• e premte, 05 dhjetor 2025

Rute: Kurrë nuk i kemi premtuar Ukrainës anëtarësim në NATO si pjesë e marrëveshjes së paqes

Rute: Kurrë nuk i kemi premtuar Ukrainës anëtarësim në NATO si pjesë e marrëveshjes së paqes

Bruksel, 9 maj 2025 (MIA) - Ekziston një pëlqim se rruga e Ukrainës drejt NATO-s është e pakthyeshme, por kurrë nuk kemi rënë dakord që si pjesë e marrëveshjes së paqes të ketë një anëtarësim të garantuar të vendit në Aleancë, deklaroi sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rute.

"Një gjë e tillë nuk është rënë kurrë dakord. Në planin afatgjatë, aleatët e NATO-s thanë po, do të ketë një perspektivë për anëtarësim në NATO. Por kjo është për një periudhë afatgjatë, jo për negociatat e paqes që janë duke u zhvilluar aktualisht", tha Rute në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Fridrih Merc pas takimit të tyre në selinë e Aleancës në Bruksel.

Rute shtoi se aktualisht ekziston një bashkëpunim i ngushtë midis NATO-s dhe Ukrainës në ofrimin e ndihmës ushtarake dhe trajnimin e anëtarëve të forcave të armatosura ukrainase, dhe së bashku ata po nxjerrin mësime nga përvoja e luftës në territorin ukrainas.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vuri në dukje gjithashtu se është i lumtur që Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, ka arritur të depërtojë në qor-sokakun dhe se po bëhet përparim në përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Merc, nga ana e tij, deklaroi se Trampi e informoi mbrëmë për planin e tij për një armëpushim 30-ditor pa kushte në Ukrainë, i cili, siç tha, e di që mbështetet plotësisht nga vendet e mëdha evropiane dhe shpreson që i gjithë Bashkimi Evropian dhe NATO do ta bëjnë këtë gjithashtu.

"Pas kësaj fundjave, ekziston mundësia për të arritur një armëpushim 30-ditor në Ukrainë. Topi tani është ekskluzivisht në oborrin e Moskës. Vetëm atje do të vendoset nëse ka një shans për të mundësuar një armëpushim më të gjatë në Ukrainë, dhe më pas të krijohet hapësirë ​​për bisedime për paqe të qëndrueshme", theksoi Merc. ls/

Foto: NATO 

 

QËNDRONI TË LIDHUR