• e hënë, 23 dhjetor 2024

Konferencë: Zhvillim profesional i mësimdhënësve për përmirësimin e cilësisë së arsimit

Konferencë: Zhvillim profesional i mësimdhënësve për përmirësimin e cilësisë së arsimit

Shkup, 31 tetor 2024 (MIA) - Me konferencë përmbyllëse sot është shënuar përfundimi i projektit IPA "Përmirësimi i cilësisë së arsimit" të BE-së kushtuar zhvillimit profesional të mësimdhënësve.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që mësimdhënësit vazhdimisht t'i avancojnë aftësitë e tyre për mësimdhënien dhe bartjen e njohurive te nxënësit”. 

“Gjithashtu është e rëndësishme që ata të jenë të përgatitur të pranojnë dhe zbatojnë risitë e TIK-ut në mësimdhënie dhe të dinë se cila është qasja dhe mënyra më e mirë për të punuar me nxënësit me vështirësi. Ndërsa ky projekt iu mundësoi pikërisht këtë  mbi 9.000 mësimdhënësve të cilët besoj se do të japin  vlerë shtesë projektit, me bartjen e njohurive të  fituara kolegëve të tyre”, theksoi  Janevska.

Ministrja theksoi se është mirënjohëse ndaj BE-së, që në asnjë moment në të kaluarën nuk e la vendin tonë vetëm për të luftuar me sfidat e rrugës së zhvillimit dhe siç u shpreh,  jam e sigurt se kjo mbështetje në fushën e arsimit do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në realizimin e projektit dhe besoj se rrugët tona do të mbeten të kryqëzuara. Kemi ende shumë punë për të bërë së bashku. Planet e Qeverisë janë të mëdha dhe me këtë energji dhe unitet jam e sigurt se do t'i realizojmë”, shtoi Janevska.

Ajo theksoi se për vitin e ardhshëm është planifikuar buxhet më i madh për arsimin deri më tani, prej 40 miliardë denarë, me të cilin do të avancohen planet dhe programet mësimore  në arsimin fillor dhe të mesëm, do të rriten pagat e punëtorëve në shkolla, do të përmirësohet infrastruktura arsimore si dhe do të përmirësohen kushtet e punës së punonjësve mësimor-shkencor. 

Stefan Hudolin, përfaqësues i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, në fjalimin me rastin e përfundimit të projektit IPA, theksoi se ky projekt po përfundon, por shtoi se “nuk ndalemi këtu, por vazhdojmë me reformat në arsim”. Siç tha ai, arsimi është dhe do të mbetet fokusi i përpjekjeve të BE-së për ta bërë sistemin arsimor të vendit më rezistues dhe më të përgjegjshëm ndaj situatave nga jashtë.

"Arsimi duhet të ofrojë njohuri, aftësi dhe kompetenca që garantojnë sukses në jetë dhe tregun e punës. Ne duhet të krijojmë diçka që fëmijët tanë të punojnë në vende pune që sot as edhe nuk ekzistojnë. Nuk është vërtet një detyrë e lehtë me të cilën përballemi. Ne vetëm mund të përpiqemi të bëjmë më të mirën në këtë drejtim dhe nëse arrijmë, do të jetë një recetë për të reduktuar ikjen e trurit dhe për t’i mbajtur njerëzit këtu, duke realizuar potencialin e tyre ku do të kenë gjasa të shumta për punë. Duke vepruar kështu do të kontribuojnë për shoqërinë dhe zhvillimin ekonomik", ka thënë Hudolin.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR