Bujqit grekë sot do të takohen me Micotakisin
- Kryeministri grek Kirjakos Micotakis do të takohet sot me përfaqësues të bujqëve nga 62 blloqe në të gjithë Greqinë, të cilët protestojnë tashmë 50 ditë, ndërsa në pragë të takimit, si në ditët e kaluara ashtu edhe gjatë ditës së sotme, rrugët dhe vendkalimet kufitare do të mbeten të hapura, që ishte edhe parakushti kryesor i Qeverisë për mbajtjen e takimit, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Athinë, 19 janar 2026 (MIA) - Kryeministri grek Kirjakos Micotakis do të takohet sot me përfaqësues të bujqëve nga 62 blloqe në të gjithë Greqinë, të cilët protestojnë tashmë 50 ditë, ndërsa në pragë të takimit, si në ditët e kaluara ashtu edhe gjatë ditës së sotme, rrugët dhe vendkalimet kufitare do të mbeten të hapura, që ishte edhe parakushti kryesor i Qeverisë për mbajtjen e takimit, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Bujqët formuan një delegacion prej 25 përfaqësuesish dhe gjashtë vëzhguesish dhe, sipas paralajmërimeve, në takim ata do të ngrenë 14 kërkesa, midis të cilave marrëveshjen Merkosur, energji elektrike dhe karburant më të lirë për të gjithë bujqit, kompensim për të gjitha sëmundjet te kafshët, si dhe për fatkeqësitë natyrore, si dhe kompensim për të ardhurat e humbura.
Në postimin e tij tradicional javor në Fejsbuk, Micotakis dje iu drejtua edhe bujqëve, duke kujtuar se “ishte e qartë që në fillim se Qeveria zgjedh dialogun, por pa premtime të lehta dhe pa lëvizje që do të minonin përpjekjen e përgjithshme për stabilitet ekonomik”.
Ai theksoi se bujqët e dinë se korniza e ndërhyrjeve qeveritare është publikuar tashmë, një kornizë që është "e përcaktuar qartë nga mundësitë fiskale, të cilat janë shteruar, nga drejtësia sociale dhe nga rregullat evropiane".
“Qëllimi ynë nuk janë zgjidhje të pjesshme, por një sistem i drejtë, transparent dhe efikas i subvencioneve bujqësore. Një sistem që mbështet prodhuesit e vërtetë, pa shkaktuar padrejtësi ndaj pjesës tjetër të shoqërisë, dhe që i jep sektorit primar perspektivën e produkteve më të mira dhe të ardhurave më të larta”, shkroi Micotakis.
Protestat e bujqëve filluan më 30 nëntor, me bllokada të autostradave, rrugëve dhe vendkalimeve kufitare, kurse traktorët janë ende në rrugë, të parkuar në njërën korsi.
Kryeministri grek u takua të martën me përfaqësues të rreth 18 blloqeve bujqësore nga e gjithë vendi, përkatësisht me ata që u ndanë nga pjesa tjetër e fermerëve muajin e kaluar dhe kërkuan dialog me qeverinë. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s