendim, për të cilin projektet do të financohen nga sfera e tyre dhe ta dorëzojnë për miratim në seancën e Qeverisë", tha Perinski në një konferencë për shtyp në Qeveri.

Shkup – Nga miratimi i Vendimit për kushtet e veçanta për tregtinë e disa mallrave, gjegjësisht për pajisje shkollore, janë kryer mbi 150 mbikëqyrje të cilat po vijojnë për shkak të dokumentacionit të vëllimshëm dhe analizës. Gjatë kësaj janë konstatuar parregullsi te tre subjekte juridike, njoftoi Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT). Sipas ISHT, një nga subjektet juridike është tregtar me shumicë, është dënuar me mbi 452 000 denarë për shkak të mosrespektimit të Vendimit dhe edhe me mbi 200 000 denarë për shkak se nuk mbanin evidencë tregtare.  Janë dënuar edhe dy tregtarë me pakicë (një subjekt i madh dhe i vogël juridik). Për subjektin e madh juridik është dhënë gjobë prej mbi 452 000 denarë për mosrespektim të Vendimit, ndërsa te subjekti i vogël juridik janë shqiptuar gjoba për mosrespektim të Vendimit në vlerë prej mbi 105 000 denarë dhe nga Ligji për mbrojtje të konsumatorëve në vlerë prej mbi  76 000 denarë. 

Dibër - Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Tiranë, u bëri thirrje të gjitha organizatave, shoqatave dhe individëve të interesuar që të aplikojnë për grant nga programi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut. Ambasada në faqen në Fejsbuk e transmeton publikimin e Ministrisë, si dhe aplikacionin e projektit me udhëzimet për plotësimin e tij. "Apelojmë te të gjithë të interesuarit që të paraqesin aplikacione për projekte, të cilët përfshijnë ide dhe iniciativa në interes të tyre, për marrjen e grantit, që është në kuadër të një programi që ka të bëjë me organizata, shoqata dhe individë që vijnë nga radhët e diasporës. Një program i tillë është aplikuar në vitet e kaluara dhe të gjithë ata që kanë aplikuar në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Tiranë nuk janë refuzuar", tha për MIA-n, Luftim Spahiu, ministër këshilltar në Ambasadë.

Sofje - Bullgaria nuk do të rinegociojë për kushtet nga marrëveshja me Republikën e Maqedonisë së Veriut, deklaroi sot kryeministri teknik bullgar, Dimitar Gllavçev. "Nuk ka për çka të negociohet. Ne e kemi qëndrimin e Bullgarisë. Ata thonë se nuk do të negociojnë me qeveri teknike, por unë do të thoja se nga ana e jonë nuk ka vullnet për negociata, pasi nuk ka për çka të negociojmë. Ka pozitë të përbashkët evropiane. Të negociojnë me Bashkimin Evropian. Në Këshillin e fundit evropian deklarova se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk i përmbahet obligimeve të ndërmarra, të njëjtën gjë e tha edhe kryeministri i Greqisë, se Republika e Maqedonisë nuk e respekton Marrëveshjen e Prespës, ashtu që pozitën tonë e kemi parashtruar në nivelin më lartë të mundur", tha Gllavçev, publikoi Bnr.bg.

Beograd - Ministri i Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë së Veriut, Zlatko Perinski të hënën në Vranje do të marrë pjesë në Konferencë me rastin e shpalljes së thirrjes së parë për projekt propozimet për Programin Ndërkufitar Serbi-Maqedoni e Veriut 2021-2027 në kuadër të Instrumentit për ndihmë paraqasëse (IPA III), njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi. Konferencën, e cila organizohet nga Ministria e Integrimeve Evropiane e Serbisë, do ta hapin ministrja serbe e Eurointegrimeve, Tanja Mishçeviq, ministri i Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë së Veriut, Zllatko Perinski, kryetari i Vranjes, Slobodan Milenkoviq dhe shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuel Zhiofre.

Prishtinë- Qëndrimi i vendeve të të ashtuquajturit "Grupi Kuinti", gjegjësisht pesë shtetet më me ndikim të cilat kanë ambasada në Kosovë, lidhur me hapjen e urës në lumin Ibër në Mitrovicë nuk ka ndryshuar, gjegjësisht mbeten në qëndrimin se ura nuk duhet të hapet për qarkullim të veturave, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në një përgjigje për grupacionin "Koha" të ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë thuhet se ky qëndrim është komunikuar vazhdimisht dhe se me të janë të njohur të gjithë akterët.  “Qëndrimi i ambasadave të vendeve të Kuint-it është komunikuar vazhdimisht dhe është i njohur për të gjithë akterët. Nuk ka asnjë ndryshim në këtë pozicion”, ka thënë kreu për Kulturë, Media dhe Komunikim në Ambasadën e Gjermanisë, Khristian Boçer..

Moskë – Rusia nuk pajtohet me komentin e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan se Krimeja duhet të kthehet nën kontroll të Ukrainës, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov. “Këtu kemi mendime krejt të ndryshme. Në të njëjtën kohë, nuk heqim dorë nga përpjekja që tua sqarojmë pikëpamjen tonë, pozicionin tonë miqve dhe kolegëve tanë turq”, tha Peskov. Erdogani paraprakisht këtë javë tha se mbështetja e Turqisë për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës është e palëkundur dhe se kthimi i Krimesë drejt Ukrainës, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014, është kusht i të drejtës ndërkombëtare. 

Moskë – Presidenti rus Vladimir Putin i dërgoi porosi të qartë Perëndimit për pasojat e lejimit të Ukrainës që ta sulmojë territorin rus me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.  Putini dje deklaroi se Perëndimi drejtpërdrejtë do të luftojë me Rusinë nëse i lejon Ukrainës të sulmojë objektiva në territorin rus me raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi, hap që sipas tij do ta ndryshojë natyrën dhe shtrirjen e konfliktit.  Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, tha se nuk ka dyshim se porosia e Putinit ka shkuar te ata për të cilët ishte e dedikuar. 

Kiev – Edhe 49 ukrainas janë liruar nga robëria ruse, njoftoi sot në Telegram presidenti ukrainas, Volodomir Zelenski. “Në shtëpi janë edhe 49 ukrainas. Ata janë ushtarë të forcave të armatosura të Ukrainës, Gardës Kombëtare, Policisë Kombëtare, Shërbimit Shtetëror Kufitar, si dhe civilë tanë. Më saktë, Lenja Umerova, një vajzë që u rrëmbye nga rusët kur erdhi për të ndihmuar babain e saj të sëmurë. Arritëm të çlirojmë një pjesë tjetër të mbrojtësve të Azovstal dhe heroit të Ukrainës, mjekut ushtarak Viktor Ivçuk”, shkriu Zelenski, raportojnë mediat ukrainase. Presidenti ukrainas e falënderoi ekipin që siguron lirimin e të burgosurve dhe pengjeve nga robëria ruse. 

QËNDRONI TË LIDHUR