• e enjte, 04 korrik 2024

"Edukimi dhe fuqizim i grave" - projekt i ri i Ambasadës së Sllovenisë dhe i Odës së Zejtarëve për trajnim të furrtarëve dhe pastiçerëve

Shkup, 2 korrik 2024 (MIA) - Oda e Zejtarëve të Maqedonisë së Veriut bashkë me Ambasadën e Republikës së Sllovenisë sot në Shkup e promovuan projektin "Edukimi dhe fuqizimi ekonomik i grave”, i cili ka për qëllim trajnimin e mbi 50 personave, kryesisht të femrave për profesione për të cilat ekziston deficit i tregut të punës në vend.

Kryetari i Odës së Zejtarëve të Maqedonisë së Veriut, Agron Fazliji deklaroi se fillimi i këtij projekti të ri me Ambasadën e Sllovenisë është në drejtim të arsimimit dhe arsimimit të mëtejshëm, para së gjithash, të grave të papuna, por mund të paraqiten edhe burra, për profesionet furrtar, pastiçier me qëllim krijimin e fuqisë më cilësore të punës e cila mungon në tregun e punës. Pas trajnimit gjashtëmujor dhe arsimimit të mëtejshëm pjesëmarrësit në trajnim do të marrin certifikata me të cilat do të mund të themelojnë veprimtari përkatëse. 

"Besoj se me trajnimin do të krijojmë të paktën 50 gra profesioniste të cilat do të jenë ekonomikisht të pavarura në veprimtaritë e tyre dhe do të përparojnë në shtetin tonë", tha Fazliji.

Ambasadori slloven Gregor Presker deklaroi se bashkëpunimi vijon në nismë të dyanshme edhe nga Ambasada edhe nga Oda e Zejtarëve.

"Është shumë e rëndësishme për ne që kemi shumë projekte zhvillimore në Maqedoninë e Veriut për të ndihmuar grupet më të ndjeshme në vendin tuaj. Me këtë projekt të veçantë ne po fusim një lloj risie në tregun tuaj të punës duke trajnuar gratë, por edhe burrat, në prodhimin e ushqimit pa gluten, gjë që do ta bëjë më të lehtë për ata që marrin pjesë në projekt të fillojnë biznesin e tyre, për të punësuar njerëz të tjerë dhe për të zhvilluar ekonominë e vendit tuaj", thotë Presker.

Ai thekson se projekti i promovuar sot është një nga gjithsej tre projektet që Ambasada po i realizon në bashkëpunim me institucionet në vend. Presker tregoi se për të dytin vit radhazi vazhdon të realizohet projekti me OJQ-në "Mirë se erdhe– Qendrën Uellkom", i destinuar edhe për trajnimin e grave në qepje, qëndisje dhe thurje, i cili këtë vit do të përfshijë njëqind gra. Projekti i tretë i referohet bletarisë, për promovimin e grave në këtë aktivitet, për prodhimin e mjaltit bio.

I pyetur për situatën me punësimin e grave në vendin e tyre, Presker thotë se në Slloveni papunësia është katër për qind dhe problemi është që mungon fuqi pune, prandaj është e nevojshme që të importohet. Kështu, thotë, shumë njerëz nga rajoni duke përfshirë edhe nga Maqedonia e Veriut punojnë në Slloveni.

Vlera e projektit "Edukimi dhe fuqizimi ekonomik i grave" është 26.000 euro, ndërsa me të duhet të përfshihen mbi 50 persona në Shkup si dhe në mjediset rurale ku mungon një lloj i tillë i fuqisë së punës, ndërsa ku Oda e Zejtarëve ka degët e saja rajonale. Trajnimin do ta zbatojnë profesorë nga shkolla të mesme profesionale nga vendi. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR