• e mërkurë, 26 qershor 2024

Gashi e kushtëzon mbështetjen për ndryshimet kushtetuese me miratim të amandamentit për luftë kundër korrupsionit

Gashi e kushtëzon mbështetjen për ndryshimet kushtetuese me miratim të amandamentit për luftë kundër korrupsionit

Shkup, 15 shkurt 2023 (MIA) - Lideri i Alternativës, Afrim Gashi thotë se është pesimist se procesi i ndryshimeve kushtetuese do të zbatohet këtë vit.

Ai gjatë pjesëmarrjes mbrëmë në televizionin Alsat deklaroi se do t'i mbështesë ndryshimet kushtetuese nëse pranohet amandamenti i tyre për luftë kundër korrupsionit me të cilin parashihet të mos ketë vjetërsim të këtyre veprave penale.

Sipas tij, pyetja përsew Alternativa tashmë nuk është pjesë e Qeverisë, duhet t'i parashtrohet kryeministrit dhe partive të tjera të koalicionit.

"Ne theksuam se për ne është posaçërisht me rëndësi të jemi besnik ndaj marrëveshjes. Ne hymë në Qeveri në fund të vitit 2021 me marrëvehsje të publikuar dhe i mbetëm besnikë asaj marrëveshjeje dhe tërë rruga jonë politike në Qeveri gjatë vitit 2022 ishte e orientuar në funksion të realizimit të atyre pikave nga marrëveshja dhe në fund kryeministri vendosi të ndryshojë drejtim dhe ta ndërrojë alternativën me një partner tjetër", tha Gashi.

Konsideron se Kovaçevski dhe Ahmeti, krahas vetëvrasjes politike që e kryen, e vranë edhe të ardhmen evropiane të shtetit.

Lidhur me ish-bashkëpartiakun e tij, Skender Rexhepi-Zejd, Gashi u përgjigj se Rexhepi nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes për qeverisje.

"Në momentin kur hymë në Qeveri, edhe Kovaçevski edhe Zaev e dinin se bisedojmë me tre deputetë, ndërsa një deputet individualisht u mor vesh me Zaevin. Do të thotë, ajo pako dhe kjo marrëveshje është nënshkruar për tre deputetë. Ata e dinë mirë", shtoi Gashi.

Lidhur me zëvendësministrin e Kulturës, Daim Luçi, për të cilin konsideron se ende është anëtar i Alternativës, Gashi tha se nëse nuk shkarkohet atëherë qëndrimi i tij në Qeveri do të jetë edhe një konfirmim se ka ndonjë marrëveshje.

Si parti duhet të vendosim se çka do të bëjmë me njerëzit që largohen dhe nuk i respektojnë vendimet partiake sepse vendimi për tërheqje nga Qeveria dhe për dalje në opozitë është miratuar unanimisht në Kuvendin qendror. Do ta diskutojmë në parti hapin e ri dhe do të vendosim se çka do të bëjmë sepse është shkelje e vendimit të partisë", tha Gashi.

Në propozimin për rikonstruim të Qeverisë që kryeministri Dimitar Kovaçevski ia parashtroi Kuvendit, zëvendësministri Daim Luçi, i cili është zgjedhur me propozim të Alternativës, nuk është në listën për ndërrim. Në listë, të propozuar për shkarkim janë tre ministra dhe dy zëvendësministra nga radhët e partisë së Afrim Gashit.

Për hyrje në Qeveri në vitin 2021, sipas marrëvreshjes Gashi-Zaev, Alternativa mori tre vende të zëvendësministrave dhe pozita të drejtorëve në disa institucione në nivel qendror dhe lokal. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR