• e shtunë, 22 shkurt 2025

Merc i vendosur para zgjedhjeve në Gjermani: Nën udhëheqjen time nuk ka bashkëpunim mes AFD dhe CDU

Merc i vendosur para zgjedhjeve në Gjermani: Nën udhëheqjen time nuk ka bashkëpunim mes AFD dhe CDU

Berlin, 11 janar 2025 (MIA) – Kandidati për kancelar gjerman të zgjedhjeve federale parlamentare më 23 shkurt dhe lider i Unionit Demokratik – Kristian (CDU) i qendrës së djathtë, Fridrih Merc, mbrëmë, në një intervistë për servisin publik ARD në mënyrë kategorike e hodhi poshtë çdo bashkëpunim me ekstremin e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AFD).

“Më lejoni që këtu të përsëris. Nën udhëheqjen time nuk do të ketë bashkëpunim ndërmjet AFD dhe CDU në Gjermani”, tha Merc. 

“Shkaqet janë të qarta dhe të dukshme”, shtoi ai. 

“Nuk do të bashkëpunojmë me parti e cila është ksenofobike, e cila është antisemitike, e cila ka ekstremistë të djathtë në radhët e saj, e cila ka kriminelë në radhët e saj, parti e cila flirton me Rusinë dhe dëshiron të largohet nga NATO dhe Bashkimi Evropian”, tha lideri i CDU. 

Shërbimi i Inteligjencës Gjermane, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës, e trajton AFD si organizatë ekstremiste e djathtë. 

Përmendja nga Merci i kriminelëve në AFD mund të jetë e drejtuar ndaj liderit të partisë në zonën Tiringija, Bjorn Hoke, nxitës i ekstremit të djathtë i cili njihet mirë në vend për deklaratat e tij kontroverse. Ai ishte dënuar dy herë në gjykatë për shfrytëzim me vetëdije të parullës së ndaluar naziste në fjalime. 

Merc tha se çdo hap në drejtim të bashkëpunimit me AFD do të nënkuptonte se “ia shesim shpirtin CDU-së”. 

Në pyetjen nëse mund ta përmbushë atë premtim, Merc u përgjigj: “Po, do ta përmbush. Me këtë përgjigje e lidh fatin tim si kryetar i partisë CDU”. 

Fridrih Merc është favorit për kancelar gjerman në zgjedhjet nacionale më 23 shkurt, pas rënies së koalicionit trepartiak i kryesuar nga Ollaf Sholc. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR