Gil: BE-ja dëshiron marrëveshje me SHBA-në për tarifat, por është e përgatitur edhe për një përgjigje të fortë, të fuqishme dhe në kohë ndaj tyre
- Prioritet i Bashkimit Evropian është që përmes negociatave me SHBA-në të gjejë zgjidhje për tarifat në interes të të dyja palëve, gjë që do të forcojë marrëdhëniet e ndërsjella tregtare dhe ekonomike, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për siguri ekonomike, tregti, shërbime financiare dhe dogana, Olof Gill, në përgjigje të pyetjes nëse BE-ja është e befasuar nga paralajmërimi i Uashingtonit për vendosje të tarifave prej 25 për qind për importin e automjeteve.

Bruksel, 27 mars 2025 (MIA) - Prioritet i Bashkimit Evropian është që përmes negociatave me SHBA-në të gjejë zgjidhje për tarifat në interes të të dyja palëve, gjë që do të forcojë marrëdhëniet e ndërsjella tregtare dhe ekonomike, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për siguri ekonomike, tregti, shërbime financiare dhe dogana, Olof Gill, në përgjigje të pyetjes nëse BE-ja është e befasuar nga paralajmërimi i Uashingtonit për vendosje të tarifave prej 25 për qind për importin e automjeteve.
"Çështja nuk është nëse jemi të befasuar apo jo. Çështja është nëse jemi gati apo jo. Dhe përgjigja për këtë është po. Ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona ekonomike dhe, nëse është e nevojshme, do të japim një përgjigje të fortë, të përshtatshme, të fuqishme, të përshtatur mirë dhe në kohë ndaj çdo mase të padrejtë dhe kundërproduktive nga SHBA-ja", tha Gill.
Ai shtoi se BE-ja dëshiron të forcojë marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me SHBA-në, të cilat, siç tha, janë më të rëndësishmet në botë, por beson se masat e paralajmëruar amerikane po çojnë në një drejtim krejtësisht të gabuar.
"Ne nuk duam ta bëjmë këtë, nuk duam të kemi kundërmasa për importet në BE. Ne besojmë se nuk është e mirë për askënd, por përkundrazi shkakton dëm. Por ne jemi të përgatitur për një përgjigje të përshtatshme, të përshtatur mirë dhe në kohë ndaj çdo mase të vendosur në të ardhmen ndaj nesh", tha Gill.
Zëdhënësi shtoi se për momentin nuk mund të thotë se cilat do të jenë kundërmasat e BE-së dhe kur do të vendosen, por theksoi gjatë zgjedhjes së tyre, KE do të kujdeset që ato të kenë ndikim maksimal në SHBA dhe pasoja minimale në ekonominë evropiane. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s