BE-ja do të financojë industrinë ushtarake ukrainase nga mjetet e ngrira ruse
- Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, sot në qytetin ukrainas Lavov, deklaroi se industria ushtarake ukrainase do të marrë një miliard euro. Mjetet janë nga interesi i mjeteve të ngrira ruse në Bashkimin Evropian.
- Post By Fami Bajrami
- 17:45, 9 maj, 2025
Lavov, 9 maj 2025 (MIA) - Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, sot në qytetin ukrainas Lavov, deklaroi se industria ushtarake ukrainase do të marrë një miliard euro. Mjetet janë nga interesi i mjeteve të ngrira ruse në Bashkimin Evropian.
"Sapo kemi zhbllokuar një miliard euro për industrinë e mbrojtjes ukrainase, në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet më mirë", tha Kallas gjatë vizitës në Ukrainë nga një grup i madh ministrash evropianë.
Perëndimi ka bllokuar rreth 235 miliardë euro mjete ruse që nga fillimi i luftës në vitin 2022. BE-ja në mars vendosi të përdorë interesin e këtyre mjeteve për të financuar ndihmën për Ukrainën, që Moska e përshkroi si "vjedhje".
Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Zhan-Noel Baro sot në Lavov theksoi se Parisi do të përdorë një pjesë të të ardhurave nga mjetet e ngrira ruse për të mirëmbajtur topat e tij "Cezar", të dorëzuara në Ukrainë.
Evropa është përpjekur të rrisë mbështetjen e saj për Ukrainën, veçanërisht pas kthimit të Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë në janar, pasi presidenti amerikan kritikoi ashpër ndihmën e madhe financiare dhënë Ukrainës nga paraardhësi i tij, Xho Bajden. rq/bsh/
Foto: EPA