• e diel, 22 dhjetor 2024

MBPEU, AUV dhe FAO filluan fazën e dytë të procesit për avancimin e sistemit të identifikimit të kafshëve dhe për përmirësimin e sigurisë së ushqimit 

MBPEU, AUV dhe FAO filluan fazën e dytë të procesit për avancimin e sistemit të identifikimit të kafshëve dhe për përmirësimin e sigurisë së ushqimit 

Shkup, 12 prill 2023 (MIA) - Pas realizimit me sukses të fazës së parë të procesit për avancimin e sistemit ekzistues informativ veterinar në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO) , Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU) dhe Agjencia e Ushqimit dhe Mjekësisë Veterinare (AHV) nisën sot fazën e dytë të procesit, përmes një projekti të ri FAO. Qëllimi i projektit të ri është transferimi i softuerit të ri veterinar dhe informativ, të pajisur me module dhe funksionalitete të reja, në përdorim nga AUV.

"Sistemi i identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve është pjesë e rëndësishme e zinxhirit të sigurisë së ushqimit. Ai mundëson regjistrimin, analizën dhe përdorimin e shpejtë dhe me kohë e të dhënave të kafshëve nga palë të ndryshme të interesuara, duke përfshirë informacione për lindjen dhe origjinën e tyre, statusin e vaksinimit, gjendjen shëndetësore, sëmundjet - në rast të shfaqjes dhe dokumentimit të ciklit të plotë të kafshës nga ferma në tryezë, që siguron shpërndarjen e ushqimit të sigurt për konsumatorët", qëndron në kumtesën e MBPEU-së.

Faza e parë, siç bëhet e ditur, u fokusua në përpilimin e dokumentacionit teknik për sendërtimin e sistemit ekzistues informatik veterinar në AUV, në bazë të softuerit tashmë të suksesshëm të zhvilluar nga FAO në Gjeorgji. Faza e dytë do të fokusohet në transferimin e sistemit dhe shtimin e moduleve dhe funksionaliteteve të reja, si dhe konfigurimin e tij për përdorim në AUV.

"Zgjidhja e re moderne, e qëndrueshme dhe afatgjatë do të hapë mundësi të reja për përmirësimin e ndjekshmërisë së kafshëve dhe përmirësimin e sigurisë së ushqimit, që është me rëndësi kyçe për ruajtjen e shëndetit publik, shëndetit të kafshëve, sigurisë së ushqimit dhe qasjes në tregjet ndërkombëtare", informoi MBPEU-ja.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski në fjalën e tij në takimin e sotëm për fillimin e projektit theksoi se përmirësimi i përgjigjes së bujqësisë ndaj kërkesave të shoqërisë për aspektet shëndetësore të ushqimit, duke përfshirë mirëqenien e kafshëve, është me rëndësi strategjike për sektorin e bujqësisë, duke përfshirë edhe detyrimin për të harmonizuar legjislacionin kombëtar për mirëqenien e kafshëve dhe sigurinë e ushqimit në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

"Identifikim dhe regjistrim efikas dhe modern i kafshëve është parakusht për menaxhim modern të shëndetit të kafshëve, prodhimtarisë blegtorale, përmirësim të aftësisë konkurruese dhe qasje në tregjet globale", theksoi Nikollovski.

Sistemi informatik veterinar i Maqedonisë së Veriut është zhvilluar më shumë se 12 vjet më parë dhe është përshtatur vetëm me rrethanat e brendshme dhe kornizën ligjore. Ai është i vjetëruar si nga pikëpamja teknologjike ashtu edhe nga ajo legjislative për shkak të evoluimit të vazhdueshëm të legjislacionit të BE-së dhe përafrimit të vazhdueshëm me BE-në, në veçanti Rregullativës së BE-së 2016/429 "Ligji për shëndetin e kafshëve". Si rrjedhojë, siç bëhet e ditur, nuk ka asnjë dyshim për nevojën e avancimit të sistemit dhe harmonizimin e tij me standardet e BE-së.

"Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) ka zhvilluar projekte të suksesshme për vendosjen e sistemeve informatike veterinare në mbarë botën, duke e bërë atë një nga organizatat udhëheqëse në këtë temë. Me kërkesë të Qeverisë së RMV-së, avancimi i sistemit ekzistues informatik veterinar do të bëhet me mbështetjen e FAO-s, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, bëhet e ditur në kumtesën.

"Jemi të lumtur që mund të ndajmë përvojën tonë me Maqedoninë e Veriut për avancimin e Sistemit të Identifikimit dhe Regjistrimit të Kafshëve dhe presim bashkëpunim të frytshëm me Qeverinë dhe të gjitha palët e interesuara për të kontribuar në përmirësimin e shëndetit publik, shëndetit të kafshëve dhe sigurinë e ushqimit, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian", tha Nabil Gangi, zëvendës përfaqësues rajonal i FAO-s për Evropë dhe Azinë Qendrore dhe shef i zyrës së FAO-s në Maqedoninë e Veriut.

“Tashmë e njohim rëndësinë e madhe nga sendërtimi i sistemit informatit veterinar në Maqedoninë e Veriut për harmonizim me kërkesat për përafrim me Bashkimin Evropian. Ky modernizim jo vetëm që do të përmirësojë aftësinë tonë për të garantuar shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, por gjithashtu do të lehtësojë tregtinë e qetë të produkteve shtazore me vendet anëtare të BE-së. Ky është një hap kyç drejt arritjes së konformitetit me standardet e BE-së dhe forcimit të pozitës së vendit tonë në tregun ndërkombëtar", tha Vanja Kondratenko, udhëheqëse e Sektorit për mbrojtje shëndetësore dhe mirëqenie të kafshëve në AUV.

Projekti është nga Programi i FAO-s për mbështetjes teknike dhe do të zbatohet në bashkëpunim me AUV-në, MBPEU dhe palët tjera të interesuara, për një periudhë prej dy viteve.

Foto: MBPEU

QËNDRONI TË LIDHUR