Mexhiti: Rreth 95% e të hetuarve për rastin e Koçanit janë maqedonas, jo shqiptarë
- Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në emisionin Click Plus në TV21 tha se qeveritë e kaluara kanë tentuar t'i mbyllin apo stërzgjatin rastet që të mos ketë përgjegjësi penale.
- Post By Fami Bajrami
- 10:02, 15 prill, 2025

Shkup, 15 prill 2025
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në emisionin Click Plus në TV21 tha se qeveritë e kaluara kanë tentuar t'i mbyllin apo stërzgjatin rastet që të mos ketë përgjegjësi penale.
Ai komentoi edhe vendimin e fundit të Prokurorisë për zgjatjen e hetimeve për rastin e Koçanit, duke theksuar se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se të gjithë të përfshirët do të mbajnë përgjegjësi.
"Ke 5-6 shqiptarë që kanë pasur pozicione, mirëpo 95 për qind të atyre që janë në hetime janë të palës maqedonase", theksoi Mexhiti.
Është çështje ditësh shpalosja e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, deklaroi se mekanizmi i balancuesit, që ka shërbyer për garantimin e përfaqësimit të drejtë, tashmë ka skaduar dhe se është në përgatitje një ligj i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
"Sa i përket balancuesit, ata që sot e kritikojnë, vetë e kanë miratuar derisa ishin në qeveri. Ministrat e tyre e kanë votuar që balancuesit i ka dalë afati dhe se duhet të ketë një tjetër mekanizëm," theksoi Mexhiti në një intervistë për emisionin "Click Plus" në TV21.
Ai shtoi se është çështje ditësh kur do të shpaloset Ligji i ri për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili pritet të zëvendësojë sistemin aktual. Deri atëherë, Mexhiti tha se përmes një marrëveshjeje politike është rënë dakord që të respektohet parimi i përfaqësimit të drejtë në institucione.
Taravari dhe strukturat e tij janë antipod i BDI-së, nuk besoj se do të kënaqin tifozët e BDI-së
Zv/kryeministri i parë Mexhiti, ka deklaruar gjatë pjesëmarrjes në emisionin Click Plus se negociatat me Arben Taravarin janë në vazhdim, dhe se nesër pritet të merret një vendim për qëndrimin e tij në koalicionin VLEN. Ai ka theksuar se është e pamundur që dikush të jetë pjesë e VLEN-it dhe njëkohësisht të mbajë bashkëpunim me BDI-në.
"Ne jemi në negociata të vazhdueshme me Taravarin, dhe presim që nesër të sjellim vendimin nëse do të qëndrojmë me VLEN-in ose jo. Nuk mund të jenë pjesë e VLEN-it dhe të kenë njëkohësisht bashkëpunim me BDI-në. Taravari dhe strukturat e tij janë krijuar si antipod i BDI-së, dhe nuk besoj se do ti kënaqin tifozat e BDI-së."
Nuk mund të jesh me ne dhe me BDI-në njëkohësisht
Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me qëndrimin e partisë së Taravarit në koalicionin VLEN. Në një intervistë për Click Plus, Mexhiti theksoi se bashkëpunimi me BDI-në dhe qëndrimi në qeveri nga ana e Taravarit është në kundërshtim me teorinë politike dhe vlerat e VLEN-it.
Ai theksoi se duhet të qartësohet pozicioni i Taravarit, duke shtuar se "nuk mund të jesh edhe me ne dhe edhe me BDI-në". Mexhiti vuri në dukje se VLEN-i ka favorizuar Taravarin dhe dëshiron që ata të jenë pjesë e koalicionit, duke vlerësuar kontributin e tyre të rëndësishëm në krijimin dhe forcimin e koalicionit. Megjithatë, ai bëri të qartë se nuk do të tolerojnë që dikush të jetë me VLEN-in dhe njëkohësisht me BDI-në.
"Uroj që Taravari dhe strukturat e tij të reflektojnë dhe të bëjnë një zgjedhje të qartë. Ne e vlerësojmë kontributin e tyre, por duhet të jemi të qartë: nuk mund të kemi bashkëpunim të dyfishtë", tha Mexhiti.
Taravari nuk mund të bashkëpunoj me një BDI që bashkëpartiaku i tij e ka quajt “kufomë politike”
Mexhiti, ka komentuar mundësinë e bashkëpunimit të mundshëm me BDI-në, duke theksuar se është e papranueshme të bashkëpunosh me një parti që vetë është quajtur "kufomë politike" nga bashkëpartiaku i Taravarit, Arben Fetai.
"Nuk ka argumente që kemi ikur prej asaj BDI-je dje dhe tani të shohësh mundësinë për bashkëpunim me një BDI që është quajtur kufomë politike. Të bashkëpunosh me kufomë politike, nuk është e kuptueshme", theksoi Mexhiti.
Deklaratat e Mexhitit vijnë në një periudhë kur ka pasur spekulime mbi mundësinë e një marrëveshjeje të mundshme mes Taravarit dhe BDI-së, çka ka ngritur shqetësime brenda koalicionit.
Ne dëshirojmë Aleancën vetëm si pjesë e VLEN-it për zgjedhjet lokale
Izet Mexhiti, ka bërë të qartë qëndrimin e tij për zgjedhjet lokale dhe lidhjet me Aleancën për Shqiptarët. Në një deklaratë të tij në emisionin Click Plus, Mexhiti theksoi se partia e Taravarit duhet të marrë përqindjen e saj gjatë ndarjes së kandidatëve, por që për të, është e rëndësishme që Aleanca për Shqiptarët të jetë pjesë e VLEN-it për zgjedhjet lokale.
Ai shtoi se fokusi duhet të jetë tek realizimi i platformës së përbashkët të qeverisë dhe i bëri thirrje Aleancës të reflektojë gjatë vendimit që do të marrin. "Aleanca është një pjesë e rëndësishme e VLEN-it, dhe ne dëshirojmë që të vazhdojmë të jemi të bashkuar. Do të reflektojmë dhe të fokusohemi në realizimin e platformës sonë të përbashkët", tha Mexhiti.
Për Mexhitin, qëndrimi i VLEN-it është i qartë: bashkëpunimi me Aleancën për Shqiptarët është i mundshëm vetëm si pjesë e një projekti të përbashkët, duke i dhënë përparësi realizimit të angazhimeve të përbashkëta të qeverisë.
__________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.