Inzagi: Interi ka orar më të ngarkuar se ekipet tjera, por ky nuk është justifikim për humbjen nga Milani
- Trajneri i Interit, Simone Inzagi e ka dhënë komentin e tij për humbjen nga Milani (0:3) në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë.
- Post By Melahat Baftija
- 13:03, 24 prill, 2025

Milano, 24 prill 2025 (MIA) - Trajneri i Interit, Simone Inzagi e ka dhënë komentin e tij për humbjen nga Milani (0:3) në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë.
"Duhet të vazhdojmë të ecim përpara. Ka lodhje edhe fizike edhe psikike, duhet të jemi më të fuqishëm nga e gjithë kjo. Ky rrugëtim na ka sjellë shumë gëzim, por edhe zhgënjime, si kjo mbrëmje. Është dashur të luajmë më mirë. Na ka munguar mprehtësia në të dyja zonat e penalltisë në momentet kyçe të ndeshjes. Lodhje? Ky nuk mund të jetë justifikim. Duhet të tregojmë koncentrim maksimal, ndërsa sot nuk e bëmë këtë. Çdo ekip përballet me lodhje. Kemi pasur orar më të ngarkuar nga të tjerët, por sërish ky nuk është arsyetim. Nëse nuk kaluam në finale, kjo do të thotë se nuk kemi bërë mjaftueshëm. Mbetet edhe një muaj dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me besim. Milani e meritoi këtë fitore dhe është e drejtë që është në finale. Do të përpiqemi të rehabilitohemi dhe të japim gjithçka nga vetja të dielën kundër Romës", deklaroi Inzagi për "Football Italia".
Në finalen e Kupës së Italisë, Milani do të përballet me fituesin nga ndeshja Bolonja - Empoli (3:0 ndeshja e parë). mb/
Foto: EPA