Kremlini: Trampi e ftoi Putinin në Komitetin për Paqe në Rripin e Gazës
- – Kremlini njoftoi sot se presidenti rus Vladimir Putin ka marrë ftesë të marrë pjesë në Komitetin për Paqe në Rripin e Gazës, i propozuar nga presidenti amerikan Donald Tramp.
- Post By Fitore Curri
- 12:48, 19 janar, 2026
Moskë, 19 janar 2026 (MIA) – Kremlini njoftoi sot se presidenti rus Vladimir Putin ka marrë ftesë të marrë pjesë në Komitetin për Paqe në Rripin e Gazës, i propozuar nga presidenti amerikan Donald Tramp.
“Po, presidenti Putin gjithashtu përmes kanaleve diplomatike mori ftesë që t’i bashkëngjitet Komitetit. Për momentin po shqyrtohen të gjitha hollësitë e këtij propozimi dhe presim kontakt me palën amerikane që t’i sqarojmë të gjitha nuancat”, theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
Formimi i Komitetit për paqe ishte publikuar javën e kaluar, disa muaj pas arritjes së armëpushimit të brishtë në Rripin e Gazës, si organ i cili do ta shqyrtojë çmilitarizimin dhe rikonstruimin e enklavës palestineze, si dhe formimin e qeverisë kalimtare palestineze. Është paraparë që vendimet të merren me shumicë votash.
Në Komitetin e paqes, të cilin do ta kryesojë Trampi, do të marrin pjesë sekretari i shtetit të SHBA-së Marko Rubio, i dërguari i posaçëm Stiv Uitkof, ish-kryeministri britanik Toni Bler dhe dhëndri i Presidentit të SHBA-së Xhared Kushner. Lista prej shtatë personash, pesë prej të cilëve janë amerikanë, që përbën atë që Shtëpia e Bardhë e quan "komiteti ekzekutiv themelues" përfshin Mark Rouan, kreun miliarder të fondit të investimeve “Apolo global menaxhment, kryetarin e Bankës Botërore Axhaj Banga dhe Robert Gabriel, këshilltar i Donald Trampit, ndërsa ish-ministri bullgar i mbrojtjes dhe ish-i dërguari i KB-së në Lindjen e Mesme do të jetë përfaqësuesi i lartë për Rripin e Gazës.
Çdonjëri prej tyre do të shqyrtojë sektor të definuar i nevojshëm për stabilizim dhe sukses afatgjatë në Gazë, duke përfshirë vendosjen e strukturave të menaxhimit, marrëdhënieve rajonale, rikonstruim, tërheqje të investimeve, financim me përmasa të mëdha dhe mobilizim të kapitalit, bëhet e ditur në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.
Ish komandanti i operacioneve speciale të SHBA-së, gjeneral major Xhasper Xhefers është emëruar komandant i Forcave Ndërkombëtare për Stabilizim të territorit palestinez.
Trampi paralajmëroi se Komiteti do të përbëhet nga “liderët më të rëndësishëm të kombeve më të rëndësishme”. Anëtarët do të kenë mandat deri tre vjet, përveç në rast se paguajnë një miliardë dollarë. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s