• e hënë, 23 dhjetor 2024

Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese pritet që të mërkurën ose të enjten të fillojë me punë

Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese pritet që të mërkurën ose të enjten të fillojë me punë

Shkup, 23 prill 2023 (MIA)- Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese pritet që të mërkurën ose të enjten të mbajë mbledhjen e parë, konfirmojnë për MIA-n nga Ministria e Drejtësisë.

Grupi i ekspertëve, siç kanë informuar nga Ministria e Drejtësisë do të jetë në përbërje të Sali Muratit - ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Margarita Caca Nikollovska - ish-gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, Bajram Pollozhani - ish - gjyqtar kushtetues dhe profesor i së Drejtës kushtetuese, Branko Naumovski- ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Jeton Shasivari - profesor në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), Ana Çupeska- profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë Justiniani i Parë”, Elena Mihajllova Stratillati - profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë Justiniani i Parë”, Besa Arifi - profesoreshë në Universitetin e EJL-së, Jagoda Mitrevska – profesoreshë në Universitetin Ndërkombëtar të Sllav dhe Marija Pandevska - profesoreshë në Institutin e Historisë nacionale.

Partitë për anëtarë të Grupit të punës kanë propozuar Cvetanka Ivanovën nga LSDM-ja, Arbër Ademi nga BDI-ja, Remzi Mehmedi nga Aleanca për Shqiptarët, Sonja Mirakovska nga PRSD-ja, Nano Ruzhin nga PLD-ja,  Hrista Najdanov nga RDM-ja, Temellko Risteski nga Partia e Pensionistëve, Rametulla Kuqi nga PDSH-ja,  Eran Kurtish nga Partia për Lëvizjen e Turqve dhe Bejxhan Iljas nga Partia Demokratike e Turqve.

Nga institucionet janë propozuar Aleksandar Spasov nga kabineti i presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dragan Tillev nga Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Shpend Sadiki nga Ministria e Punëve të Jashtme. 

Lista e grupit të punës do të plotësohet në periudhën vijuese edhe me anëtarë të tjerë të cilët do të japin kontributin e tyre në përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese. 

Ky trup punues është formuar nga Ministria e Drejtësisë, të cilës i është dhënë për detyrë nga Qeveria të përgatisë propozim-iniciativën e nevojës për ndryshime kushtetuese. Qeveria është propozuesi i ndryshimeve kushtetuese. Pasi që të përgatiten ndryshimet, propozimi do të kalojë nëpër të gjitha trupat punues në korniza të Kuvendit.

Paralelisht do të mbahen edhe diskutime publike në të cilat ekspertë, parti, organizata të shoqërisë civile dhe institucione të tjera do të mund t’i shprehin qëndrimet e tyre.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi sot se tema e ndryshimeve kushtetuese për VMRO-DPMNE-në është mbyllur.

“Pasi që ekspertë të duhur nuk pranuan të jenë anëtarë në grupin e punës që do t'i shkruajë amendamentet, Kovaçevski mblodhi njerëz që nuk janë as ekspertë, as edhe kanë përvojë në këtë fushë, prandaj kanë lidhje të dyshimta politike", thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja kanë ftuar Mickoskin të ndalojë me nënçmimin e profesorëve dhe të mbajë përgjegjësi morale sepse nuk merr pjesë në asnjë vendim shtetëror.

"Mickoski nuk ka marrë pjesë në asnjë vendim shtetëror, qëndron anësh dhe punon kundër BE-së. Propagandat e dështuara të VMRO-DPMNE-së dhe Të Majtës janë në dëm të shoqërisë dhe rrugës evropiane të vendit dhe LSDM-ja do t'i demaskojë çdo ditë", thonë në LSDM.

Për hapjen e Kushtetutës nevojitet që në Parlament të votojnë të paktën 80 deputetë.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR