Takimi Gashi - Stefançuk në Samitin e Tretë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë në Rigë
- Në margjinat e Samitit të tretë parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot realizoi takim dypalësh me homologun e tij, kryetarin e Radës Supreme të Ukrainës, Rusllan Stefançuk. Në takim mori pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.
- Post By Sara Ademi
- 18:02, 23 tetor, 2024
Shkup, 23 tetor 2024 (MIA) - Në margjinat e Samitit të tretë parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot realizoi takim dypalësh me homologun e tij, kryetarin e Radës Supreme të Ukrainës, Rusllan Stefançuk. Në takim mori pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.
Siç njoftoi shërbimi për media i Kuvendit, Gashi theksoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut për të tretën herë përfaqësohet në nivelet më të larta të samiteve parlamentare të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë, që, theksoi ai, "është një tregues i qartë i përkushtimit tonë ndaj këtij forumi, si dhe mbështetja e vendosur për Ukrainën, në çdo fushë".
"Bashkëpunimi ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Radës Supreme të Ukrainës, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh, në kuadër të asambleve parlamentare ndërkombëtare, ka shënuar progres të dukshëm në vitet e fundit. Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë kanë aktivitetet e shumta të grupeve parlamentare për bashkëpunim dhe miqësi nga të dy parlamentet. Në vitin 2021, Delegacioni i Grupit të Miqësisë Ukrainë-Maqedonia e Veriut ishte delegacioni i parë i huaj që vizitoi Kuvendin tonë pas pandemisë. Gashi theksoi mbështetjen dhe solidaritetin e qartë dhe të vendosur për Ukrainën, institucionet ukrainase dhe popullin ukrainas në agresionin ushtarak brutal, të pajustifikuar dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe në luftën kundër agresorit, që në të njëjtën kohë paraqet luftë për vlerat demokratike dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar" citohet në kumtesë.
Kryetari i Radës Supreme të Ukrainës, Rusllan Stefançuk, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në çdo nivel dhe format që vendi ynë ia jep Ukrainës.
"Të gjithë bëjnë thirrje që kjo luftë të përfundojë, por është gjithashtu e rëndësishme se si do të përfundojë lufta. Kryetari Stefançuk theksoi se Ukraina aktualisht gjithnjë e më shumë ka nevojë për mbështetës dhe folës me zë të lartë në të gjitha forumet ndërkombëtare, veçanërisht në vendet anëtare të NATO-s. Bashkëbiseduesit iu referuan edhe faktit se Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare dhe anëtare e NATO-s, bashkë-sponsoroi rezoluta dhe nisma të shumta në lidhje me Ukrainën, si dhe mbështeti vendimin për pezullimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës, ndërsa më 31 janar të këtij viti, Maqedonia e Veriut zyrtarisht iu bashkua "Koalicionit Ndërkombëtar për Lehtësimin e Kthimit të Fëmijëve ukrainas të Deportuar ose të Zhvendosur me forcë nga territoret e okupuara përkohësisht të Ukrainës" dhe shprehu mbështetjen e plotë për "Formulën e Paqes" të presidentit Zelenski", informon Kuvendi.
Samiti i tretë Parlamentar i Platformës Ndërkombëtare të Krimesë mbahet në Rigë, Republika e Letonisë, më 23 dhe 24 tetor 2024.
"Kryetari i Kuvendit, Gashi, njëherit edhe kryetar i Grupit Parlamentar Ndërpartiak për Mbështetje të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë, do të mbajë fjalim para pjesëmarrësve të Samitit, ndërsa në delegacion është edhe Sekretarja e Përgjithshme Marina Dimovska. Samiti inaugurues i Platformës së Krimesë u mbajt në Kiev më 23 gusht 2021 në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive. Samiti i parë i Dimensionit Parlamentar të Platformës së Krimesë u mbajt në vitin 2022 në Zagreb, ndërsa Samiti i Dytë në vitin 2023 në Pragë", thuhet në kumtesë. sa/
Foto: Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut