• e shtunë, 29 qershor 2024

Deklaratë e KE-së me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve: Nevojiten përpjekje për përparim të dukshëm në përballjen ndaj diskriminimit të romëve

Deklaratë e KE-së me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve: Nevojiten përpjekje për përparim të dukshëm në përballjen ndaj diskriminimit të romëve

Bruksel, 8 prill 2024 (MIA) - Dita botërore e romëve, kushtuar pakicës më të madhe etnike në Evropë, feston diversitetet, kulturën dhe artin rom, gjuhën dhe kontributin e tyre në historinë dhe shoqërinë evropiane, theksojnë nënkryetarja e Komisionit Evropian për vlera dhe transparencë Vera Jurova dhe eurokomisarët për barazi dhe politikë të fqinjësisë dhe zgjerim Helena Dali dhe Oliver Varheji në deklaratën e përbashkët me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve - 8 Prill.

"Para 53 vitesh, më 8 prill 1971, përfaqësues të romëve nga origjina të ndryshme dhe vende të ndryshme u takuan në Kongresin e parë të romëve dhe ranë dakord për flamurin rom, himnin rom dhe emrin e përbashkët ‘Romë’”, thuhet në mesazh. 

Eurokomisarët theksojnë se edhe sot romët përballen me nivel të lartë të diskriminimit në jetën e përditshme, duke theksuar se 80 për qind e pjesëtarëve të komuniteteve rome në 10 shtete anëtare të BE-së janë në rrezik të varfërisë, 52 për qind përballen me rrezikun për të mbetur pa strehë, ndërsa 22 për qind jetojnë në shtëpi pa infrastrukturë ujore.

"Romët edhe më tej po përballen me sfida serioze në qasjen e të drejtave dhe shërbimeve, duke përfshirë qasjen e barabartë për arsim cilësor, punësim apo kujdes shëndetësor", thuhet në mesazh.

Në tekst edhe më tej thuhet se në Kornizën e saj strategjike për romët 2020-2030, BE-ja ka vendosur qëllime për shtetet anëtare që duhet arritur deri në vitin 2030, duke përfshirë reduktimin e hendekut të varfërisë ndërmjet romëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera etnike për të paktën gjysmë, uljen e mungesës së strehimit me të cilën përballen romët me të paktën një të tretën, si dhe reduktimin e përqindjes së fëmijëve romë që ndjekin shkollat ​​fillore në mjedise të segreguara.

Në mesazh theksohet gjithashtu se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia kanë miratuar strategji kombëtare për harmonizimin e politikave të tyre me Kornizën e BE-së për romët.

"U bëjmë thirrje shteteve anëtare dhe partnerëve tanë të zgjerimit, veçanërisht atyre me popullsi të konsiderueshme rome, të shtojnë përpjekjet e tyre për të përballuar shkallën e sfidave dhe për të bërë përparim të dukshëm. Duke punuar së bashku dhe duke përdorur efektivisht mbështetjen dhe financimin, ne mund të ndërtojmë një Evropë të drejtë dhe të barabartë për të mirën e të gjithëve", shtojnë Jourova, Dali dhe Varhej në deklaratën me rastin e Ditës ndërkombëtare të romëve.

Vlerësohet se në BE dhe në vendet e përfshira në procesin e anëtarësimit në Union jetojnë mes 10 deri në 12 milionë romë, gjë që e bën këtë komunitet pakicën më të madhe etnike në Evropë që njëherësh konsiderohet edhe më i diskriminuari. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR