• e shtunë, 27 korrik 2024

“Fronti Evropian” akuzon për tentim që përmes KSHZ-së t’i merren një deri në dy mandate deputetësh

“Fronti Evropian” akuzon për tentim që përmes KSHZ-së t’i merren një deri në dy mandate deputetësh

Shkup, 13 maj 2024 (MIA) - Koalicioni "Fronti Evropian" i udhëhequr nga BDI sot në konferencën për media akuzoi se partitë politike maqedonase në koordinim me koalicionin "VLEN" duan që përmes KSHZ-së t'ia marrin një deri në dy mandate deputetësh "Frontit Evropian”.

"Aktorët politik në vend, në radhë të parë aktorët politik maqedonas në koordinim me ‘VLEN’-in po përpiqen me çdo kusht të ndikojnë tek KSHZ që ‘Frontit Evropian’ t'ia marrin një deri në dy mandate në mënyrë që 'Fronti Evropian' të mos jetë forca e dytë politike në Maqedoni. Kjo është vepër penale dhe 'Fronti Evropian' do të ndërmarrë të gjitha mjetet demokratike për të parandaluar keqpërdorime të tilla", deklaroi Skënder Rexhepi, kryetar i partisë “Lëvizja Populli” e cila është pjesë e “Frontit Evropian”.

Sipas Rexhepit, nuk ka logjikë që një parti që ka fituar në vendvotime të caktuara të paraqesë ankesa për ato vendvotime.

"Nuk ka logjikë, përveç nëse qëllimi i vetëm është që t’i pamundësohet 'Frontit Evropian' të jetë forca e dytë politike në vend, edhe pse legjitimitetin e ka marrë në rrugë demokratike", ka thënë Rexhepi.

Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) është duke vazhduar shqyrtimi i ankesave të parashtruara lidhur me rezultatet e zgjedhjeve. Deri në KSHZ janë iniciuar 27 ankesa ku nëntë janë të koalicionit “VLEN”, tetë nga VMRO-DPMNE, pesë nga LSDM dhe katër nga E Majta. 

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR