Guardiola: Kemi pasur shumë probleme me lëndimet e lojtarëve kyç, por ende luftojmë
- Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola ka folur për media në prag të ndeshjes së nesërme mes “qytetarëve” dhe Brajtonit.
- Post By Fami Bajrami
- 19:13, 24 prill, 2024
Mançester, 24 prill 2024 (MIA) – Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola ka folur për media në prag të ndeshjes së nesërme mes “qytetarëve” dhe Brajtonit.
Kampionët kanë katër pikë më pak se lideri në Premier ligë (Arsenali), por kanë dy ndeshje më pak dhe mund të kthehen në krye nëse fitojnë këto ndeshje.
"Kemi pasur shumë probleme me dëmtimin e lojtarëve kyç, por jemi ende në lojë. Jemi në finalen e FA Kupës, kemi luajtur në fazën finale të Ligës së kampionëve dhe jemi në betejë për titull. Por ju mund të jeni në atë pozicion dhe të humbni të gjithë trofetë tuaj brenda një jave. Gjithsesi, skuadra jonë edhe këtë sezon performoi jashtëzakonisht mirë. Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe çdo gabim dhe hap prapa është i vështirë, por ne kemi qenë shumë herë në këtë pozicion dhe e dimë se për çfarë po luajmë", komentoi Guardiola.
Spanjolli zbuloi se Erling Haland do të mungojë në ndeshjen me Brajtonin.
"Erling Haland nuk është i gatshëm për nesër. Nuk është problem serioz, por ai nuk mund të luajë në këtë ndeshje", deklaroi trajneri dhe shtoi se Xhon Stouns dhe Fil Foden do të jenë të gatshëm për ndeshjen e nesërme.
Foto: arkivi