• e diel, 29 shtator 2024

Këshilli i BE-së cakton listën e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Evropian

Këshilli i BE-së cakton listën e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Evropian

Bruksel, 20 shtator 2024 (MIA) - Në marrëveshjen e përbashkët me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, Këshilli i BE-së ka caktuar listën e kandidatëve që propozon për emërimin e anëtarëve të KE-së me mandat deri në 31 tetor 2029.

Siç kumton Këshilli i BE-së, lista e përpiluar do t'i dërgohet Parlamentit Evropian për procedurë të mëtejshme të miratimit të kandidatëve dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Lista e kandidatëve të propozuar nga Këshilli për anëtarë të Komisionit Evropian është si vijon:

Magnus Bruner (Austri), Maria Luish Kasanova Morgado Diash de Albukerke (Portugali), Valdis Dombrovskis (Letoni), Rafaele Fito (Itali), Kristof Hansen (Luksemburg), Vopke Bastian Hukstra (Holandë), Dan Jorgensen (Danimarkë), Konstantinos Kadis (Qipro), Marta Kos (Slloveni), Andrius Kubilius (Lituani), Haxha Labib (Belgjikë), Majkëll Mekgrat (Irlandë), Glen Mikalef (Maltë), Roksana Manzatu (Rumani), Tereza Ribera Rodríges (Spanjë), Jesika Rosvol ( Suedi), Marosh Shefçoviq (Sllovaki), Stefane Sezhurne (Francë), Pjotr Arkadiush Serafin (Poloni), Jozef Sikela (Republika Çeke), Ekaterina Spasova Geçeva-Zaharieva (Bullgari), Dubravka Shuica (Kroaci), Apostolos Xixikostas (Greqi), Oliver Varheji (Hungari), Hena Maria Virkunen (Finlandë) dhe Kaja Kallas (Estoni) e emëruar si Përfaqësuese e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë më 24 korrik 2024 nga ana e Këshillit Evropian me pëlqimin e kryetares së sapozgjedhur të Komisionit.

Konform nenit 17 paragrafi 7 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, Këshilli i BE-së me marrëveshje të ndërsjellë me kryetaren e sapozgjedhur të Komisionit, përcakton listën e kandidatëve të propozuar për emërim për anëtarë të KE-së.

Kryetari i Komisionit Evropian, Përfaqësuesi i lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe anëtarët e tjerë të KE-së, si trup në tërësi, duhet të marrin pëlqimin për emërimin nga Parlamenti Evropian. Në bazë të këtij pëlqimi nga PE, Këshilli Evropian emëron Komisionin. Emërimi i KE-së duhet të miratohet me shumicë të kualifikuar në Këshill.

Foto: X

 

 

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR