Hulumtim: Mbi 60 për qind e qytetarëve mbështesin qasje drejt BE-së, rënie prej 20 për qind e perceptimit për ndikimin e SHBA-së në krahasim me vitin e kaluar
- – Mbështetja e qytetarëve për anëtarësim drejt Bashkimit Evropian ruhet në nivelin prej 62 për qind. Më të përmbajtur janë të anketuarit më të rinj dhe më të moshuar, te të cilët është konstatuar pasiguria më e madhe. Perceptimi për ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shënon rënie të konsiderueshme te qytetarët tanë – për 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar – tregojnë të dhënat e Analizës së mendimit publik për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian në vitin 2024 në bazë të anketës nga tetori deri në dhjetor të vitit të kaluar.
- Post By Fitore Curri
- 13:52, 17 shkurt, 2025

Shkup, 17 shkurt 2025 (MIA) – Mbështetja e qytetarëve për anëtarësim drejt Bashkimit Evropian ruhet në nivelin prej 62 për qind. Më të përmbajtur janë të anketuarit më të rinj dhe më të moshuar, te të cilët është konstatuar pasiguria më e madhe. Perceptimi për ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shënon rënie të konsiderueshme te qytetarët tanë – për 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar – tregojnë të dhënat e Analizës së mendimit publik për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian në vitin 2024 në bazë të anketës nga tetori deri në dhjetor të vitit të kaluar.
Anketën e zbatoi Instituti i Demokracisë “Sociatas Civilis” – Shkup në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer” – Shkup, të cilët 11 vjet i ndjekin trendet dhe perceptimet e publikut lidhur me integrimin evropian.
Rezultatet tregojnë se BE-ja është perceptuar si partneri më i madh ekonomik, donator dhe aleat i vendit, rritet edhe perceptimi i qytetarëve se BE-ja ka ndikim të rëndësishëm si faktor i jashtëm. Të pyetur për prioritetet në politikën e jashtme, qytetarët e vendosën anëtarësimin drejt BE-së si prioritet i parë të cilin do të donin ta shihnin nga Qeveria.
Para prezantimit të të dhënave nga hulumtimi, Marko Troshanovski, kryetar i IDSCS, njoftoi se te të rinjtë është konstatuar “transparencë për qëndrime pozitive drejt Kinës”, ndërsa te më të moshuarit – për Rusinë.
“Këtë vit konstatojmë se mbështetja mbetet në 62 për qind. Rënia e qëndrueshme dhe e lehtë që kemi vërejtur për një dekadë po ndalet disi, që nuk do të thotë se në pamjen më të gjerë nuk do të vazhdojë. Megjithatë, mund të konstatojmë se shumica e qytetarëve ende e mbështesin Unionin dhe ai mbetet partneri më i dëshiruar. Ajo që është interesante është se të anketuarit më të rinj dhe më të moshuar janë më të përmbajtur për sa i përket mbështetjes së Bashkimit Evropian, ndër ta shohim pasiguri, pavendosmëri dhe hapje më të madhe ndaj qëndrimeve pozitive ndaj Kinës, tek të rinjtë dhe Rusisë, tek brezi më i vjetër. Kjo nuk është përqindje e konsiderueshme, por vlen të theksohet se ekziston”, deklaroi Troshanovski.
Sqaroi se edhe te të rinjtë prioritet mbetet anëtarësimi drejt Unionit, vetëm se përqindja e bashkëpunimit me Kinën dhe Rusinë “është pak më e madhe në krahasim me kategoritë e tjera të moshave”. Kjo nuk do të thotë, tha ai, se ekziston “kthim drejt Kinës” sepse çështja e Kinës për herë të parë ishte parashtruar në anketën e këtij viti dhe nuk ka, tha, disa trende krahasuese si ka qenë më parë dhe nuk ka analizë thelbësore për shkaqet.
Lidhur me të dhënat për qëndrimin e partive politike drejt procesit të integrimeve evropiane, te partitë e bllokut shqiptar, pa përjashtim, dhe te mbështetësit e LSDM-së”, tha Troshanovski, “ka nivel të lartë, gati koncensual të mbështetjes drejt BE-së”.
Në anketën e këtij viti është vërejtur rritje e mbështetjes së BE-së te mbështetësit e Qeverisë gjegjësisht të VMRO-DPMNE-së, që, tha Troshanovski, është gjithashtu fakt i rëndësishëm.
“Ajo që duket te VMRO-DPMNE është që ka rritje të konsiderueshme të mbështetësve të BE-së, edhe pse kjo është në nivel prej diç më shumë se gjysma e mbështetësve të VMRO-DPMNE-së. Të tjerët janë neutralë ose ndoshta kërkojnë alternativa të tjera ose ngjashëm”, shtoi kryetari i IDSCS.
Lidhur me përkatësinë etnike, bashkëqytetarët shqiptarë, siç tha, “janë më shumë gjegjësisht plotësisht qëndrojnë pas mbështetjes së BE-së”, përderisa “te popullata maqedonase ai numër është pak më shumë se gjysma”.
Lidhur me rënien e konsiderueshme prej 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar, në perceptimin për ndikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai vlerëson se është “ripozicionim edhe i publikut vizavi rrjedhave globale është që SHBA-ja ngadalë të largohet nga rajoni dhe zhvendoset në fronte të tjera gjeopolitike”.
I pyetur se si janë pritjet për perceptimin në të ardhmen, duke marrë parasysh këtë hulumtim është bërë para ndryshimit të pushtetit në SHBA, ai u përgjigj se ai perceptim “edhe më shumë do të rritet për ndikim të ulur ose interes të SHBA-së” duke pasur parasysh “doktrinën e re të politikës së jashtme amerikane e cila i largon Ballkanin, Evropën, dhe i lë vetë në një masë të madhe”.
“Prioriteti ynë strategjik, natyrisht, duhet të mbetet Bashkimi Evropian, duke kultivuar marrëdhëniet më të mira të mundshme me SHBA-në dhe këtu duhet të arrijmë një ekuilibër. Megjithatë, ne duhet të kemi një qasje shumë proaktive si shtet, duke kërkuar modalitete që do të zhbllokojnë procesin e zgjerimit bazuar në parime më objektive që nuk kërkojnë ndryshim të Kornizës Negociatore. Përkundrazi, kërkojnë vendosjen e standardeve nga Bashkimi Evropian për fazat e mëtutjeshme të negociatave, jo vetëm në rastin e Maqedonisë, por edhe për kandidatët tjerë”, deklaroi Troshanovski para prezantimit të të dhënave të anketës.
Daniel Braun, drejtor i Zyrës së Fondacionit “Konrad Adenauer” në Shkup, me të cilin IDSCS e zbatoi hulumtimin, deklaroi se të dhënat që i marrin me anketat çdo vit po ndryshojnë.
“Këtë vit, numrat që do të prezantojmë nuk ndryshojnë shumë nga viti i kaluar, por duke marrë parasysh analizat e mëparshme të rreth dhjetë viteve më parë, ka pasur ndryshime të caktuara në qëndrimin, sidomos te të rinjtë, se ku i përket ky vend në Bashkimin Evropian. Ne e dimë se cilat janë ato ndryshime, pse po ndodhin dhe janë kryesisht të rinjtë që janë këtu”, deklaroi Braun.
Sipas tij, prezantimi i të dhënave është në kohën e duhur dhe në kontekst me konferencën aktuale të sigurisë në Munih, dhe para së gjithash, tha, lidhur me partneritetet transatlantike “të cilat tani janë përsëri në pikëpyetje”.
“Megjithatë, Evropa duhet të njohë pikat saj të forta, por edhe kufizimet e saj. Politika e zgjerimit natyrisht që do të vështirësohet për shkak të rrethanave që po ndodhin, por, megjithatë, përgjegjësia e BE-së është të qëndrojë në tavolinë, siç po bëjnë SHBA dhe Rusia në momentin kur po zhvillohen negociatat për Ukrainën”, shtoi drejtori i Zyrës së Fondacionit “Konrad Adenauer” në Shkup. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s/ Prinstkrin