• e hënë, 23 dhjetor 2024

Filipçe e akuzoi Mickoskin për hipokrizi politike dhe tregoi dokumente nga "informatorë" për drejtorin e ASK-së, kryeministri tha se thotë gënjeshtra dhe trillime

Filipçe e akuzoi Mickoskin për hipokrizi politike dhe tregoi dokumente nga

Shkup, 31 tetor 2024 (MIA) – Derisa ju gjunjëzoheshit dhe e shisnit Maqedoninë për provizionet nga Singapori dhe Dubai, ne punojmë dhe do të bëjmë gjithçka që është  e nevojshme që Maqedoninë ta nxjerrim në rrugë të drejtë dhe ta qojmë aty ku e ka vendin – në BE. Detyra jonë është që të korrigjojmë gjithçka që shkatërruat. Pasi e pështytë planin për BE, ne do të bëjmë përpjekje që përsëri ta kthejmë në jetë, i tha kryeministri Hristian Mickoski liderit të LSDM-së, Venko Filipçe i cili sot, në kuadër të mbledhjes së 18-të të kuvendit i pari parashtroi pyetje të deputetëve.  

Filipçe parashtroi tri pyetje, të gjitha kryeministrit Mickoski. Tregoi edhe dokumente nga “informatorë” për, siç theksoi, emërim të jashtëligjshëm të Bojan Hristovskit drejtor të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK). 

“Qeveria gjatë këtyre katër muajve ka ecur në drejtim krejtësisht të kundërt nga premtimet që ka bërë para zgjedhjeve. I gjithë suksesi juaj politik u bazua në kundërshtimin e Marrëveshjes së Prespës, për të cilën thoshit se ishte tradhti kombëtare. Ju realisht nuk keni ndonjë politikë tjetër me të cilën do të kujtoheni përveçse të vishni bluzat me një JO të madhe për Marrëveshjen e Prespës. Por pasi u ulët në karrigen e kryeministrit, kjo marrëveshje u bë ‘kryevepër e diplomacisë’. E kërkoni si shembull për marrëveshje të tjera dhe nga një kundërshtar i palodhur, u bëtë mbështetësi më i zëshëm. Kjo dyfytyrësi dhe hipokrizi e lartë politike duhet studiuar në libra për manipulimin e qytetarëve. Ju thatë se do ta kthenit mandatin nëse do të thoshit ndonjëherë e Veriut. Hajde, tani është mundësia juaj për të kthyer mandatin në Kuvend. Në vend të kësaj, ju dhe ministrat tuaj filluat të përdorni emrin kushtetues. Me këtë ju treguat se politika juaj nuk ka shtyllë kurrizore, por ne e dinim këtë. Ju keni ripërcaktuar hipokrizinë politike dhe populizmin. Ju është përkulur shtylla kurrizore dhe ju kanë rënë parimet”, theksoi Filipçe.

Ai pyeti se cili është plani i Qeverisë për rrugën e integrimeve evropiane të shtetit, nëse do të dihet marrëveshja me “Behtel dhe Enka”, si dhe a do të shkarkohet drejtori i ASK-së. 

“Mendova se do të jenë më konstruktiv dhe se do të tregoni pak turp. Por, e ruajtët nivelin që u përshtatet dhe thatë shumë gënjeshtra dhe trillime të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me të vërtetën”, u përgjigj Mickoski. 

Kuvendi sot po mban mbledhjen e 18-të, në rend dite të të cilës janë pyetjet e deputetëve, të parat në përbërjen e re parlamentare pas konstituimit më 28 maj të këtij viti. Sipas Rregullores, pyetje për kryeministrin dhe ministrat të parët do të parashtrojnë deputetët e opozitës. 

Zakonisht, seancat për pyetje të deputetëve mbahen të enjten e fundit të muajit. fc/

Fotografia: Printskrin

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR