KB: Misioni ynë paqeruajtës në Ukrainë është shumë hipotetik
- – Misioni i KB-së në Ukrainë në këtë fazë është “shumë hipotetik”, deklaroi sot zëvendëssekretari i përgjithshëm i KB-së përgjegjës për operacione paqeruajtëse, Zhan – Pjer Lakroa.
- Post By Fitore Curri
- 14:32, 25 mars, 2025

Nju Jork, 25 mars 2025 (MIA) – Misioni i KB-së në Ukrainë në këtë fazë është “shumë hipotetik”, deklaroi sot zëvendëssekretari i përgjithshëm i KB-së përgjegjës për operacione paqeruajtëse, Zhan – Pjer Lakroa.
“Mendoj se mund të thoni se është shumë, shumë hipotetik”, tha Lakroa, diplomat francez përgjegjës për operacionet paqeruajtëse nga viti 2017. “Dukshëm, sepse çështja është në tavolinë, mendojmë për këtë”, shtoi ai para gazetarëve.
Evropa bisedon për garancitë e sigurisë të cilat do t’ia japë Ukrainës në rast të ndërprerjes së armiqësive, përfshirë edhe shpërndarjen e trupave tokësorë.
Në Paris të enjten do të mbahet takim i ri i liderëve të vendeve nga “koalicioni i të përgatiturve”, në përpjekje që të sigurojnë garanci të tilla të sigurisë.
Delegacioni rus në bisedimet për Ukrainën, të cilat mbahen në kryeqytetin saudit Riad, nën patronazhin e SHBA-së, foli për rolin e Kombeve të Bashkuara, pa dhënë hollësi.
Misioni eventual paqeruajtës i KB-së në Ukrainë duhet së pari të marrë leje nga Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, përkujtoi Lakroa. Dhe deri më tani nuk ka “kurrfarë kontakti” në atë kuptim, tha ai.
“Nuk na është dhënë kurrfarë përgjegjësi që ta planifikojmë (këtë mision) dhe me të vërtetë nuk shoh në çfarë baze do të mund ta bënim këtë tani”, theksoi ai. fc/
Foto: EPA