• e hënë, 23 dhjetor 2024

Le të flasim për... ndryshimin e Marrëveshjes

Le të flasim për... ndryshimin e Marrëveshjes

22 shtator 2023

 

Euraktiv – Bruksel

 

Për një kohë të gjatë askush nuk përmendi ndryshimin e Marrëveshjes të BE-së. Dhe pastaj, papritmas…

 

Së pari, shefja e Komisionit Ursula fon der Lajen e ngriti temën në fjalimin e saj për gjendjen e bashkimit më 13 shtator. Të reformosh BE-në dhe ta përmirësosh atë, tha ajo, nënkupton konvokimin e Konventës Evropiane dhe ndryshimin e Marrëveshjes, nëse dhe ku është e nevojshme.

 

Disa ditë më vonë, u publikua raporti franko-gjerman, i porositur nga të dyja qeveritë, mbi mënyrën më të mirë për të reformuar BE-në dhe për t'u përgatitur për pranimin e anëtarëve të ardhshëm. Reforma e parashikuar kërkon qartë një ndryshim të Marrëveshjes.

 

Supozohet gjerësisht, se ndryshimi i marrëveshjeve të BE-së - pas ratifikimit të dhimbshëm të Marrëveshjes të Lisbonës, që zgjati dy vjet - do të jetë "mision i pamundur".

 

Edhe nëse liderët e BE-së mund të bien dakord për një sërë ndryshimesh, kjo do të duhet të kalojë ratifikimin në parlamentet kombëtare dhe, në disa raste, testin e frikshëm të referendumeve.

 

Raporti franko-gjerman në thelb propozon që shtetet anëtare të bien dakord që disa prej tyre të bëhen zyrtarisht anëtarë të nivelit të dytë.

 

Ai propozon që BE-ja të ecë përpara në katër qarqe: 1. Qarku i brendshëm, 2. Vetë BE-ja, 3. Anëtarët e asociuar dhe 4. Komuniteti Politik Evropian.

 

“Qarku i brendshëm” do të përbëhej nga anëtarët e Eurozonës dhe zonës Shengen. Sot, disa anëtarë të zonës Shengen, përkatësisht Holanda dhe Austria, po mbajnë në pritje Rumaninë dhe Bullgarinë, duke i penguar në mënyrë efektive ata të bashkohen me klubin e "qarkut të brendshëm".

 

Kjo mund të bëhet e përhershme.

 

Raporti propozon gjithashtu ose zvogëlimin e numrit të komisionerëve, në mënyrë që jo të gjitha shtetet anëtare të përfaqësohen në Komision, ose futjen e një diferencimi midis "komisionerëve kryesorë" dhe "komisionerëve", ku në Komision mund të votojnë vetëm "komisionerët kryesorë".

 

Propozimet gjithashtu kërkojnë që shtetet anëtare të bien dakord për të reduktuar numrin e deputetëve të tyre për t'u krijuar hapësirë anëtarëve të rinj të BE-së dhe për të hequr dorë nga e drejta e tyre aktuale e vetos duke e përdorur atë vetëm së bashku me të paktën një shtet tjetër anëtar.

 

Propozimi franko-gjerman konsideron gjithashtu mundësinë e një buxheti të BE-së "të përshtatshëm për të punuar me grupe më të vogla të shteteve anëtare në varësi të fushave të politikave".

 

Supozimi ynë është se asnjë nga 13 anëtarët e rinj që hynë në BE këtë shekull, të konsideruar tashmë të nivelit të dytë, ndonëse jozyrtarisht, nuk do të pranonin të zyrtarizonin këtë diferencim.

 

Nëse BE-ja do të ishte një klub xhentëlmenësh ku anëtarët mblidhen për të provuar uiski të rrallë dhe për të pirë puro të shtrenjta, kjo do të thoshte se papritmas rregullat ndryshojnë dhe anëtarëve të rregullt u thuhet se politika e re e klubit ndalon duhanin dhe alkoolin, përveç në një dhomë të vogël ku vetëm Franca dhe Gjermania mund të ulet (edhe pse këtu mund të ftojnë një ose dy mysafirë nëse ata dëshirojnë).

 

Fraza e famshme "të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat" nga romani “Ferma e Kafshëve” të Xhorxh Oruel po përjeton kështu një rilindje. Autori i këtij teksti frazën e përmendur e ka dëgjuar nga bashkëbiseduesit e tij sa herë që përmendej propozimi franko-gjerman.

 

Dokumenti eksploron mënyrat për të shtyrë reformat, duke shmangur ndryshimin e plotë të marrëveshjes, duke prezantuar nocionin e një "marrëveshjeje ose marrëveshjesh plotësuese" midis "shteteve anëtare të disponueshëm".

 

Megjithatë, dokumenti pranon se një rrugë e tillë presupozon sfida dhe rreziqe ligjore. Një mashtrim tjetër i shpjeguar në dokument është zbatimi i reformës së BE-së duke e lidhur atë me një rinovim të marrëveshjeve të pranimit, i cili ndryshon traktatet themeluese.

 

Nuk besoj se Franca dhe Gjermania po bëjnë presion që të ndryshojnë Marrëveshjen me qëllimin e deklaruar për të mundësuar zgjerimin e BE-së. Në vend të kësaj, raporti përdor zgjerimin e BE-së si një pretekst për të testuar ndjenjën mbi reformat e BE-së, të cilat Parisi dhe Berlini i shohin si të dobishme.

Ne nuk e dimë nëse ky është qëllimi i raportit, por reformat e përshkruara dekurajojnë edhe mbështetësit më të mëdhenj të zgjerimit të BE-së që të vazhdojnë të nxitin zgjerimin e mëtejshëm të Unionit - nëse sakrificat që duhen bërë janë kaq të mëdha.

Ndoshta kjo është arsyeja pse fon der Lajen tha në fjalimin e saj se zgjerimi i BE-së nuk duhet të presë që të ndryshohet Marrëveshja: Kjo duhet t’i kishte inkurajuar kandidatët e BE-së.

Por ata duhet të dinë gjithashtu se vendimet e vërteta do të vijnë nga Parisi dhe Berlini.

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR