• e premte, 05 dhjetor 2025

Kallas konfirmon angazhimin e BE-së për të lehtësuar dhe mbështetur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë

Kallas konfirmon angazhimin e BE-së për të lehtësuar dhe mbështetur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë, 22 maj 2025 (MIA) - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas deklaroi sot në Prishtinë se BE-ja është e përkushtuar ndaj dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe se Kosova është palë e barabartë në dialog.

"Ju jeni partnerë të barabartë në tryezë dhe si përfaqësuese e BE-së do ta mbështes këtë proces", tha ajo gjatë një konference për shtyp në Prishtinë në fillim të vizitës së saj në Kosovë.

Ajo nënvizoi se nuk ka "rrugë të shkurtër" për inkuadrim në BE, duke konfirmuar peshën strategjike të Ballkanit Perëndimor për BE-në.

Ajo gjithashtu konfirmoi se procesi i zgjerimit të BE-së do të jetë një nga prioritetet e saj dhe përmendi aspiratat e qytetarëve të Kosovës për t'u bërë pjesë e bllokut evropian.

"Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm nga aspekti strategjik për BE-në. Është projekti më i madh gjeostrategjik për ne dhe për mua personalisht. Kosova ka vend në familjen evropiane, por nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësim. Në Kosovë, shumica dërrmuese e qytetarëve duan anëtarësim në Bashkimin Evropian", tha ajo.

Megjithatë, për t'iu afruar BE-së, Kosova duhet të ketë institucione funksionale dhe të qëndrueshme, theksoi ajo.

Ajo u bëri thirrje të gjitha partive politike të tejkalojnë ngërçin momental politik dhe të punojnë në formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të shkurtit.

Kallas shtoi se BE-ja është e gatshme të mbështesë Kosovën, por liderët e partive politike duhet të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të kenë prioritet të ardhmen e Kosovës.

“Formimi i një Kuvendi të ri dhe një Qeverie të re është thelbësor për stabilitetin, zhvillimin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Kaja Kallas. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR