Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes BE-Merkosur
- Në kryeqytetin paraguajan Asunsion sot në prani të krerëve të Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, Antoni Koshta dhe Ursula Fon der Lajen dhe presidentit të Paraguajit, Santiago Penja Palacios, do të mabjet ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit BE-Merkosur (EMPA) dhe Marrëveshjes së Përkohshme Tregtare (ITA) midis dy palëve.
Bruksel, 17 janar 2026 (MIA) – Në kryeqytetin paraguajan Asunsion sot në prani të krerëve të Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian, Antoni Koshta dhe Ursula Fon der Lajen dhe presidentit të Paraguajit, Santiago Penja Palacios, do të mabjet ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit BE-Merkosur (EMPA) dhe Marrëveshjes së Përkohshme Tregtare (ITA) midis dy palëve.
Sipas paralajmërimeve, në emër të BE-së marrëveshjet do të nënshkruhen nga Komisioneri Evropian për Tregtinë, Sigurinë Ekonomike, Marrëdhëniet Ndërinstitucionale dhe Transparencë, Marosh Shefçoviq.
Përpara nënshkrimit të dokumenteve, kryetari i Këshillit Evropian, Kosta, deklaroi se me këtë akt krijohet zona më e madhe e tregtisë së lirë në botë, gjë që është një lajm i shkëlqyer për të dyja anët e Atlantikut.

"Kjo do të sjellë përfitime reale për qytetarët dhe bizneset evropiane, do të forcojë sovranitetin dhe autonominë strategjike të BE-së dhe do ta formësojë ekonominë globale në përputhje me vlerat tona të përbashkëta”, theksoi Koshta.
Sipas tij, me këto marrëveshje do të forcohen të drejtat e punëtorëve dhe mbrojtja e mjedisit jetësor dhe bujqve evropianë, duke demonstruar kështu se partneritetet tregtare të bazuara në rregulla janë fitimprurëse për të gjithë.
"Më shumë se 700 milionë njerëz do të përfitojnë nga marrëveshjet midis BE-së dhe Merkosur. Evropa është e hapur për biznes dhe po ndërton ura drejt prosperitetit të përbashkët me partnerët tanë globalë", shtoi Koshta.
Marrëveshjet, të arritura pas 25 vitesh negociatash, do të krijojnë një kornizë për dialog politik, bashkëpunim dhe marrëdhënie tregtare në një partneritet modern dhe gjithëpërfshirës midis Bashkimit Evropian dhe organizatës së tregut të përbashkët të Amerikës së Jugut, Merkosur.

"Kjo është një pikë kthese e rëndësishme në marrëdhëniet afatgjata të BE-së me partnerët e saj të Merkosur - Argjentinën, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain, duke reflektuar angazhimin e Bashkimit Evropian për të ndërtuar partneritete në të gjithë botën për të diversifikuar tregtinë dhe për të riafirmuar rendin shumëpalësh të bazuar në rregulla”, theksohet në paralajmërimin e Këshillit Evropian.
Pas nënshkrimit të sotëm, marrëveshjet duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian në mënyrë që ato të mund të ratifikohen nga Këshilli i BE-së.
Sfida e parë në këtë drejtim do të jetë të mërkurën gjatë seancës plenare të PE-së në Strasburg, kur eurodeputetët duhet të deklarohen për propozimin për të kërkuar një opinion nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë mbi përputhshmërinë e marrëveshjeve me Merkosur me dokumentet themeluese të BE-së. ls/
Foto: Parlamendi Evropian/ BE