• e premte, 04 tetor 2024

Filkov - Kristof Le Rigoler: Franca përmes ekspertëve të saj do të na ndihmojë në procesin e reformave në gjyqësor

Filkov - Kristof Le Rigoler: Franca përmes ekspertëve të saj do të na ndihmojë në procesin e reformave në gjyqësor

Shkup, 3 tetor 2024 (MIA) - Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov sot ka realizuar takim me ambasadorin e Francës, Kristof Le Rigoler ku është biseduar për bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e gjyqësorit, projektet dhe agjendën e reformave.

Ambasadori Rigoler, siç kumtojnë nga Ministria e Drejtësisë, përshëndeti planet e ministrit Filkov për reforma dhe shprehu gatishmërinë e Francës për të ndihmuar në gjitha proceset me asistencë të ndryshme, duke përfshirë asistencën e ekspertëve, me qëllim të përgatitjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në këtë drejtim, ministri Filkov informoi se nga 16.09.2024 ka filluar angazhimi i ekspertes franceze, Sesilia Maronie e cila ka përvojë të gjerë në fushën e gjyqësorit. Nga ana jonë, thuhet në kumtesë, janë siguruar të gjitha parakushtet për të mundësuar funksionimin normal të saj. 

"Si veçanërisht i rëndësishëm është theksuar bashkëpunimi me gjyqtarin për lidhje që është në Beograd dhe atasheun për siguri të brendshme në Shkup të cilët me aktivitetet e tyre ndihmojnë në realizimin e reformave", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.

Në takim u diskutua edhe për agjendën juridiko-ligjvënëse të Ministrisë së Drejtësisë, paralajmërimet për fillimin e debateve publike për Propozim-ndryshimet në ligjet për Këshillin gjyqësor dhe Prokurorinë publike si dhe për Strategjinë zhvillimore sektoriale për gjyqësorin (2024- 2028).

Filkov dhe Rigoler u zotuan për thellimin e bashkëpunimit në periudhën e ardhshme dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. rq/

Foto: Ministria e Drejtësisë

 

QËNDRONI TË LIDHUR