Bytyqi: Siguruam model me të cilin do të ketë rrymë më të lirë për qytetarët gjatë 20 viteve të ardhshme
- - Asnjë nga katër investimet strategjike në energjetikë të cilat e kaluan filtrin e parë në Kuvend që të miratohen me procedurë të shkurtër nuk mjafton që ta ulë deficitin të cilin e kemi në bilancin energjetik. Pikërisht kjo është edhe arsyeja që shteti nuk i ndërton vetë, por kërkon investitorë strategjikë për realizim të tyre, tha sonte zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
- Post By Fitore Curri
- 21:54, 14 shkurt, 2024
Shkup, 14 shkurt 2024 (MIA) - Asnjë nga katër investimet strategjike në energjetikë të cilat e kaluan filtrin e parë në Kuvend që të miratohen me procedurë të shkurtër nuk mjafton që ta ulë deficitin të cilin e kemi në bilancin energjetik. Pikërisht kjo është edhe arsyeja që shteti nuk i ndërton vetë, por kërkon investitorë strategjikë për realizim të tyre, tha sonte zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.
"Do të ketë hapësirë që edhe ne të ndërtojmë mjaft termocentrale fotovoltaike dhe me gaz, sepse vetëm këto katër nuk mjaftojnë. Në një shpallje publike që ishte e hapur për të gjithë këta katër investitorë u paraqitën dhe thanë se ne duam të ndihmojmë me investimet tona private. Me këtë ne po krijojmë një të ardhme më të qartë për qytetarët tanë që do të jetojnë në qytete ku do të ketë ajër të pastër. Në të njëjtën kohë, ne nuk do të jemi më të varur nga gazi, rryma dhe nuk duhet të kemi aspak frikë. Strategjia jonë afatgjate është të kemi sasi energjie të mjaftueshme për të gjitha nevojat e qytetarëve dhe shtetit", tha Bytyqi në emisionin "Top Tema" në televizionin "Telma".
Theksoi se në Strategjinë për energjetikë qartë është shënuar se investimet private do të ndihmojnë që të bëhet tranzicioni i plotë energjetik i cili do të zgjasë deri në vitin 2040.
Në lidhje me atë më të diskutueshmin për publikun ekspert, termocentralin e gazit kogjenerues Mitilinios, i cili do të ndërtohet në hekuranën e Shkupit, ai tha se përveç sigurimit të sasive shtesë të energjisë elektrike për sistemin energjetik, ndërtimi i tij do të përmbushë edhe nevojat për energji të ngrohjes në Shkup.
"Me marrëveshjen për investimin strategjik të Mitilineos për ndërtimin e termocentralit në Shkup, kemi siguruar model që do të sigurojë energji elektrike më të lirë për qytetarët në 20 vitet e ardhshme. Nevoja për energji t[ ngrohjes në Shkup është 510 gigavatë, dhe aktualisht prodhohen 275 gigavatë, kemi ndryshim që është shprehje e nevojës për ngrohje të shtëpive në Shkup. Me ndërtimin e këtij termocentrali do të plotësohet ajo nevojë dhe me këtë do të sigurohet energji për ngrohje për 36.000 amvisëri të tjera në kryeqytet", tha Bytyqi.
Sipas Atanasko Tuneski, profesor në Fakultetin Makinerik në Shkup efektet nga ligji për Mitilineos janë katastrofike për vendin, ndërsa numrat janë marramendëse dhe do të shkaktojnë kolaps financiar në shtet.
"Mitileneosit i jepet ndihmë shtetërore prej 50 milionë euro në para të gatshme, plus fakti që i jepet një parcelë prej 115 mijë metra katrorë mund të konsiderohet si ndihmë shtetërore, gjegjësisht 20 fusha futbolli me qira prej vetëm 10 denarë për metër katror për muaj , që është sërish ndihmë shtetërore sepse kjo qira në Zonat Zhvillimore Teknologjike-Industriale (ZZHTI) kushton katër euro për metër katror. Lloji i tretë dhe më i rëndësishëm i ndihmës shtetërore është se atij i garantohet se do t'i blihet e gjithë rryma dhe nxehtësia me çmime që janë 15 deri në 35 për qind më të larta se çmimet në bursë", tha Tuneski.
Porositi se çdo tregtar e di se çka do të thotë të blihet sasi e garantuar, ndërsa kjo, shtoi, nënkupton se gjithçka që do të prodhojë Mitilineos do të duhet ta blejë edhe madje nëse nuk i duhet.
Siç tha, ajo që drejtori i Drejtorisë së ZZHTI Jovan Despotovski ka thënë se në arkën shtetërore duhet të derdhen prej 120 deri në 150 milionë euro në emër të fitimit nga Mitilineos tregon se kompania do të ketë profit prej 1,2 deri 1,5 miliardë euro nga objekti të cilin do ta ndërtojë për periudhë prej 30 vjet aq sa është paraparë të zgjasë qiraja. fc/
Fotografia: Printkskrin