• e shtunë, 06 korrik 2024

Hezbollahu: Kushdo që mendon për luftë me ne do të pendohet

Hezbollahu: Kushdo që mendon për luftë me ne do të pendohet

Bejrut, 4 janar 2024 (MIA) - Nëse armiku fillon një luftë kundër Libanit, lufta jonë do të jetë pa kufij, kufizime, rregulla dhe kontrolle... Kushdo që mendon për luftë me ne do të pendohet sepse lufta me ne është shumë, shumë e shtrenjtë, tha Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hasan Nasralla.

Ai vlerësoi dje se vrasja izraelite e nënkryetarit të Hamasit në Bejrut është "një krim i madh dhe i rrezikshëm për të cilin ata nuk mund të heshtin".

Sulmin në Bejrutin jugor të martën në mbrëmje, ku u vra Saleh al-Aruri, zëvendësshef  i komitetit politik të Hamasit, Nasralla e përshkroi si ""agresion i dukshëm izraelit". Ai i shprehu ngushëllimet e tij Hamasit dhe tha se kjo vrasje nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

Nasralla kërcënoi se nuk do të kishte "kufizime" apo "rregulla" në luftën e tyre nëse Izraeli shkon në luftë kundër Libanit.

"Nëse armiku (Izraeli) mendon të bëjë luftë kundër Libanit, ne nuk do të ndjekim asnjë rregull," tha Nasralla në një fjalim të mbajtur përmes video lidhjes gjatë një mitingu për të shënuar përvjetorin e katërt të vrasjes së gjeneralit të fuqishëm iranian Kasem Sulejmani nga një dron amerikan në Irak në vitin 2020", raporton DPA.

Sulmi në periferinë jugore të Bejrutit, Dahieh, është sulmi i parë izraelit në Bejrut pas gati tre muajsh përleshje zjarri pothuajse të përditshme midis forcave izraelite dhe Hezbollahut në zonën kufitare. Izraeli e konsideron Al-Arurin organizatorin kryesor të sulmeve në Bregun Perëndimor. Ushtria izraelite nuk dëshironte të komentojë vrasjen e tij.

Nasralla tha se përgjigja "e shpejtë" e Hezbollahut më 8 tetor dhe bombardimet ndërkufitare që atëherë kishin parandaluar një bombardim më të gjerë izraelit të Libanit dhe tregoi se aftësia e Izraelit për të parandaluar sulme të tilla kishte "dështuar". Sulmet izraelite vranë më shumë se 120 luftëtarë të Hezbollahut dhe më shumë se 20 civilë. Të paktën nëntë ushtarë izraelitë u vranë në përleshje.

Ky ishte fjalimi i tretë i Nasrallas që nga 7 tetori. Nasralla njoftoi se do t'i drejtohet sërish publikut më 5 janar me më shumë detaje rreth veprimeve të Hezbollahut në jug. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR