• e shtunë, 23 nëntor 2024

KB: Ekonomia palestineze e shkatërruar nga lufta

KB: Ekonomia palestineze e shkatërruar nga lufta

Nju-Jork, 10 nëntor 2023 (MIA) - Bruto Prodhimi Vendor (BPV) ra për katër për qind në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në muajin e parë të luftës së Izraelit me Hamasin dhe më shumë se 400 mijë njerëz ranë në varfëri, tregon KB.

Pasojat e tilla ekonomike, shtohet, nuk ishin vërejtur as në konfliktet në Siri dhe Ukrainë, as në ndonjë  luftë parparake ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

Më shumë se dy të tretat e 2,3 milionë banorëve në Gaza i braktisën shtëpitë e tyre pasi Izraeli filloi sulme të ashpra ajrore, ndërsa pastaj edhe operacione tokësore, duke premtuar se do ta shkatërrojë grupin ekstremist islamik Hamas, që sundon territorin, transmetoi Beta.

Më 7 tetor, Hamasi papritur e sulmoi jugun e Izraelit dhe me mbështetje të sulmeve raketore, u vranë më shumë se 1.400 njerëz, kryesisht civilë, ndërsa rreth 240 pengje u dërguan në Gaza.

Në bombardimin izraelit në Rripin e Gazës dhe operacionin tokësor që filloi më vonë, sipas të dhënave të ministrisë vendase humbën jetën më shumë se 10.800 njerëz, ndër të cilët edhe rreth 4.400 fëmijë.

Vlerësimi i Programit për Zhvillim të KB-së dhe Komisionit Ekonomik dhe Social të KB-së për Azinë Perëndimore është raporti i parë i një organizate botërore që tregon pasojat shkatërruese të luftës, veçanërisht për palestinezët. Nëse lufta vazhdon, KB-ja parashikon që BPV-ja palestineze, e cila ishte 20.4 miliardë dollarë para fillimit të luftës, do të ulet për 8.4 për qind, një humbje prej 1.7 miliardë dollarësh.

Nëse do të zgjasë për një muaj të tretë, BPV-ja do të ulet për 12 për qind me humbje prej 2.5 miliardë  dhe më shumë se 600 mijë njerëz do të varfërohen.

Ndihmës sekretari i përgjithshëm i Programit për zhvillim të KB-së Abdalla al Dardari tha se humbja prej 12 për qind në fund të vitit do të ishte pa precedent.

Ukraina humbi 30 për qind nga BPV-ja e saj për një vit e gjysmë, mesatarisht 1,6 për qind në muaj.

Në janar, papunësia në Gaza ishte tashmë rreth 46 për qind, tre herë e gjysmë më e lartë se në Bregun Perëndimor, ku ishte 13 për qind. Qindra mijëra vende pune janë shkatërruar që nga fillimi i luftës.

"Niveli i shkatërrimit në Gaza është i paimagjinueshëm dhe i paprecedentë", tha Rola Dashti, sekretare ekzekutive e Komisionit Ekonomik.

Deri më 3 nëntor, tërësisht janë shkatërruar 35 mijë njësi banimi  dhe rreth 220 mijë u dëmtuan pjesërisht, që është 45 për qind e banesave të shkatërruara dhe të dëmtuara. Nëse vazhdon kështu, shumica e banorëve të Gazës nuk do të kenë shtëpi, shkruan Beta. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR