• e hënë, 23 dhjetor 2024

Edshtadler propozon që vendet kandidate tani të jenë në tryezën e BE-së, por pa të drejtë vote

Edshtadler propozon që vendet kandidate tani të jenë në tryezën e BE-së, por pa të drejtë vote

Vjenë, 30 gusht 2023 (MIA) - Ministrja austriake për Evropë, Karoline Edshtadler, sot deklaroi se vendi i saj angazohet për integrim të vendeve-kandidate në Bashkimit Evropian në faza, ashtu që madje edhe para anëtarësimit formal, do t'u lejohet "të ulen në tryezën e BE-së" dhe të marrin pjesë në dialog, edhe pse pa të drejtë vote.

Në intervistë për radion shtetërore austriake, Edshtadler tha se tani është koha e duhur për ndryshimin e tillë në procesin e zgjerimit të BE-së. Ajo përkujtoi se ajo edhe shefi i diplomacisë austriake, Aleksandar Shalenberg edhe më herët kanë shprehur ide të tillë, por kanë vlerësuar se tani është koha që të zbatohet.

"Jetojmë në kohë shumë sfiduese, përjetojmë luftë në tokë evropiane. Kur, nëse jo tani, është momenti që të reformohet procesi i zgjerimit të BE-së. Është koha për ide të mëdha dhe të kuptohet se popullata duhet të jetë pjesë e saj", tha Edshtadler.

Qëllimi i integrimit evropian, tha ajo, mbetet anëtarësimi i plotëfuqishëm, por kjo është rrugë e gjatë me "reforma të dhimbshme".

"Nuk mund të presim që kjo të ndodh gjatë natës", tha ministrja, duke vlerësuar se integrimi gradual do të jetë edhe shpërblim për punën e mundimshme që duhet ta bëjnë vendet kandidate.

Integrimi gradual i vendeve kandidate, duke përfshirë edhe Moldavinë dhe Ukrainën, do t'i detyrojë të ndjehen se tani marrin pjesë në krijimin e politikës evropiane, edhe pse ende nuk kanë të drejtë vote", tha Edshtadler.

E pyetur se si kjo mund të duket në praktikë, ajo tha se negociatat me BE-në janë proces formal, që po zhvillohet në klastere.

"Kur një vend mbyll klaster, për shembull në sferën e shkencës dhe arsimit, duhet t'i lejohet të merr pjesë në diskutime në atë temë në BE", sqaroi Edshtadler.

Ajo shtoi se sipas përvojës së saj, në vitin 2020 dhe 2021, shumë pak liderë të BE-së me të vërtetë e kanë përkrahur zgjerimin, por se sot kjo është "punë e mençur" për shumicën për shkak të ndikimit të rritur të Rusisë dhe Kinës. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR