• e shtunë, 23 nëntor 2024

Grubi: Këtë javë do ta kemi kandidatin presidencial të BDI-së

Grubi: Këtë javë do ta kemi kandidatin  presidencial të BDI-së

 Shkup, 19 shkurt 2024 (MIA)  - Bashkimi Demokratik për Integrim këtë javë do ta shpallë kandidatin presidenial. Përmenden disa emra si kandidatë të mundshëm. Ende nuk kemi marrë vendim. Ahmeti aq sa e di do të mbetet në përcaktimin e tij për mision,  e jo për funksion, deklaroi sonte ministri për Sistemi Politik dhe anëtar i BDI-së, Artan Grubi.

"Bindja e Ahmetit  shkon vështirë. E dini qëndrimin e tij: Unë jam misionar dhe nuk jam funksonar. Nuk jam në parti politike, as në politikë për të marrë funksion, por që misioni im të jetë i suksesshëm. Dhe para këtij argumenti, duhet  të gjithë  të tërhiqemi. Por, nëse pyet  ndonjë anëtar të BDI-së, cilindo votues të BDI-së, gjithsesi do të përcaktohet për Ali Ahmetin", tha Grubi në emisionin "360 gradë". 

 Theksoi se BDI-ja ende nuk ka mbajtur mbledhje për kandidatin presidencial, por se përmenden disa emra si  kandidatë të mundshëm,  duke filluar nga nënkryetarët, sekretarët, veteranët e partisë, ndërsa opsion janë edhe kandidatë që nuk janë anëtarë të BDI-së. 

Lidhur me raportimet në media se Bujar Osmani do të jetë kandidat për president i BDI-së, Grubi tha se ai do të ishte një kandidat i shkëlqyer, por se për këtë nuk është biseduar, as është vendosur në parti.   

 "Bashkimi Demokratik për Integrim ende nuk ka marrë vendim kush do të jetë kandidati i saj për president të shtetit, sepse  çështja nuk është diskutuar në organet e partisë. Bujar Osmani mund të jetë një kandidat i shkëlqyer. Por,  ai nuk po bën fushatë për kandidat presidencial, sepse  për këtë nuk është biseduar  e as  është marrë vendim në BDI. Por, së shpejti do të duhet të merret vendim, sepse më 23 shkurt fillon mbledhja e nënshkrimeve që  duhet të zgjasë deri më 8 mars. Ashtu që këtë javë do të  të zbulojmë se kush është kandidati i BDI-së dhe kush do të jetë fitues në bllokun shqiptar, me mundësi gjithashtu të kalojë  edhe në raundin e dytë", tha Grubi.

 Ai theksoi se para se Arben Taravari të pranonte ofertën e opozitës shqiptare që të kandidohet për president, kanë biseduar me të, por edhe indirekt me opozitën shqiptare, që të dalin me një kandidat të përbashkët që do të ishte jopartiak, gjegjësisht nuk do të ishte anëtar apo mbështetës i partive .

"Por, për fat të keq, ajo pjesë nga opozita shqiptare dhe Taravari kur u bashkuan, doli se do të garojnë me një kandidat tërësisht partiak, kryetar i një partie politike dhe ra gjithçka që e biseduam paraprakisht  - të mos ketë një kandidat të dytë shqiptar. Konsideruam se kjo është shumë e dëmshme në proceset në vend në lidhje me integrimet evropiane", tha Grubi. 

 Thotë se ende po mendojnë nëse do të dalin me lista të përbashkëta të kandidatëve me LSDM-në dhe thekson se nuk dëshiron të jetë pjesë e listave të kandidatëve.

"Për momentin, disponimi në BDI  është për bisedime me partnerët e tjerë të koalicionit, partinë e z. Hoxhës, Thaçit, Skender Rexhepi -  Zejdit dhe aktorë të tjerë shoqërorë, ndërsa me LSDM-në kemi pasur takim para dhjetë ditëve me kryetarin e LSDM-së, z. Kovaçevski, dhe mendoj se duhet të kemi një takim edhe këtë javë, gjegjësisht ditët që janë para nesh, të shohim çfarë rezultate tregojnë sondazhet e tyre, çfarë tregojnë sondazhet tona, të shohim cila është mënyra më e mirë për të vepruar", tha Grubi.

 Sipas tij, BDI-ja nuk shpreson në koalicion parazgjedhor me krahun e Ziadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët, ndërsa nëse BDI merr pjesë në mënyrë të pavarur në zgjedhje pret të fitojë 15 deri në 17 mandate të deputetëve.

Për përçarjen në Aleancën për Shqiptarët, thotë se lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski arriti ta ndajë partinë dhe se Taravari do të anohet  ndaj VMRO-DPMNE. 

Sipas tij, në zgjedhje do të dilnin rreth 200 mijë votues nga blloku shqiptar nga të cilët mbi 100 mijë do të votonin për BDI-në.

 I pyetur sa ka gjasa të formohet koalicion qeveritar me VMRO-DPMNE-në, Grubi nuk e përjashton mundësinë, por me kusht që paraprakisht të votohen ndryshimet kushtetuese.

 "Nëse VMRO-DPMNE i  voton ndryshimet kushtetuese para formimit të qeverisë, pse jo. Nëse është reformuar mjaftueshëm, nëse është me orientim evropian, nëse dëshmon se është gati të sakrifikojë nga të ashtuquajturin rejting të saj,   për të mirën e shtetit, siç bëri LSDM-ja në të kaluarën, atëherë - po, meriton një shans. Por nëse qëndron në qëndrimin se as para, as pas dhe as në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, atëherë çfarë do të kërkonte BDI-ja në një qeveri të tillë apo në një qeveri me partner që sheh zgjidhje alternative për BE-në. Në BDI nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për BE-në, NATO-n dhe miqësinë strategjike me SHBA-në", theksoi Grubi.

 Shton se BDI-ja po mendohet që pas zgjedhjeve të kërkohet fillimisht të votohen ndryshimet kushtetuese, e më pas të shkohet në formimin e qeverisë.

Eventualisht koalicionim  paszgjedhor i VMRO-DPMNE-së me bllokun opozitar shqiptar, sipas Grubit, do të thotë sërish izolim të shtetit. 

 I pyetur se pse nuk u votuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Grubi tha se përgjigja për këtë  të kërkohet te opozita.

 Foto: Printskrin

 

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR