• e hënë, 23 dhjetor 2024

Me 36.2 milionë euro në dy vitet e ardhshme do të rivitalizohen gjashtë hidrocentrale

Me 36.2 milionë euro në dy vitet e ardhshme do të rivitalizohen gjashtë hidrocentrale

Shkup, 23 shkurt 2023 (MIA) -  Me hua në vlerë prej 25 milionë eurove nga Banka Zhvillimore KfV, 11.2 milionë euro nga granti i BE-së nga WBIF-ja dhe 0.2 milionë euro nga Qeveria e Gjermanisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut siguroi 36.2 milionë euro për realizimin e investimit të ri në sektorin energjetik.

Investimi do të realizohet gjatë dy viteve të ardhshme. Ai do të përfshijë rivitalizimin e gjashtë hidrocentraleve të mëdha (HEC Vrutok, HEC Vërben, HEC Raven, HEC Tikvesh, HEC Shpilje dhe HEC Gllaboçica që sigurojnë midis 20 për qind dhe 30 prë qind të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në vend. 

Për realizimin e këtij investimi, sot në Shkup u nënshkruan: Marrëveshja e huasë ndërmjet Bankës Kreditore për Rindërtim - KfV dhe SHA EMV - Shkup, Marrëveshja e garancisë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Kreditore për Rindërtim - KfV, Marrëveshja e veçantë ndërmjet Bankës Kreditore për Rindërtim - KfV dhe SHA EMV - Shkup dhe Marrëveshja e grantit WBIF ndërmjet Bankës Kreditore për Rindërtim - KfV dhe SHA EMV - Shkup. 

 

“Këto marrëveshje mundësojnë realizimin e investimit në vlerë prej 36.2 milionë eurove, që RMV-ja do ta realizojë me përkrahje të partnerëve tanë, me të cilët bëjmë hapa të rëndësishme drejt sigurimit të pavarësisë energjetike, duke investuar në burimet e energjisë së ripërtëritshme", tha ministri i Financave, Fatmir Besimi në nënshkrimin e marrëveshjeve.

Siç informoi ministri, në Buxhetin e këtij viti parashihen mjete financiare në vlerë prej 800 milionë eurove për projekte kapitale, ku dominojnë projektet infrastrukturore dhe ato energjetike. 

Ai shtoi se mjetet financiare sigurohen me kushte të favorshme, ndërsa realizimi i investimit në fjalë nënkupton rritje të prodhimit vendas, stabilitet në furnizimin me energji elektrike dhe pavarësi energjetike.  

 

Drejtori i sektorit për energji dhe mobilitet në EJL dhe Turqi në KFV, Pablo Obrador Alvarez, theksoi se  marrëveshjet e nënshkruara  janë pjesë e impenjimeve të Gjermanisë në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe pakos energjetike të BE-së për përkrahjen e tranzicionit të gjelbër të sektorit energjetik në vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6).

Euroambasadori Dejvid Gir, theksoi se  investimet në energjinë e gjelbër janë kype për Republikën  e Maqedonisë së Veriut, që, siç tha, "do të kontribuohet për përmirësimin afatgjatë të sigurisë energjetike, si dhe impenjimet e saj në lidhje me ndryshimet klimatike". 

Oto Graf, u.d. ambasador i RF të Gjermanisë në vend theksiu se Gjermania dhe BE-ja e mbështesin Maqedoninë e Veriut me qëlli të rritjes së sigurisë energjetike, që, siç tha, qëllim drejt së cilit synojmë të gjithë" 

Drejtori i përgjithshëm i EMV-së, Vasko Kovaçevski vlerësoi se faza e tretë e rivitalizimit të gjashtë hidrocentraleve të mëdha ka rëndësi shumë të madhe, sepse me zëvendësimin e pajisjeve të vjetëruara dhe të amortizuara do të reduktohet koha e ndërprerjes së tyre për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar dhe të paplanifikuar, që nënkupton disponueshmëri të impianteve për 100% në nivel vjetor, pas përfundimit të projektit. 

Ai shtoi se projekti është i harmonizuar me detyrimet e Axhendës së gjelbër për Ballkanin Perendimor, me përpjekjet për tranzicion drejt energjisë së pastër dhe do të kontribuojë për implementimin e Strategjisë së zhvillimit të energjetikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2040, e cila ka për qëllim zvogëlimin e emisioneve për  61% të gazrave serrë në krahasim me vitin 2005, si dhe pjesëmarrjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë së konsumit bruto në energji finale për 45 për qid. 

 

Me këtë investim fuqia e instaluar e hidrocentraleve do të rritet për  13.5 MW shtesë, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike do të rritet për rreth 47.5 GWh në nivel vjetor. Përveç kësaj, investimi siguron ulje të kostove të mirëmbajtjes dhe rritje të besueshmërisë dhe stabilitetit të sistemit, si dhe mbrojtje të mjedisit jetësor. Bëhet fjalë për fazën e tretë të rivitalizimit të këtyre hidrocentraleve. Gjithashtu, dy fazat paraprake janë financuar me hua, ku faza e parë është financuar me hua nga Banka Botërore, ndërsa faza e dytë me hua nga Banka Kreditore për Rindërtim - KfV dhe kanë përfunduar me sukses. ar/

 

QËNDRONI TË LIDHUR