• e shtunë, 29 qershor 2024

Mexhiti: “VLEN” do të jetë struktura e re politike që do të jetë bartëse e një tranzicioni të suksesshëm institucional

Mexhiti: “VLEN” do të jetë struktura e re politike që do të jetë bartëse e një tranzicioni të suksesshëm institucional

Shkup, 21 qershor 2024 (MIA) - Liderët e Koalicionit "VLEN" sot para seancës parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re, në tribunë e prezantuan Platformën e Patriotizmit si dituri, profesionalizëm dhe përgjegjësi sipas së cilës ministrat e tyre, zëvendësministrat dhe drejtuesit e institucioneve do të drejtohen në katër vitet e ardhshme si pjesë e qeverisë së re.

"Ka mbaruar koha e demagogjisë, sot kërkohen njerëz të arsimuar, me përvojë dhe guxim për të qenë bartës të proceseve komplekse reformuese për ta bërë vendin tonë një vend normal, të zhvilluar ekonomikisht, dhe të gatshëm për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Ne do të fokusohemi në punë; respekt ndaj institucioneve; përgjegjësi ndaj detyrës së marrë; realizim të obligimeve me përpikmëri dhe sukses. Këtë mund ta bëjë vetëm gjenerata e re e drejtuesve ekzekutivë që janë të liruar nga barra e të vjetrës, nga hipotekat e të shkuarës, nga folklori fjalë plot e punë pak. Këta jemi ne – gjenerata e politikanëve që barazinë e kanë në kodin gjenetik, jo në fjalimet politike; gjenerata e politikanëve që barazinë do ta arrijnë me vepra dhe jo me fjalë boshe", tha lideri i Lëvizjes demokratike, Izet Mexhiti, i cili në qeverinë e re do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Mjedisit Jetosor dhe Planifikimit Hapësinor.

Ai nënvizoi se "VLEN" është fitues i zgjedhjeve në kampin politik shqiptar. VLEN është faktori i ri politik i cili me legjitimitet, dinjitet dhe përgjegjësi përfaqëson shqiptarët. VLEN është struktura e re politike e cila do të jetë bartëse e tranzicionit të suksesshëm institucional dhe do ta bëjë secilin shqiptar krenar që identifikohet me ne. Lidhur me Ligjin për Reformën e Organeve të Administratës Shtetërore, i cili është miratuar me shumicë prej dy të tretave të përbërjes së re parlamentare, ai theksoi se është përpara një reformë e madhe dhe transformim i ministrive, por se përmbajtja, përkatësisht konceptet do të mbeten të njëjta dhe të drejtat e shqiptarëve do të vazhdojnë të garantohen dhe mbrohen sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes Kornizë. Njëkohësisht Mexhiti paralajmëroi se balancuesi si mekanizëm për përfaqësim të drejtë do të zëvendësohet me ligj.

"Balancuesi fillimisht ka dhënë rezultate të mira, por në vitet e fundit ka raste kur shumë shpesh maqedonasit regjistrohen si shqiptarë, shqiptarët si turq, nuk ka qenë në funksion të ndarjes së drejtë të komuniteteve që nuk janë shumicë në shtet apo në nivel lokal. Kjo ishte e vërtetë edhe për maqedonasit, kështu që këtu pajtohemi se si mekanizëm nuk mjafton dhe duhet të rregullohet me ligj, do t'i kushtohet vëmendje edhe cilësisë që do të përfitojnë të gjitha komunitetet. Kjo do të jetë një vlerë shtesë për administratën", deklaroi për mediat Mexhiti.

 

I pyetur për komentet e BDI-së për emërimin e Ivan Stoilkoviqit për zëvendëskryeministër për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, Mexhiti thotë se nuk janë shumë të kënaqur, por është çështje kompromisi dhe sepse Stoiljkoviq është partner i VMRO-DPMNE-së dhe merr pjesë nga pushteti i tyre.

"Ivan Stoilkoviqin nuk e sollëm, por e gjetëm nga BDI, sepse 10 vjet ishte në koalicion me BDI-në. Ai do të drejtojë një dikaster që ne patëm mundësinë ta merrnim, por vlerësuar se dikasteret e tjera janë në interes të shqiptarëve. Pra do të ketë një dikastër që do të merret me marrëdhëniet me komunitetet më të vogla, por në asnjë rast nuk do të merret me Marrëveshjen Kornizë dhe të drejtat e shqiptarëve", tha Mexhiti.

Kryetari i Besës, Bilall Kasami, në fjalimin e tij, në veçanti iu referua, siç tha, bllokimit të zhvillimit të komunave që udhëhiqeshin nga kryetarët që nuk ishin pjesë e qeverisë.

"Bllokimi i komunave nga BDI dhe LSDM ka përfunduar. Falë regjimit të mëparshëm, Maqedonia e Veriut njihet si shteti më i centralizuar në Evropë. Por “VLEN” si pjesë e qeverisë së re do të zbatojë pikat e programit të saj, përfshirë decentralizimin e plotë lokal, që do të thotë më shumë pushtet për komunat tona, më shumë zhvillim dhe më shumë barazi për qytetarët tanë, duke marrë modelet e vendeve të zhvilluara si Gjermania dhe Belgjika. Edhe programin e “Vlenit” edhe në atë të qeverisë për të cilin së shpejti do të votohet në Kuvend, nga buxheti i shtetit vetëm për vitin 2024 do të ndahen mbi 100 milionë euro për komunat për të pasur zhvillim më të shpejtë dhe të menjëhershëm komunal dhe realizimin e projekteve më të nevojshme për qytetarët", tha Kasami.

Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët thekson katër shtyllat e qeverisjes së ardhshme të koalicionit të ri qeveritar - përshpejtim të integrimit evropian, luftë e pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit që do të fillojë menjëherë në 100 ditëshin e parë, zhvillim ekonomik të vendit dhe ngritje të standadrit të qytetarëve, dhe zhvillim të barabartë i të tetë rajoneve në shtet, ku në fokus do të jetë komuna, pra decentralizimi i pushtetit lokal.

Kjo qeveri është garantuesi i rrugës evropiane, shpresoj që ndryshimet kushtetuese të ndodhin sa më shpejt. Por që ato të ndodhin, partneri maqedonas në qeveri duhet të ketë gjithmonë vullnet të mirë. E mira është se tashmë kemi 80 vota, na duhet vetëm një sinkronizim përfundimtar mes Shkupit dhe Sofjes, që besoj se do të ndodhë së shpejti, tha Taravari.

Ndër të tjera, si ministër i Shëndetësisë, ai bëri me dije se do të përpiqet të zgjidhë urgjentisht problemin me kompresorët në sallat e operacionit në Qendrën Klinike “Nënë Terza”, si dhe të shkarkojë drejtorët ekonomikë të klinikave, për të cilët tha afro 90 për qind janë duke u.d drejtor. Sapo mori detyrën, Taravari premtoi se tashmë të hënën këto u.d Drejtorë do të shkarkohen menjëherë, ndërsa për të tjerët që janë me vendime do të bëjnë propozim për ndryshimin e ligjit që të mos ekzistojnë më drejtorët ekonomikë.

Nënkryetari i Alternativës Bekim Sali, në mungesë të kryetarit Afrim Gashi, theksoi se “VLEN” si koalicion e ruajti përfaqësimin e shqiptarëve në njërën nga tri postet më të larta të pushtetit, duke e zgjedhur Gashin kryetar të Kuvendit të Republikës Maqedonisë së Veriut.

 

“Shtesë, në këtë pjesëmarrje në pushtetin ekzekutiv, kemi qenë shumë të kujdesshëm që pjesëmarrja jonë të mos jetë më e ulët se prania e shqiptarëve në këtë vend, por më shumë se kaq, kemi qenë të fokusuar në institucionet që merren me zbatimin e programit tonë politik, me qëllim që seriozisht dhe me përkushtim të punojmë në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, por edhe duke mundësuar politika ekonomike, shëndetësore, sociale dhe ekologjike, me të cilat besojmë se do të rrisim ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Kjo pjesëmarrje në pushtetin ekzekutiv do të rezultojë edhe në nivele të tjera të pushtetit dhe jam i sigurt se kjo si rezultat përfundimtar do të ketë një shoqëri më të avancuar në të gjitha fushat e jetës, ndërsa për shqiptarët ky rotacion politik do të thotë edhe një rotacion në jetën e tyre reale. , sepse në vitin 2024 po mbarojnë vitet e letargjisë, për t’ua hapur rrugën viteve të lirisë, demokracisë, drejtësisë, barazisë dhe mirëqenies.

Në tribunë folën edhe ministrat e ardhshëm nga “VLEN” si pjesë e koalicionit qeveritar.

Në pyetjen e një gazetari, Mexhiti deklaroi se nesër në seancën e Kuvendit ku do të zgjidhet qeveria, pret një debat demokratik, të arsyetuar dhe pozitiv.

“VLEN” do të ketë dy zëvendëskryeministra dhe pesë ministra në pushtetin e ri ekzekutiv. Përveç Taravarit dhe Mexhitit, i cili do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Limani do të jetë ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Besar Durmishi - Ministër i Ekonomisë dhe Punës, Orhan Murtezani është kandidat për ministër për çështje evropiane, ndërsa zëvendëskryeministër dhe ministër i qeverisjes së mirë do të jetë Arben Fetai. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR