KE: Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për anëtarësim në BE, por nevojiten reforma thelbësore dhe përparim në ndryshimet kushtetuese
- Maqedonia e Veriut ka theksuar në mënyrë të përsëritur përkushtimin e saj politik ndaj qëllimit strategjik të integrimit në BE, si dhe ambicien e saj për të vazhduar në procesin e bisedimeve aderuese, thuhet në raportin vjetor të Komisionit Evropian për përparimin e vendit në rrugën evropiane, të publikuar sot.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 18:10, 30 tetor, 2024
Bruksel, 30 tetor 2024 (MIA) - Maqedonia e Veriut ka theksuar në mënyrë të përsëritur përkushtimin e saj politik ndaj qëllimit strategjik të integrimit në BE, si dhe ambicien e saj për të vazhduar në procesin e bisedimeve aderuese, thuhet në raportin vjetor të Komisionit Evropian për përparimin e vendit në rrugën evropiane, të publikuar sot.
"Pas Konferencës së parë ndërqeveritare për bisedimet e aderimit më 19 korrik të vitit 2022, skrining sesionet për të gjashtë klasteret përfunduan më 7 dhjetor të vitit 2023. Maqedonia e Veriut vazhdoi të zbatojë Marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe u mbajtën takime të organeve të përbashkëta në përputhje me marrëveshjen", thuhet në dokumentin.
Në raportin bëhet e ditur se vendi duhet të zbatojë reforma thelbësore në lidhje me anëtarësimin në BE, të mbajë marrëdhënie të mira me vendet e tjera të përfshira nga procesi i zgjerimit, si dhe të vazhdojë angazhimin e tij në iniciativat rajonale.
"Marrëveshjet ekzistuese bilaterale me vendet fqinje duhet të zbatohen në mirëbesim nga të gjitha palët, duke përfshirë Marrëveshjen e Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë", thuhet në raportin.
Në tekstin theksohet se pavarësisht përpjekjeve, deri më tani nuk është arritur përparim në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat vendi është zotuar t'i iniciojë dhe zbatojë, në mënyrë që të përfshihen në Kushtetutë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët, siç thuhet në Konkluzionet e Këshillit të BE-së të 18 korrikut të vitit 2022.
"Institucionet përgjegjëse për procesin e integrimit janë vendosur. Qeveria e re formoi Ministrinë e Çështjeve Evropiane, e cila zëvendësoi Sekretariatin për Çështjet Evropiane. Pas përfundimit të suksesshëm të procesit të skriningut, Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë të forcojë strukturat e saj negociuese me BE-në dhe të arrijë koordinim të shëndoshë midis ministrive dhe institucioneve të resorit, duke zhvilluar njëherësh ekspertizën në lidhje me të drejtën e BE-së në administratën publike. Nevojiten hapa të përhershëm dhe vendimtarë për të përshpejtuar implementimin e reformave në BE-së dhe për të ecur përpara në procesin e bisedimeve për aderim në BE. Bashkëpunimi ndërpartiak mbetet me rëndësi vitale në këtë aspekt", theksohet në Raportin.
Në Dokumentin theksohet se vendi mbetet plotësisht në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë edhe në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës, duke dërguar sinjal të qartë në lidhje me zgjedhjen e tij strategjike për t'u bashkuar me BE-në dhe duke dëshmuar edhe një herë se është partner i besueshëm.
"Në vitin 2023, Maqedonia e Veriut luajti rol aktiv në kontekstin kompleks gjeopolitik gjatë mandatit të saj si kryesuese e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)", potencon KE-ja.
Raporti gjithashtu thekson se vendi është angazhuar në mënyrë aktive në zbatimin e Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor përmes katër shtyllave të tij - integrimi gradual në tregun e vetëm të BE-së, integrimi ekonomik rajonal, reformat themelore dhe rritja e mbështetjes financiare.
"Agjenda e saj reformuese përfshin angazhimet për reforma në fushat e qeverisjes, reformës së administratës publike dhe menaxhimit të financave publike, pastaj tranzicionin e gjelbër dhe digjital, kapitalin njerëzor, zhvillimin e sektorit privat dhe mjedisit të përshtatshëm afarist, si dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe sundimin e ligjit", theksohet në raportin, duke shtuar se sivjet vendi është përfshirë për herë të parë në Raportin e BE-së për sundimin e së drejtës.
Në dokumentin bëhet e ditur se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të zhvilluara këtë vit ishin "përgjithësisht të kënaqshme", ishin konkurruese dhe në to janë respektuar liritë themelore, ndërsa legjislacioni zgjedhor siguron kornizë të përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike.
"Megjithatë, është arritur progres në zbatimin e rekomandimeve të Zyrës së Institucioneve Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut të OSBE-së (OSBE/ODIHR) dhe Komisionit të Venecias. Maqedonia e Veriut duhet të zbatojë rekomandimet shpejt dhe shumë kohë para zgjedhjeve të ardhshme, thuhet në tekstin.
Lidhur me Kuvendin, theksohet se ai ushtron kompetencat e tij në një mënyrë kryesisht të kënaqshme, por se polarizimi politik në të vazhdon dhe miratimi i reformave të rëndësishme dhe disa emërimeve janë shtyrë... Kuvendi duhet të planifikojë dhe të miratojë me kujdes axhendën e tij dhe të kufizojë përdorimin e procedurave të shpejta legjislative ose përdorimin e papërshtatshëm të procedurës së "flamurit evropian", e cila ka qenë praktikë deri më tani, theksohet në tekstin dhe shtohet se bashkëpunimi ndërpartiak është thelbësor për të përshpejtuar zbatimin e reformave të lidhura me BE-në në interes të qytetarëve.
Komisioni bën të ditur se nevojitet reformë e vetëqeverisjes lokale dhe se "duhet të rifillojë dialogu midis niveleve të ndryshme të qeverisjes".
"Marrëdhëniet ndëretnike mbetën të qëndrueshme dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit vazhdoi të zbatohet. Organizatat e shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut veprojnë në mjedis që mundëson funksionimin e tyre. Megjithatë, Qeveria duhet të shtojë përpjekjet e saj për të përfshirë shoqërinë civile në fushat prioritare dhe në aktivitetet konsultative. Kornizat ekzistuese ligjore dhe financiare ende duhet të ndryshohen dhe zbatohen, veçanërisht për të siguruar mekanizma të qëndrueshëm për sigurimin e financimit publik transparent për organizatat e shoqërisë civile", thekson KE-ja.
Sa i përket reformës së administratës publike, vlerësohet se vendi mbetet mesatarisht i përgatitur dhe është bërë përparim i kufizuar gjatë periudhës raportuese, veçanërisht me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Organizimin Shtetëror, të cilat sollën përmirësime duke sqaruar përgjegjësitë, vendosja e vlerësimeve të ndikimit për formimin e organeve të reja shtetërore dhe uljen e numrit të përdoruesve primarë të buxhetit.
"Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk u zbatuan plotësisht dhe për këtë arsye në masë të madhe mbeten të vlefshme", thuhet në raportin.
Lidhur me jurisprudencën, bëhet e ditur se vendi është “midis një niveli të caktuar dhe të moderuar të përgatitjes” për zbatimin e ligjit të BE-së dhe standardeve evropiane në këtë fushë dhe se ata në përgjithësi kanë bërë përparim të kufizuar në forcimin e pavarësisë gjyqësore dhe përmirësimin e kornizës ligjore për mbrojtjen e të drejtave themelore.
"Paralajmërimet e Qeverisë së re për planet e “shpërbërjes” së Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë janë shqetësuese, pasi aktivitete të tilla do të dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit. Deficiti në rritje i burimeve njerëzore në gjyqësor ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë", thuhet në raportin.
Në fushën e gjyqësorit, theksohet se duhet të miratohet Ligj i ri për procedurën gjyqësore, në përputhje me standardet evropiane dhe duhet të fillojë zbatimi i strategjisë së re për reformat në gjyqësor, të forcohet Këshilli Gjyqësor dhe sistemi AKMIS duhet të jetë plotësisht funksional dhe në përputhje me nivelin e kompleksitetit të çështjeve gjyqësore.
"Maqedonia e Veriut është ndërmjet një niveli të caktuar të përgatitjes dhe një niveli të moderuar të përgatitjes dhe nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze, thuhet në tekst, duke theksuar se Qeveria aktuale ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit është përparësia e saj.
Sipas KE, korniza institucional për luftën kundër korrupsionit është vendosur dhe është e kënaqshme për sa i përket masave parandaluese, megjithatë duhet të përmirësohet zbatimi i ligjeve.
"Ndryshimet në Kodin Penal të shtatorit të vitit 2023 dobësuan kornizën ligjore, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në rastet e nivelit të lartë. Shumë raste aktuale u ndërprenë ose për shkak të vjetërsisë ose për shkak të shkeljeve konkrete, të tilla si shpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë furnizimeve publike, nuk ekzistojnë më, shtohet në raportin.
Komisioni rekomandon se duhet të miratohet Kod i ri penal në përputhje me ligjin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare, për të përmirësuar zbatimin e strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave dhe për të siguruar burime njerëzore dhe financiare për Prokurorinë Themelore Publike për Krimin e Organizuar, si dhe për të përmirësuar verifikimin e listave të pasurive të zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar dhe mbikëqyrjen mbi financimin e fushatës zgjedhore.
Raporti vlerëson se korniza ligjore për mbrojtjen e të drejtave themelore është pjesërisht në përputhje me të drejtën e BE-së dhe standardet evropiane dhe se vendi vazhdon të përmbushë detyrimet e tij të përgjithshme për të respektuar të drejtat themelore, por legjislacioni duhet të zbatohet në mënyrë sistematike.
Në këtë pjesë të Raportit theksohet se vendi duhet t'i kushtojë vëmendje të veçantë kushteve të vështira në burgje, të ndajë burime të mjaftueshme për Zyrën e Avokatit të Popullit dhe Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe të sigurojë mbështetje adekuate për kategoritë e rrezikuar të fëmijëve, veçanërisht fëmijëve viktima të dhunës, fëmijëve romë dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara.
"Maqedonia e Veriut është ndërmjet një niveli të caktuar të përgatitjes dhe një niveli të moderuar të përgatitjes për lirinë e shprehjes dhe ka përparim të kufizuar në këtë fushë", thuhet në dokument, dhe rekomandohet të vazhdohet harmonizimi i kornizës ligjore që rregullon mediat me ligjin e BE-së dhe standardet evropiane, në veçanti duke vendosur rregulla për transparencë të plotë në pronësinë dhe reklamimin e mediave, konkurrencën dhe ndihmën shtetërore dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, për të zbatuar strategjinë për reformimin e Shërbimit të Transmetimit Publik dhe për të vazhduar trajtimin e të gjitha kërcënimeve dhe akteve të dhunës ndaj gazetarëve dhe për të siguruar që autorët të sillen para drejtësisë", bëhet e ditur në dokumentin.
Në Raportin, mes tjerash jepen vlerësime edhe për funksionimin e ekonomisë së tregut, gjendjen e furnizimeve publike, statistikat dhe kontrollin financiar, tregun e brendshëm, lëvizjen e lirë të mallrave dhe punëtorëve, pronësinë intelektuale, konkurrentësinë, shërbimet financiare, mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, si dhe transformimin digjital.
Politika ekonomike, monetare dhe sociale, arsimi, kultura, shkenca dhe hulumtimi shkencor, axhenda e gjelbër, transporti, energjia, mjedisi dhe ndryshimet klimatike, burimet natyrore, bujqësia dhe kohezioni.
Në pjesën e fundit të Raportit, rikujtohet se vendi është përfshirë në Procesin e Stabilizim-Asociimit që nga viti 1999, se është kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2005, dhe se më 26 mars të vitit 2020 Këshilli Evropian miratoi hapjen e bisedimeve aderuese, pas çka u mbajt Konferenca e parë ndërqeveritare më 19 korrik dhe në të njëjtën ditë Komisioni filloi procesin e skriningut.