Kostadinovski: Gjykata kushtetuese nuk i nënshtrohet interpelancës, ndërsa garancitë kushtetuese për pavarësinë e Këshillit gjyqësor janë shumë të rëndësishme
- Lidhur me paralajmërimet e BDI-së se do të parashtrojë interpelanca për tërë përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës kushtetuse, Darko Kostadinovski u prononcua me qëndrim se askush në shtet nuk ka më shumë të drejta se ato që ia jep Kushtetuta dhe se secili është i detyruar ta respektojë Kushtetutën, duke përfshirë edhe Kuvendin. Lidhur me interpelancat e anëtarëve të Këshillit gjyqësor, ai tha se garancat kushtetuese për pavarësinë e Këshillit gjyqësor janë garanca shumë të rëndësishme.
- Post By Besnik Shuki
- 13:36, 14 mars, 2025

Shkup, 14 mars 2025 (MIA) - Lidhur me paralajmërimet e BDI-së se do të parashtrojë interpelanca për tërë përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës kushtetuse, Darko Kostadinovski u prononcua me qëndrim se askush në shtet nuk ka më shumë të drejta se ato që ia jep Kushtetuta dhe se secili është i detyruar ta respektojë Kushtetutën, duke përfshirë edhe Kuvendin. Lidhur me interpelancat e anëtarëve të Këshillit gjyqësor, ai tha se garancat kushtetuese për pavarësinë e Këshillit gjyqësor janë garanca shumë të rëndësishme.
"Është kristalisht e qartë, e ka të qartë çdo student në vitin e parë të drejtësisë se Gjykata Kushtetuese paraqet pushtetin e katërt dhe nuk i nënshtrohet parimit të ndarjes së pushteteve. Instrumenti i interpelancës në asnjë mënyrë nuk mund të përdoret për Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqtarëve kushtetues. Ne jemi kontrollorët e asaj qeverie, të tre pushteve - legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Kjo do të ishte shkatërrim i rendit kushtetues", tha Kostadinovski.
Në konferencën e sotme me gazetarë në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me mundësinë që Kuvendi të vendosë në procedurë interpelancat, Kostadinovski shtoi se nuk mund të parashikojë nëse dikush do të mbajë përgjegjësi.
“Unë vetëm po theksoj se të gjithë janë të detyruar të respektojnë Kushtetutën”, shtoi ai.
Kryetari i Gjykatës kushtetuese, po ashtu, u përqëndrua në çështjen për intepelancat për anëtarët e Këshillit gjyqësor, duke theksuar se e drejta e ligjvënësit të bëjë normë është e pakontestueshme, por detyrë e ligjvënësit është ta respektojë Kushtetutën.
"Çka është kushtetuese nuk e them unë, e thotë Gjykata Kushtetuese. Qëndrimi im është se e drejta e ligjvënësit për të bërë norma, ose kur sheh dobësi në sistem, të ndërhyjë me ndryshime dhe plotësime ligjore është e pakontestueshme. Por është detyrë e ligjvënësit të respektojë Kushtetutën dhe pasi tashmë thash se këto tre pushtete i nënshtrohen parimit të ndarjes së pushteteve në përputhje me parimin e kontrollit dhe ekuilibrit, kushtetuta jonë nuk thotë gjithçka, asnjë kushtetutë në botë nuk jep përgjigje për gjithçka. Interpelanca është një kategori kushtetuese, por Kushtetuta jonë garanton pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Mendimi im personal është se parimi i kontrollit dhe balancimit të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv në pushtetin gjyqësor, i cili gëzon garancitë e pavarësisë së tij, është shtjerrë me zgjedhjen e këtyre pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ata nuk janë gjyqtarë, anëtarë jogjyqësorë, ky është mendimi im personal, ky është kontroll i mjaftueshëm në sistemin check and balances", tha ai.
Konkludoi se, siç tha, “ka dilema edhe për veprimet e Kuvendit, por unë gjithmonë them se nuk është aq vështirë të interpretohet Kushtetuta, garancitë kushtetuese për pavarësinë e Këshillit gjyqësor janë garanci shumë të rëndësishme”. bsh/
Foto: MIA