Kremlini konfirmoi: Tramp dhe Putin nesër do të bisedojnë përmes telefonit
- Kremlini ka konfirmuar sot se presidentët e Rusisë dhe të SHBA-së, Vladimir Putin dhe Donald Tramp, nesër do të zhvillojnë bisedën e dytë zyrtare telefonike që nga kthimi i Trampit në detyrë në Shtëpinë e Bardhë në janar.
- Post By Melahat Baftija
- 13:15, 17 mars, 2025

Moskë, 17 mars 2025 (MIA) - Kremlini ka konfirmuar sot se presidentët e Rusisë dhe të SHBA-së, Vladimir Putin dhe Donald Tramp, nesër do të zhvillojnë bisedën e dytë zyrtare telefonike që nga kthimi i Trampit në detyrë në Shtëpinë e Bardhë në janar.
"Biseda është në përgatitje", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov në një konferencë të përditshme për shtyp.
Tramp mbrëmë deklaroi se do të fliste me Putinin si pjesë e përpjekjeve amerikano-ruse për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
"Tashmë janë diskutuar shumë gjëra me të dyja palët - Ukrainën dhe Rusinë. Do të flasim për këtë, për ndarjen e burimeve të caktuara", tha Tramp në aeroplanin presidencial, duke aluduar për "shkëmbime të pjesëve të territorit dhe termocentraleve".
Gjatë negociatave të fundit midis delegacioneve ukrainase dhe amerikane në Arabinë Saudite, u propozua një armëpushim 30-ditor. Përfaqësuesi i SHBA, Stiv Uitkou ia përcolli propozimin Putinit.
Kjo do të jetë biseda e dytë telefonike mes dy liderëve këtë vit, pasi ata diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën në Ukrainë më 12 shkurt. mb/
Foto: MIA