• e premte, 05 dhjetor 2025

KFOR: Situata në Kosovë mbetet e brishtë, dialogu politik është kyç

KFOR: Situata në Kosovë mbetet e brishtë, dialogu politik është kyç

Prishtinë, 30 qershor 2025 (MIA) – Edhe pse situata e sigurisë në Kosovë është përgjithësisht e qetë, ajo mbetet ende e brishtë për shkak të çështjeve të pazgjidhura politike, deklaroi sot komandanti i KFOR-it, gjeneral major Enriko Barduani.

Në një intervistë për televizionin “RTV Dukagjini”, Barduani e theksoi përkushtimin e NATO-s drejt ruajtjes së stabilitetit dhe tha se dialogu me ndërmjetësim të BE-së është rruga e vetme drejt paqes së përhershme. 

“Dhuna në Zveçan dhe incidenti në kanalin Ibër – Lepenc na treguan se sa e ndjeshme është situata, edhe pse tani është e qetë. Për shkak të kësaj ishte rritur prania e KFOR-it për mbi 1.000 ushtarë – një nga përforcimet më të mëdha në dekadën e fundit”, deklaroi ai. 

Barduani potencoi se stabiliteti nuk varet vetëm nga KFOR-i, por edhe nga vullneti politik për dialog dhe bashkëpunim. Ai nënvizoi se Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) mund të hyjnë në veri vetëm me leje paraprake nga KFOR-i, që është detyrim të cilin NATO e vlerëson kyç. 

Në lidhje me praninë e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit, ai theksoi se nuk janë evidentuar shkelje të detyrimit që Serbia paraprakisht ta njoftojë KFOR-in për çdo aktivitet. 

Barduani, gjithashtu, i bëri thirrje Serbisë që t’i hetojë sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it nga viti 2023, duke thënë se kryerësit ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. fc/

Foto: Arkivi

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR