• e diel, 22 dhjetor 2024

Cipras: Nëse SYRIZA fiton, nuk do të ketë zgjedhje të dyta, do të kemi një Qeveri progresive

Cipras: Nëse SYRIZA fiton, nuk do të ketë zgjedhje të dyta, do të kemi një Qeveri progresive

Athinë, 16 maj 2023 (MIA) - Nëse SYRIZA fiton nuk do të kemi zgjedhje të dyta, do të formojmë një Qeveri progresive, tha lideri i opozitës greke SYRIZA Aleksis Cipras gjatë konferencës së sotme për shtyp në prag të zgjedhjeve të dielën, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Cipras theksoi se dëshiron një Qeveri e cila do të jetë stabile dhe afatgjate, ndërsa lidhur me koalicionet e mundshme paszgjedhore e përsëriti qëndrimin e tij se partia fituese në zgjedhje do të mund të formojë Qeveri me PASOK, e cila është në pozicionin e tretë, sipas hulumtimeve të mendimit publik.

"Mendoj se është e qartë, siç tregojnë edhe anketat edhe vlerësimet tona, partia e parë me të tretën do të mund të formojnë Qeveri pas zgjedhjeve të dielën. Nëse Demoracia e Re është e para, zotëri Micotakis, sipas mendimit tim, do të përpiqet të formojë një Qeveri. Nuk do të rrezikojë zgjedhje të dyta, pavarësisht asaj që thotë. Nëse dështon do të shkojmë në zgjedhje të dyta. Nëse të dielën SYRIZA është e para, do të ketë Qeveri, nuk do të shkojmë në zgjedhje të dyta. Do të formojmë një Qeveri progresive", tha Cipras.

Zgjedhjet e së dielës do të mbahen sipas një modeli proporcional që nuk përfshin një bonus prej 50 deputetësh për partinë fituese, që do të thotë se do të jetë shumë e vështirë të formohet një qeveri njëpartiake dhe nëse partitë nuk bëjnë koalicion, vendi do të shkojë në  zgjedhje të dyta në fillim të korrikut. sa/

Foto: ANA-MPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR