• e martë, 20 janar 2026

Gjenerali Shiref: NATO duhet të gjejë mënyrë për t'i mbijetuar ngjarjet rreth Grenlandës

Gjenerali Shiref: NATO duhet të gjejë mënyrë për t'i mbijetuar ngjarjet rreth Grenlandës

Bruksel, 19 janar 2026 (MIA) - Roli i SHBA-së si paqesor global është "i vdekur" dhe NATO-ja ndoshta do të duhet të gjejë mënyrë të mbijetojë në hije të fushatës së presidentit amerikan, Donald Tramp për ndërmarrjen e kontrollit ndaj Grenlandës, thotë ish zëvendës-komandanti suprem i Forcave të Aleancës për Evropë, gjenerali i pensionuar britanik, Riçard Shiref.

Shiref në intervistë për "Politiko" vlerëson se hapat e Trampit për Grenlandën janë "kërcënim i drejtpërdrejtë për integritetin territorial të aleatit në NATO", që do të thotë "rrezik i vërtetë" për Aleancën.

"Kjo e minon tërë parimin e mbrojtjes kolektive. E minon këtë ndjenjë të besimit që është fuqi themelore e Aleancës që nga themelimi i saj para 76 viteve. Do të thotë, ky është torpedim i NATO-s. Nëse NATO është e vdekur? Jo. A mund NATO të mbijetojë? Po. Por ndoshta do të duhet të mbijetojë në ndonjë mënyrë pa Amerikën", thotë gjenerali britanik.

Sipas Shirefit, nuk mund të lejohet NATO të maltretohet nga lideri i anëtarit më të fuqishëm të tij, pra të tjerët duhet të bashkohen.

Ai shtoi se për t'u arritur kjo, nevojitet ndarje shumë më e madhe për nevojat e mbrojtjes, e kjo nuk do të thotë premtim për ndarjen e 3,5 për qind nga PBV-ja për kapacitetet në mbrojtje dhe 1,5 për qind për infrastrukturën për 10 vite, por veprim menjëherë.

"Kjo do të thotë sakrifikim tani. Kjo do të thotë demonstrim të vullnetit të vërtetë dhe vendosshmërisë që të mbrojnë vetveten, t'i mbrojnë aleatët e NATO-s nga cilido agresor", thotë Shiref.

Lidhur me idenë për formimin e armatës evropiane, Shiref vlerëson se BE-së nuk i nevojitet armatë, pasi vendet e BE-së, anëtare të NATO-s dhe fqinjët e tyre, si Britania e Madhe dhe Norvegjia, janë "më shumë se të aftë si pjesë e NATO-s".

"Atë që e jep NATO-ja, madje edhe pa Amerikën, është kornizë, strukturë komanduese, doktrinë, mënyrë e udhëheqjes së biznesit, që u ndërtua 76 vite. Do të ishte marrëzi të hidhet posht kjo", shtoi Shiref. bsh/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR