Fabregas i kërkoi falje Alegrit për incidentin në fund të ndeshjes me Milanin
- Trajneri i Komos, Sesk Fabregas, i kërkoi falje trajnerit të Milanit, Masimiliano Alegri për debatin në fund të ndeshjes pas barazimit mbrëmë 1:1 në kuadër të xhiros së 24-të në Seria A.
- Post By Besnik Shuki
- 09:56, 19 shkurt, 2026
Milano, 19 shkurt 2026 (MIA) - Trajneri i Komos, Sesk Fabregas, i kërkoi falje trajnerit të Milanit, Masimiliano Alegri për debatin në fund të ndeshjes pas barazimit mbrëmë 1:1 në kuadër të xhiros së 24-të në Seria A.
Dy trajnerët e filluan konfliktin pasi Fabregasi gjatë një aksioni të ekipit të tij, për një moment ndali një futbollist të "rosonerëve" afër vijës anësore, duke e penguar të kthehet shpejtë në fushë.
"Kërkoj ndjesë që bëra diçka të pakëndshme. Siç tha Kivu, duhet t'i mbash duart në shtëpi. Shpresoj të mos e bëj më kurrë. I kërkova falje Alegrit dhe do ta bëj përsëri, por komenti i tij ishte i tepruar. Edhe pse bëra gabim, ishte një hollësirë e vogël. I kërkova falje edhe Menjonit dhe Modriqit dhe shpresoj që diçka e tillë të mos ndodhë më në karrierën time. Jam shumë krenar pasi zhvilluam një ndeshje të rëndësishme, të cilën mund ta përsërisim të shtunën kundër Juventusit. Kemi një tjetër ndeshje të rëndësishme para nesh pas 64 orëve dhe duhet të qëndrojmë të përqendruar. Ishte e rëndësishme të luanim një ndeshje si kjo, veçanërisht pas humbjes kundër Fiorentinës", tha Fabregas pas ndeshjes në Milano. bsh/
Foto: EPA