• e premte, 05 dhjetor 2025

Tripunovski: Ligji i ri për bujqësi dhe zhvillim rural është vendosur në RVNE, akreditimi nga IPARD 3 nuk rrezikohet

Tripunovski: Ligji i ri për bujqësi dhe zhvillim rural është vendosur në RVNE, akreditimi nga IPARD 3 nuk rrezikohet

Shkup, 22 maj 2025 (MIA) - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski sonte informoi se në Regjistrin e vetëm nacional elektronik (RVNE- ENER) është vendosur Ligji i ri për bujqësi dhe zhvillim rural i cili pritet të jetë themeli i projeksionit dhe vizionit të ministrisë për kahen në të cilin duhet ecur.

"Tashmë në Regjistër është vendos Ligji i ri për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Kjo është praktikisht baza, themeli i projeksionit dhe vizionit të një ministrie se në ç‘drejtim duhet të ecim. Në Ligjin punojmë me të gjitha palët në mënyrë transparente, të hapur, me shoqatat bujqësore, me shkencën. Pas këtyre 30 ditëve ku do të vendoset ligji do të ulemi përsëri dhe do të përmbledhim të gjitha idetë, do të organizojmë debate publike në mënyrë që ligji që miratojmë të jetë vërtet një projeksion se në ç‘drejtim duhet të ecim. Ky Ligj është themeli dhe përmban rregullimin e tregut, kategorinë e fermerëve dhe prioritetet strategjike të prodhimit bujqësor. Prandaj them që ky ligj do të jetë baza, por paralelisht me legjislacionin ekzistues punojmë në këto procese për t'i ndihmuar ata në mënyrë të vazhdueshme. Pak kohë më parë shpallëm thirrje përmes Programit për zhvillim rural ku do të subvencionojmë ose ndihmojmë me 90 për qind bashkëfinancim të kooperativave bujqësore. Edhe në Ligjin ekzistues tashmë i kemi përfshirë kooperativat si pjesë të saj. Thirrja po vijon tashmë dhe mendoj se interesi do të jetë shumë i lartë. Kemi siguruar burime financiare për të ndihmuar të gjithë ata që kërkojnë mbështetje", ka thënë Tripunovski në "Temën e ditës" në Televizionin Sitell.

I pyetur se pse policia pyjore kërkon dorëheqjen e tij, ministri theksoi se politika është e përfshirë midis përfaqësuesve që drejtojnë sindikatën e këtij institucioni. Tripunoski përmendi projektet dhe aktivitetet që ka ndërmarrë për të përmirësuar situatën e nëpunësve të policisë pyjore.

Lidhur me akuzat e opozitës se është në pikëpyetje akreditimi për fondet evropiane nga IPARD 3, Tripunovski theksoi se akreditimi nuk rrezikohet dhe se punojnë për akreditimin e një mase të re.

Ai tha rritja prej 11 milionë eurosh në eksport gjatë tremujorit të parë tregon se bujqësia e vendit po ecën në drejtimin e duhur.

“Kemi një rritje serioze në krahasimin mes tremujorit të parë të vitit 2024 dhe tremujorit të parë të vitit 2025. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave në të gjitha segmentet e prodhimit bujqësor kemi rritje serioze në blerjen dhe shitjen e produkteve,” theksoi ministri Tripunovski.

Në sektorin e drithërave, tha ai, kemi rritje prej 42%, në prodhimin e perimeve 50%, në pemëtari dhe vreshtari 12%. Në blegtorinë, që përfshin bagëtinë, shpendët, vezët, qumështin dhe produktet e qumështit, shënojmë rritje nga 9% deri në 63%.

Ministri Tripunovski shtoi se tek kultura e bimëve industriale, ESHS ka dhënë një referencë negative për shkak se në tremujorin e parë të vitit të kaluar ishte realizuar grumbullimi i duhanit nga fushata e vitit 2023, pasi kishte pasur vonesa në procesin e grumbullimit. Ndërsa këtë vit, pjesa më e madhe e duhanit është blerë në tremujorin e fundit të vitit 2024, dhe kjo shkakton dallimin në krahasim. Megjithatë, edhe për duhanin, numrat tregojnë një rekord sa i përket plasmanit dhe hyrjes së valutës së huaj, janë grumbulluar mbi 24 milionë kilogramë duhan që kanë sjellë mbi 196 milionë euro për duhanprodhuesit.

“Sot kryeministri ndau një lajm të mirë, dhe ai është se kemi një rritje prej rreth 5% në eksportin total në sektorin bujqësor-ushqimor. Nëse shohim vetëm eksportin e frutave dhe perimeve, kemi rritje prej 14% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sa i përket duhanit, aty kemi rritje prej 35%. Në shifra të sakta, në tremujorin e parë të vitit 2024 eksporti ishte 152 milionë euro, ndërsa këtë vit ai kap vlerën prej 163 milionë euro. Pra, kemi një rritje prej 11 milionë eurosh,” nënvizoi ministri.

Ai theksoi se këto janë të dhëna vetëm për tremujorin e parë dhe shprehu pritshmëri që deri në fund të vitit, diferenca pozitive në krahasim me vitin e kaluar do të jetë nga 45 deri në 50 milionë euro.

Foto: printskrin nga video

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR