Jandrokoviq-Gashi: Mbështetje nga Kroacia për të vazhduar rrugën eurointegruese
- E keni mbështetjen tonë edhe më tutje për të vazhduar me këmbëngulje në rrugën e integrimit evropian dhe për të zgjidhur pengesat, është mirë të arrihet një aleancë brenda NATO-s dhe BE-së, theksoi kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, në konferencën e sotme të përbashkët për media me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:13, 6 mars, 2025

Shkup, 6 mars 2025 (MIA) - E keni mbështetjen tonë edhe më tutje për të vazhduar me këmbëngulje në rrugën e integrimit evropian dhe për të zgjidhur pengesat, është mirë të arrihet një aleancë brenda NATO-s dhe BE-së, theksoi kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, në konferencën e sotme të përbashkët për media me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
"Të arrihet një partneritet dhe miqësi edhe më e thellë mes vendeve tona, që është e mirë për të dy popujt tanë. Ju e dini, unë konfirmoj fjalët e kryetarit Gashi se Republika e Kroacisë është një mbështetëse e fortë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. E di që po përballeni me probleme. E di që anëtarësimi juaj në NATO ishte i mbushur me pengesa dhe se ju ende përballeni me disa pengesa në rrugën drejt BE-së. Mund të them se anëtarësimi në BE ka një rëndësi gjeopolitike. Ajo sjell siguri. Kuptohet, në atë rrugë vendi juaj do të duhet të kalojë një proces reformash gjë që është mirë sepse edhe Kroacia e ka kaluar atë", tha Jandrokoviq.
Ju inkurajoj, theksoi kryetari i Saborit kroat, të vazhdoni në atë rrugë, të bëni më të mirën sepse, siç tha ai, "nga kjo do të përfitojë vendi".
"Reformat sollën shumë efekte pozitive në shoqëri. Kemi investime, rritje të punësimit. Kemi ndryshimet më pozitive sociale. Dhe prandaj ju inkurajoj që të vazhdoni në atë rrugë dhe të jepni maksimumin tuaj sepse do të përfitojë shteti. Do të sigurojë një ekonomi më të mirë dhe një standard më të mirë jetese. Pavarësisht nga pengesat që ndonjëherë janë të padrejta, ju keni mbështetjen tonë në atë rrugë", tha ai.
Jandrokoviq theksoi se marrëdhëniet politike mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera, po ashtu edhe bashkëpunimi ekonomik, sepse, siç tha ai, "shkëmbimi i mallrave ndërmjet dy vendeve është në rritje të vazhdueshme".
"Mund të them gjithashtu se marrëdhëniet mes dy popujve tanë janë vërtet miqësore. Gjithmonë ka partneritet, miqësi, simpati, sepse lidhjet historike na lidhin. Ky takim është shumë i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh por edhe për bashkëpunimin parlamentar dhe shpresoj që ky takim të japë dinamikë pozitive në marrëdhëniet e ardhshme", tha Jandrokoviq.
Gashi theksoi se fokusi i takimit të tyre ka qenë forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar përmes grupeve të përbashkëta parlamentare të formuara në të dyja dhomat legjislative. Shkëmbimi i përvojave, ideve dhe identifikimi i fushave për bashkëpunim, shtoi ai, janë hapa kyçe në forcimin e lidhjeve tona.
"Kroacia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë dhe konsekuente e perspektivës evropiane të vendit tonë. Fuqishëm besoj se Kroacia është një shembull nga i cili mund të mësojmë se si të zbatojmë reformat dhe procesin e integrimit në BE. Dëshiroj t'ju kujtoj se të dy vendet në të njëjtin vit nënshkruan Marrëveshjen për stabilizim dhe Asociim me BE-në, ndërsa sot Kroacia është anëtare me të drejta të plota për 12 vjet, ndërsa për fat të keq Maqedonia e Veriut ka mbetur prapa në këtë proces për shkak të pengesave të njohura. Jemi të vetëdijshëm se ka ende reforma për t'u zbatuar dhe çështje që duhet zgjidhur. Por me aleatët si Kroacia dhe të tjerë nga BE-ja, ne besojmë se ky proces do të jetë i suksesshëm për ne ashtu siç ishte për Kroacinë. Agjenda e reformave dhe plani për rritjen e Ballkanit Perëndimor janë elemente të rëndësishme dhe inkurajuese që dëshmojnë përkushtimin e BE-së për të mbështetur integrimin tonë dhe të vendeve të rajonit", tha kryetari i Kuvendit, Gashi.
Ky takim, siç theksoi Gashi, gjithashtu ka qenë një mundësi e shkëlqyer për të konfirmuar se aleanca jonë është edhe më e fortë përmes bashkëpunimit brenda NATO-s, ku vendet tona marrin pjesë aktive në misionet për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, si vlera të përbashkëta demokratike.
"Në kuadër të këtij angazhimi, ramë dakord që integrimi ynë në BE nuk është vetëm një aspiratë dhe nevojë për zhvillim të brendshëm, por një domosdoshmëri gjeopolitike, veçanërisht duke pasur parasysh tensionet dhe agresionin rus ndaj Ukrainës. Besoj se rruga jonë drejt BE-së është një instrument për sigurimin e stabilitetit dhe paqes në rajon. I shqyrtuam mundësitë për bashkëpunim në fusha të ndryshme si ekonomia, kultura dhe bashkëpunimi shumëpalësh. Ramë dakord që do të vazhdojmë të jemi partnerë besnikë në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Mbështetja e Kroacisë për Maqedoninë e Veriut, si në procesin e integrimit në BE ashtu edhe në çdo fushë tjetër, është vlerë e paçmueshme dhe një mësim kyç për ne", tha Gashi.
Kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, pas konferencës për media iu drejtua deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë. qa/
Foto: MIA