• e enjte, 20 qershor 2024

Fakulteti i Arteve i UT-së e përmbylli vitin akademik 2023/24 me disa veprimtari kulturore-artistike

Fakulteti i Arteve i UT-së e përmbylli vitin akademik 2023/24 me disa veprimtari kulturore-artistike

Tetovë, 11 qershor 2024 (MIA) - Fakulteti i Arteve më 10 qershor 2024 e përmbylli vitin akademik 2023/24 me aktivitetet tradicionale si hapja e ekspozitës vjetore të studentëve të programit studimor Art Figurativ, koncerti i studentëve të programit studimor Art Muzikor dhe shfaqja e diplomës “Qentë e rezervuarit” nga studentët e programit studimor Arte Dramatike dhe Audiovizuele që është bashkëprodhim mes Universitetit të Tetovës dhe Teatrit të Tetovës.

Me rastin e organizimit të aktiviteteve që përkojnë me vitin jubilar, 30-vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës gjatë fjalës së hapjes së ekspozitës nga dekani i Fakultetit të Arteve Prof. Ord. Senad Abduli dhe shefi i programit studimor Art Figurativ Prof. Ord. Bashkim Mexhiti u përurua edhe murali “Arti do ta shpëtojë botën”, realizuar nga dy studente të drejtimit të pikturës Azra Tairi dhe Gentiana Hasani. Hapja e ekspozitës dhe përurimi i muralit u moderua nga prodekania për arsim Prof. Inord. Jëlldëz Asani. Për angazhimin e tyre në realizimin e këtij murali, studentëve në fjalë Rektori Prof. Dr. Jusuf Zjeneli dhe Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti u ndanë mirënjohje. Po ashtu drejtuesit e Universitetit ishin të pranishëm në të gjitha aktivitetet e ditës së djeshme.

Dekani në fjalën e tij vlerësoi punën e dekanatit, stafit të profesorëve, studentëve si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Rektoratit ndaj procesit mësimor dhe aktiviteteve të ndryshme të realizuara gjatë këtij viti nga Fakulteti i Arteve.

Me këtë rast, u ndanë dhe dy mirënjohje për dy studentë të dalluar të gjeneratës sipas notës mesatare, respektivisht për studentët Ensar Fetahu dhe Armina Samahodaj nga dekani Prof. Ord. Senad Abduli dhe prodekania për shkencë Prof. Ord. Nora Halimi.

Ekspozita vjetore shpalosi punën e përzgjedhur të të gjithë studentëve dhe profesorëve të të gjitha drejtimeve siç është dizajni grafik, piktura, skulptura, grafika dhe drejtimi pedagogjik.

Më pas, vijoi koncerti i programit studimor Art Muzikor me interpretime muzikore të studentëve të këtij programi të shoqëruar edhe nga profesorët e tyre. Në fjalën e tij përshëndetëse, shefi i programit Prof. Ord. Bajramali Idrizi shprehu falënderim për punën e palodhur të profesorëve dhe studentëve si dhe për pjesëmarrjen e dashamirëve të artit në koncert.

Dita u përmbyll me sukses nga shfaqja e diplomës “Qentë e rezervuarit” në Teatrin e Tetovës nga studentët e aktrimit në regji të profesorit dhe njëherit edhe shefit të programit studimor Arte Dramatike dhe Audiovizuele, Prof. Inord. Kushtrim Bekteshi. Shfaqja u duartrokit dhe u vlerësua maksimalisht nga të pranishmit në sallë.

QËNDRONI TË LIDHUR