Ish kryeministri kanadez Zhan Kretien i dënoi idetë ekspansioniste të Trampit
- – Idenë e presidentit të porsazgjedhur Donald Tramp se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së e dënoi edhe ish kryeministri kanadez Zhan Kretien, i cili Trampin e porositi “të mendojë përsëri”.
- Post By Fitore Curri
- 13:50, 12 janar, 2025
Vankuvër, 12 janar 2025 (MIA) – Idenë e presidentit të porsazgjedhur Donald Tramp se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së e dënoi edhe ish kryeministri kanadez Zhan Kretien, i cili Trampin e porositi “të mendojë përsëri”.
Kretien, i cili ishte kryeministër i Kanadasë nga viti 1993 deri në vitin 2003, iu bashkëngjit zyrtarëve kanadezë të cilët thonë se komentet e Trampit më nuk janë tallje dhe mund t’i dëmtojnë marrëdhëniet mes të dyja vendeve.
“Kanadaja asnjëherë nuk do të pajtohej të bëhet pjesë e SHBA-së”, shkroi Kretien në shkrimin e publikuar në gazetat “Glloub” dhe “Mejll”.
Kretien shtoi se deklaratat e Trampit përfaqësojnë “ofendime plotësisht të papranueshme dhe kërcënime të papara për sovranitetin kanadez”.
“Donald Tramp, nga një plak në tjetrin, tund kokën! Çfarë ju bën të mendoni se kanadezët do të hiqnin dorë ndonjëherë nga vendi më i mirë në botë për t'u bashkuar me SHBA-në?” pyeti Kretien.
Trampi përdori retorikë ekspansioniste edhe ndaj aleatëve të tjerë amerikanë, duke thënë se kufijtë e SHBA-së duhet të zgjerohen në territorin danez Grenlandë, si dhe në Kanalin e Panamasë.
Përderisa shumë liderë evropianë ishin të matur në përgjigjet e tyre ndaj Trampit, kanadezët nuk përmbahen.
“Nëse mendoni se me kërcënimet dhe ofendimet do të na fitoni, me të vërtetë nuk dini asgjë për ne. Ndoshta dukemi të butë, por mos gaboni, jemi të fortë”, përfundoi Kretien. fc/
Fotografia: EPA