• e diel, 06 tetor 2024

Kosovë: Suspendohen katër policë të cilët plagosën një serb në afërsi të një pike kontrolli të policisë

Kosovë: Suspendohen katër policë të cilët plagosën një serb në afërsi të një pike kontrolli të policisë

Prishtinë, 12 prill 2023 (MIA) - Policia e Kosovës i ka suspenduar katër zyrtarë të saj, të cilët dyshohet të jenë përfshirë në një incident të armatosur në Leposaviq, në të cilin ka mbetur i plagosur një qytetari serb, njoftojnë mediat e Kosovës.

Policia fillimisht e mohoi përfshirjen e zyrtarëve të saj në incident, por më pas ndërmori veprime dhe theksoi se rasti nuk ishte raportuar nga të përfshirët.

Raportimet e mediave serbe se qytetari u plagos nga zyrtarë të Policisë, ky institucion i mohoi vetëm një orë pasi ndodhi rasti, duke thënë se zyrtarët policorë nuk kanë qenë fare të përfshirë.

E, mesditën e së martës, policia lëshoi një komunikatë tjetër, në të cilën theksoi se në këtë rast dyshohet të jenë përfshirë 4 pjesëtarë të saj, e që nuk e kanë raportuar incidentin në të cilin janë përfshirë. Që të gjithë janë suspenduar nga detyra.

"Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara, janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku Policia e Kosovës kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë mbrëmë dënoi plagosjen e një serbi të Kosovës pranë pikës së kontrollit të policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit

“BE-ja në Kosovë dënon incidentin e sigurisë ku një serb i Kosovës mbeti i plagosur me armë zjarri të hënën në mbrëmje pranë pikës së kontrollit të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit. Të gjitha institucionet përkatëse gjyqësore duhet të kryejnë tani një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë”, tha Zyra e BE-së në një deklaratë të postuar në Tuiter.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier, ka shprehur shqetësimin për rastin.

"SHBA-ja është e shqetësuar për incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua në Zveçan mbrëmë. Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të bëjnë një hetim të plotë, e kredibil. Ne jemi shumë të shqetësuar nga mohimi fillestar që u bë pa kujdes. Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e forcave të zbatimit të ligjit dhe sektorin e drejtësisë. Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës të sundimit të ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Hovenier në Tuiter.

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR