• e hënë, 23 dhjetor 2024

Doda: Rrugëtimi i përbashkët drejt BE-së/ Pse Shqipëria nuk duhet të pranojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut?

Doda: Rrugëtimi i përbashkët drejt BE-së/ Pse Shqipëria nuk duhet të pranojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut?

Dibër, 28 shtator 2024 (MIA) - Gazetarja shqiptare, Marjana Doda, themeluese dhe kryeredaktore e portalit "Argumentum", e cila trajton çështje nga gjeopolitika, në kolumnën "Rrugëtimi i përbashkët drejt BE-së/ Pse Shqipëria nuk duhet të pranojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut?, vlerëson se "vendimi që për të ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin e përbashkët Europian, rikthen në vëmendje të gjitha sakrificat dhe lëshimet që ka bërë Maqedonia e Veriut në emër të Europës dhe për Europën. Sakrifica që sot mesa duket nuk janë të mjaftueshme".

"Rrugëtimi i përbashkët drejt BE-së/ Pse Shqipëria nuk duhet të pranojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut?

Marjana Doda

Vendimi për të ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin e përbashkët Europian, rikthen në vëmendje të gjitha sakrificat dhe lëshimet që ka bërë Maqedonia e Veriut në emër të Europës dhe për Europën. Sakrifica që sot mesa duket nuk janë të mjaftueshme.

Ambasadorët e BE-së në takimin e fundit në Bruksel vendosën të avancojnë procesin e pranimit të Shqipërisë, duke e ndarë atë nga Maqedonia e Veriut, e cila deri tani kishte lëvizur paralelisht me Shqipërinë. Raportohet se grupet e para të negociatave pritet të hapen zyrtarisht më 15 tetor, duke shënuar një hap të rëndësishëm për Shqipërinë, por jo për Maqedoninë e Veriut. Megjithëse Shqipëria ka qenë vend kandidat që nga viti 2014, Maqedonia e Veriut, me statusin e saj që nga 2005, duket se po përballet me një situatë më të komplikuar, e cila mund të çojë në stagnim ose përkeqësim të mëtejshëm.

Ndonëse ky vendim kërkon miratimin në nivelet më të larta të BE-së, ky ndryshim i orientimit ka krijuar zhgënjim dhe mosbesim në raport me BE-në, duke lënë të dyshohet mbi angazhimin e saj real mbi politikën e zgjerimit.

Asgje e re nga horizonti Europian. Maqedonia e Veriut është ende nën presion për vetë ekzistencën e saj (!). Çështjet që kanë të bëjnë me identitetin e Maqedonisë së Veriut janë të njohura tashmë si pengesat kryesore për të avancuar në procesin e integrimit, në fillim nga Greqia e tani dhe nga Bullgaria.

Ndarja e dy vendeve në këtë rrugëtim tregon qartazi një shenjë e dobësisë nga ana e BE-së, e cila në vend që të ofrojë mbështetje, po e lë Maqedoninë e Veriut të përballet me pengesa të reja. Kjo situatë sjell vetem rritjen e skepticizmit mes qytetarëve ndaj institucioneve europiane, rritjen e frymës nacionaliste, etj.

Edhe njëherë Bashkimi Europian po tregon një qasje diskriminuese ndaj Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj. Edhe njëherë familja Europiane po ia mbyll derën këtij vendi që ka sakrifikuar kaq shumë duke rrezikuar seriozisht destabilitet në vend dhe rajon. E pra, sakrificat dhe përpjekjet e bëra nga ky vend për të arritur standardet europiane, shpeshherë të shoqëruara me tensione politike dhe sociale, duket se nuk po vlerësohen siç duhet.

Por ndonëse disa analistë e shohin këtë hap si dështim i Maqedonisë së Veriut, në këndvështrimin tim, ky është fund e krye dështim i Europës.

Po, Europa po tregon se ka dështuar në raport me Maqedoninë e Veriut përpos rrethanave emergjente gjeopolitike.

Ajo dështoi edhe nga humbja plebishitare e zgjedhjeve të dyfishta në Maqedoninë e Veriut. Humbje e cila solli në pushtet partinë e djathtë VMRO-DPMNE, duke treguar se qytetarët e Maqedonisë nuk kanë më besim në LSDM-në. Ndonëse LSDM-ja ofroi shumë, në emër të europës ajo nuk arriti të përmbushë premtimin e saj për integrimin evropian. Ndaj erdhi dhe kjo “shuplake” e fortë nga votuesi maqedonas ndaj vetë Europës për mospërmbushje të premtimeve të saj.

Humbja e LSDM-së në Maqedoninë e Veriut, e shkaktuar pikërisht nga bllokimi i procesit të integrimit në BE dhe zhgënjimi me performancën e qeverisë, tregon se si pasiguria dhe frustrimi mund të ndikojnë në stabilitetin politik të vendeve që janë në rrugën e integrimit, duke e bërë edhe më të vështirë për forcimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë.

Të njëjtën gjë po bën Europa me qeverinë e re në Shkup. Si pasojë e këtij vendimi ndarës, tashmë opozita, analistët etj, që në krye të herës po tentojnë t’i veshin qeverisë Mickovski një përgjegjësi që nuk e ka. Duke bërë që ku vendim nga Europa për ta shkëputur ketë vend nga Shqipëria ta ekspozojë qeverinë e re përballë një krize të re politike.

Nëse Europa mendon se duke izoluar Maqedoninë e Veriut dhe Partinë e djathtë tashmë në pushtet për shkak të rritjes së partive të djatha në Europë, e ka gabim. Në fakt ajo po izolon dhe po dëmton besimin e qytetarëve të Maqedonisë në institucionet evropiane.

Një dështim tjetër ka të bëjë me peizazhin gjeopolitik: Evropa ka humbur momentumin për zgjerim, ndonëse situata gjeopolitike, si lufta e Rusisë në Ukrainë, ka theksuar nevojën për stabilitet dhe kohezion në rajon. Edhe pse ky rrezik është trumbetuar në forume ndërkombëtare si një kërcënim ekzistencial për Evropën dhe rendin botëror, veprimet e vetë Bashkimit Europian nuk kanë reflektuar gjithmonë atë që ata thonë.

Pas agresionit rus në Ukrainë, temë kryesore ishtë solidariteti dhe bashkëpunimi, jo ndarja. Në këtë kontekst, është e padrejte dhe e palogjikshme që ky rrugëtim drejt integrimit evropian për RMV-bë të ndalojë këtu dhe tani.

Por pse Shqipëria nuk duhet të pranojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut?

Së pari cenon vetë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Tiranës dhe Shkupit.

Me ndryshimet politike në Maqedoninë e Veriut dhe fuqizimin e partive të djathta, njëkohësisht daljes në opozite të BDI-së për të cilën Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama loboi fuqishëm në zgjedhjet e fundit, ndjenjat e tensionit mes Tiranës dhe Shkupit janë bërë më të dukshme. Gjithsesi, Kryeministri Rama ka një rol të rëndësishëm për të siguruar që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të ndihen të përfshirë dhe të mbështetur në aspiratat e tyre. Pra nëse jo për maqedonasit dhe Partinë në pushtet VMRO-DPMNE, atëherë Shqipëria dhe Kryeministri Rama nuk duhet ta braktisin Maqedoninë e Veriut për shqiptarët që janë faktor shtetformues i saj.

Shqiptarët matanë kufirit, nuk duhet të jenë në mëshirë të fatit por bashkëudhëtare të Shqipërisë amë në rrugëtimin europian!

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një histori të përbashkët dhe një mori çështjesh të hapura që lidhen me identitetin, kulturën dhe minoritetet. Duke qenë se të dyja vendet janë të përfshira në një proces të ngjashëm integrimi, ndarja e rrugës së tyre mund të çojë në thellimin e tensioneve historike dhe kulturore, që potencialisht do të dëmtonte stabilitetin në rajon.

Shqipëria në fakt ka nevojë për Maqedoninë e Veriut

Nëse Maqedonia e Veriut është e izoluar, Shqipëria gjithashtu do të përballet me sfida. Stabiliteti i një vendi është i lidhur ngushtë me atë të fqinjëve të tij, dhe çdo krizë në Maqedoninë e Veriut do të ketë ndikim në Shqipëri.

Gjithashtu Shqipëria, si Maqedonia e Veriut mund të përballet me rreziqe të ngjashme nga Greqia, edhe pse situatat janë të ndryshme.

Ngjarjet e vitit të fundit në Himarë me çështjen “Beleri” na bën të reflektojmë se Greqia në çdo kohë është kërcënim e mund të sjellë pengesa në procesin e integrimit. Ndoshta nesër një tjetër kërcënim i drejtpërdrejtë për Shqipërinë mund të jetë dhe Bullgaria.

Kjo pra  është një pikë shumë e rëndësishme që tregon se Shqiperia ka nevoje për Maqedoninë e Veriut, ndaj Shqipëria duhet të qëndrojë e bashkuar me Maqedoninë e Veriut për të dërguar një mesazh të fortë për Greqinë dhe Bullgarinë, duke theksuar se çdo pretendim i ri do të përballet me një qëndrim të unifikuar nga vendet fqinje.

Duke qëndruar së bashku, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të parandalojnë qëndrime të reja, sidomos nga Bullgaria. Prandaj, ndarja nuk do të ishte vetëm një humbje per Maqedoninë e Veriut por padiskutim dhe për Shqipërinë.

Ndarja e rrugëve të integrimit për Maqedoninë e Veriut dërgon një mesazh të kundërt nga ai që Perëndimi dëshiron të komunikojë. Në vend që të tregojë mbështetje për integrimin dhe stabilitetin, ky vendim mund të nxisë ndjenja të frikës dhe pasigurisë, duke inkurajuar vendet të kërkojnë mbështetje nga jashtë.

Pra narrativa e frikes nga influenca e fuqive të mëdha si Rusia, Irani, Kina por dhe Turqia që artikulohet me zë të lartë nga Perëndimi, duket se sfumohet përballë vendimeve të tilla, duke lënë vend për dyshime nëse Perëndimi është vërtet i angazhuar për stabilitetin dhe integrimin e këtij vendi. Ambasadat e vendeve evropiane duhet të terhiqen, duke theksuar rëndësinë e një mbështetjeje të vazhdueshme dhe të besueshme për Maqedoninë e Veriut, përndryshe, rrezikohet që vendi të shohë një rritje të ndikimit të aktorëve të tjerë, në një periudhë ku stabiliteti dhe integrimi janë më të nevojshme se kurrë.

A duhet Shqipëria ta pranojë vendimin për ndarje nga Maqedonia e Veriut? Në këndvështrimin tim, veçanërisht në kontekstin e situatës së brishtë në rajon dhe zhvillimeve të shpejta dhe të rrezikshme në botë, një ndarje e tillë do të thellonte ndarjet rajonale dhe do të krijonte një atmosferë tensioni, duke rrezikuar stabilitetin e përgjithshëm.

Prandaj, Shqipëria duhet të veprojë me kujdes dhe të promovojë unitetin me Maqedoninë e Veriut për të siguruar paqen, prosperitetin dhe, mbi të gjitha, integrimin e përbashkët në Bashkimin Europian.

QËNDRONI TË LIDHUR