• e enjte, 10 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Derisa Ukraina e shqyrton projekt-marrëveshjen për minerale të rralla, Moska negocion me Uashington për burimet minerale ruse

Derisa Ukraina e shqyrton projekt-marrëveshjen për minerale të rralla, Moska negocion me Uashington për burimet minerale ruse

Shkup, 31 mars 2025 (MIA) - Në muajt e fundit, vëmendja globale është përqendruar në mineralet e rralla dhe elementët e tjerë thelbësorë për industritë e teknologjisë së lartë, pasi presidenti amerikan Donald Tramp, kërkon të kundërshtojë dominimin e Kinës në këtë sektor. Pas negociatave të dështuara midis Uashingtonit dhe Kievit mbi mineralet e rralla ukrainase, presidenti rus Vladimir Putin i propozoi SHBA-së që të eksplorojnë së bashku depozitat ruse.

Derisa Ukraina nuk është e kënaqur me projekt-marrëveshjen e re amerikane për mineralet e rralla, Rusia ka njoftuar se ka nisur projekte të përbashkëta me SHBA-në për burimet e saj minerale.

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski deklaroi më 28 mars, pas marrjes së projekt-marrëveshjes së re amerikane, për të cilën tha se ishte "zgjeruar në mënyrë dramatike", se Kievi nuk do të pranonte asnjë marrëveshje për mineralet e rralla të tokës që do të rrezikonte integrimin në Bashkimin Evropian.

Tramp mbrëmë e paralajmëroi Zelenski që të mos e refuzojë marrëveshjen për minerale të rralla sepse mund të jetë "në telashe të mëdha".

"Unë shoh që ai (Zelenski) po përpiqet të tërhiqet nga marrëveshja e burimeve minerale. Dhe nëse e bën, ai do të jetë në telashe. Do të ketë probleme të mëdha, të mëdha...."Kemi rënë dakord për këtë, ndërsa tani ai (Zelenski) thotë se dëshiron të rinegociojë. Ai dëshiron që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s. Pra, ai nuk do të jetë kurrë anëtar i Aleancës dhe këtë e kupton. Kjo është arsyeja pse ai tani po kërkon rinegocim", tha Tramp.

Drejtori i Fondit rus për Investimeve Direkte, Kirill Dmitriev, deklaroi se Moska dhe Uashingtoni kanë filluar negociatat për projekte të përbashkëta në fushën e nxjerrjes së mineraleve të rralla dhe projekteve të tjera në Rusi.

Ai theksoi se disa kompani kanë treguar tashmë interes për projektet. Ai nuk i dha emrat e kompanive apo nuk dha detaje të mëtejshme.

"Izvestia" raportoi se bashkëpunimi mund të diskutohet më tej në raundin tjetër të bisedimeve ruso-amerikane, i cili mund të zhvillohet në mes të prillit në Arabinë Saudite. 

Me propozimin e fundit amerikan kërkohet që Kievi t'ia dërgojë Uashingtonit të gjitha të ardhurat nga një fond i përbashkët investimi, i cili do të kontrollonte burimet e Ukrainës, derisa Ukraina të kthejë ndihmat ushtarake amerikane me interes. Sipas draftit të fundit, Ukraina nuk do të ketë garanci sigurie dhe kërkohet të kontribuojë në fond me të ardhura nga burimet natyrore të menaxhuara nga kompanitë shtetërore dhe private.

Projekt-marrëveshja parashikon që Uashingtoni do të ketë përparësi në blerjen e burimeve dhe kthimin e të gjitha parave të dërguara në Ukrainë nga viti 2022, me një normë vjetore interesi prej katër për qind, përpara se Ukraina të fitojë akses në të ardhurat e fondit.

Fondi i përbashkët i investimeve do të menaxhohej nga Korporata amerikane për zhvillim bdërkombëtar dhe fondi do të kishte pesë anëtarë të bordit, tre prej të cilëve do të emëroheshin nga SHBA-ja dhe dy nga Ukraina. Fondet do të shkëmbeheshin me valutë të huaj dhe do të dërgoheshin jashtë vendit. mb/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR