• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Bislimoski për MIA-n: KRRE është institucion që për 20 vjet ka qenë i hapur për bashkëpunim dhe kujdeset për të drejtat e konsumatorëve

Bislimoski për MIA-n: KRRE është institucion që për 20 vjet ka qenë i hapur për bashkëpunim dhe kujdeset për të drejtat e konsumatorëve

Shkup, 27 shtator 2023 (MIA) – Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe Shërbimeve të Ujit (KRRE) sot feston jubileun – 20 vjet nga fillimi i punës. Kryetari aktual Marko Bislimoski, i cili ka qenë një nga të punësuarit e parë në institucionin që nga viti 2004, thekson për MIA-n se për 20 vjet KRRE-ja ka qenë trup anonim për të cilin në fillim të punës rrallëkush e dinte se cila ishte veprimtaria e tij, është shndërruar në institucion që për pesë vjet me radhë është rregullatori më i mirë në rajon dhe është anëtar i shumë shoqatave botërore dhe rajonale të rregullatorëve. KRRE, siç shprehet ai, është një institucion që për 20 vjet ka përmbushur detyrimet e tij me kohë dhe është i hapur për bashkëpunim.

"KRRE është një institucion relativisht i ri në shtet. Arsyeja për formimin e trupit rregullator ishte e njëjtë si kudo në Evropë – politikanët donin të hiqnin barrën e përcaktimit të çmimeve dhe që atëherë kanë gjetur mënyrën  që këtë ta bëjnë trupat e pavarura rregullatore. Anëtarët e parë të KRRE-së u zgjodhën në korrik të vitit 2003, ndërsa Komisioni filloi punën me të punësuar më 1 janar të vitit 2004. KRRE-ja filloi të punojë me pesë anëtarët e parë dhe në fillim askush nuk e dinte se çfarë ishte trup rregullator dhe nuk kishte asnjë shprehi te njerëzit që dikush tjetër mund të vendoste çmime përveç Qeverisë. Që nga momenti kur KRRE-ja filloi të përcaktojë çmimet për derivatet e naftës në vitin 2004, opinioni filloi të njihte institucionin e ri", shprehet Bislimoski.

Ai thekson se ekipimi fillestar i KRRE-së është bërë në vitin 2004 dhe, siç thekson ai, pothuajse të gjithë ata që ishin të punësuar vinin nga sektori privat dhe nuk kishin asnjë lidhje me kompanitë që duhej t'i rregullonin.

"Kjo u tregua të ishte hapi i duhur sepse hymë me këndvështrime të reja dhe perceptime të reja. Atëherë kishte sfida serioze. Gjëja e parë që KRRE-ja bëri ishte një metodologji e re për çmimet e energjisë elektrike si fillim, e më pas u  miratuan metodologjitë për të gjitha llojet tjera të energjisë – për gazin natyror, për energjinë termike. Në atë periudhë, me Ligjin për energjetikë, ne kishim detyrime për të lëshuar licenca, më pas punohej në përpilimin e rregulloreve. Kjo ka ndodhur në dy vitet e para kur edhe realisht, përveç detyrave të shtëpisë, të miratojmë rregullativë nënligjore për shkak të faktit se opinioni nuk dinte shumë për ne, në pjesën më të madhe, nuk kishim shumë korrespondencë dhe ankesa. Prandaj në pjesën më të madhe iu përkushtuam metodologjive, rregulloreve të licencimit, rregullave për furnizimin me lloje të ndryshme të energjisë, sqaron Bislimoski. 

Që nga viti 2006, kur filluan të miratohen vendimet e para për çmimet e energjisë elektrike", shprehet Bislimoski, opinioni ka kuptuar se ekziston një trup i pavarur që përcakton çmimet.

"Që atëherë, KRRE-ja gjithnjë e më shumë ka zënë vendin e saj që i përket me ligj. Mendoj se në masë të madhe jemi etabluar si institucion që përmbushë detyrimet e tij me kohë dhe që është i hapur për bashkëpunim dhe që, ndër të tjera, kujdeset për të drejtat e konsumatorëve. Është e qartë se e gjithë kjo është vlerësuar dhe diku në vitin 2016, po edhe më herët, KRRE-ja mori përsipër detyrimet për të përcaktuar tarifat për shërbimet e ujit, e nga viti 2021 jemi gjithashtu kompetentë për përcaktimin e tarifave për mbeturinat komunale. Me këtë gjithnjë e më shumë rritet vëllimi i punës", shprehet Bislimoski.

Kriza energjetike dhe shëndetësore është arsyeja për të mos u kthyer më kurrë në atë që ishte më parë normale

"Në dy-tre vitet e fundit, ishim aktualë kur, si e gjithë bota, u përballëm me dy kriza të mëdha, e para prej të cilave ishte shëndetësore dhe askush nuk e priste atë, meqë më parë nuk kishte pasur krizë shëndetësore me përmasa të tilla. E dyta është kriza energjetike që filloi në mes të vitit 2021, ndërsa po na ndodh edhe tani. Shpresojmë që piku dhe maksimumi të kenë arritur vitin e kaluar, meqë që atëherë kemi pasur ulje të caktuar dhe stabilizim të caktuar të çmimeve, por është larg nga një nivel normal që e kemi konsideruar para fillimit të krizës. Çmimi i energjisë elektrike në bursa është dy deri në tre herë më i shtrenjtë, gazi është më i shtrenjtë nga 50 deri në 100 për qind në varësi të periudhës, derivatet e naftës lëvizin në mënyrë ciklike dhe shkojnë lart e poshtë. Kjo do të thotë se KRRE-ja nuk do të kthehet kurrë në atë normalen që ishte më parë, por do të punojë gjithnjë e më shumë në detyrimet që rezultojnë nga ligje të ndryshme. Gjatë punës, jemi përpjekur gjithmonë t'u dalim në ndihmë të gjitha kërkesave dhe përpiqemi të dalim nga klisheja e një institucioni publik dhe të kemi vendosur parime pune me të cilat që do t'i përgjigjen me kohë dhe shpejt të gjitha shkresave që i marrim para së gjithash nga qytetarët. Ata janë në një vëllim të konsiderueshme dhe ne përpiqemi t'u dalim në ndihmë të gjithëve nëse është e mundshme", saktëson Bislimoski.

Kur filloi kriza energjetike, siç shprehet ai, KRRE-ja bëri të ditur se kishte dobësi që janë zvarritur nëpër vite, por për shkak se çmimet kanë qebë të ulëta, atyre problemeve nuk u është kushtuar vëmendje. 

"Nga ne erdhi iniciativa për uljen e TVSH-së për energjinë elektrike në periudhën e krizës nga 18 në 5 për qind. Vazhdimisht bëjmë thirrje për ndryshim të plotë në konceptin e mbrojtjes së kategorive të rrezikuara të konsumatorëve. Me konceptin aktual të mbështetjes janë përfshirë vetëm amvisëritë që marrin ndihmë sociale dhe pensionistët që janë në grupin me pensionet më të ulëta. Konsiderojmë se kjo përfshirje duhet të zgjerohet dhe se ndihma për kategoritë e rrezikuara duhet të jetë më e madhe se sa është tani. Propozojmë që sa më të ulëta të jenë të ardhurat e një amvisërie, aq të jetë më e madhe ndihma që do të marrin nga shteti. Ashtu siç do të rriten të ardhurat e një amvisërie, ashtu do të ulet ndihma. Ne përpiqemi të jemi të pranishëm dhe të jemi bashkëpunues aty ku shohim se ka probleme të caktuara, ndoshta dalim pak nga kompetencat tona, por e bëjmë këtë për të mirën e përbashkët dhe besojmë se është e pranuar mirë sepse ndihmon në zgjidhjen e problemeve që kanë qenë të pranishme dhe nuk është ndërmarrë asnjë masë për zgjidhjen e tyre", shprehet Bislimoski.

Ai përkujton se për herë të parë faturat e energjisë elektrike janë ndarë dhe dihet se sa është shpenzimi i blerjes së energjisë,  e çfarë është taksa e rrjetit. 

"Kjo ishte reformë serioze dhe tani jemi në nivel të njëjtë si një shtet anëtar i BE-së. Paralelisht, vendosëm edhe blloqet tarifore për amvisëritë që japin rezultate. Tashmë më shumë se një vit zbatohn blloqet tarifore dhe është fakt se konsumi i energjisë elektrike është ulur për 17,2 për qind, në çka ka ndikim edhe dimri i kaluar, i cili ishte i butë. Sipas përllogaritjeve të caktuara teorike, ndikimi duhet të jetë vetëm 5 për qind, por pjesa e mbetur prej 12,2 për qind është se konsumatorëve u është dërguar një sinjal me blloqe tarifore për të kursyer. Mendoj se kursimet më të mëdha janë bërë nga ata që më parë kanë shpenzuar më së shumti", shprehet Bislimoski, duke shtuar se zbatimi i blloqeve tarifore do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. 

Aktiviteti ndërkombëtar i KRRE-së fillon nga viti 2005

"Për herë të parë në vitin 2005, jemi anëtarësuar në asociacionin i parë i atëhershëm – Shoqatën e rregullatorëve në rajon – ERA në të cilën atëherë ishin anëtare njëzet vende, ndërsa tani ka 50 deri në 60 vende anëtare që janë të shpërndara në pesë kontinente. Në kuadër të këtij trupi, ka komisione përkatëse pune që merren me kompetencat e energjisë elektrike, burimet e energjisë së ripërtërishme, të drejtat e konsumatorëve, gazin natyror,... Pas miratimit të Marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë Energjetike me seli në Vjenë në vitin 2006, një nga institucionet është edhe Bordi i trupave rregullatore, kryetari i parë i të cilit ishte kryetari i atëhershëm i KRRE-së - Sllave Ivanovski, i cili ishte kryetar në dy mandate të Komisionit. Tani po më mbaron mandatin i dytë si kryetar i Bordit të trupave rregullatore në kuadër të Bashkësisë Energjetike", shprehet Bislimoski.

Që nga qershori i këtij viti, KRRE-ja është anëtare e plotfuqishme e Shoqatës së rregullatorëve të vendeve mesdhetare - MEDREG, e cila, megjithëse nuk kemi dalje në Mesdhe, kërkoi të jemi vend anëtar.

Me marrjen e kompetencave në raport me shërbimet e ujit, KRRE u bë anëtare e plotfuqishme  e Shoqatës së trupave rregullatore përgjegjëse për përcaktimin e tarifave të shërbimit të ujit – VAREG.

Si kulm i gjithë kësaj, KRRE-ja është edhe vëzhgues në Këshillin e rregullatorëve energjetik- CEER për formimin e të cilit ekziston rregullativë e veçantë e miratuar nga Komisioni Evropian  dhe aty detyrimisht janë anëtarë trupat rregullatorë e të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

"Ne prej para një viti e gjysmë jemi vëzhgues dhe rrimë krah për krah në tryezë me trupat rregullatore nga të gjitha vendet  anëtare të BE-së. Gjithashtu jemi vëzhgues edhe në kuadër të Këshillit të rregullatorëve energjetik evropianë, bën të  ditur Bislimoski.

Ai thekson se KRRE-ja merr pjesë aktive në punën e të gjitha këtyre shoqatave ndërkombëtare, e disa nga të punësuarit tanë, shtoi ai, janë edhe kryesues i disa grupeve të punës dhe janë aktivë dhe japin kontribut.

"Pjesëmarrja jonë në organet rregullatore ndërkombëtare për energjetikë dhe shërbimet e ujit dhe mbeturina na ndihmon në punën tonë rrjedhëse. Nga aspekti i profesionit, KRRE po përparon vazhdimisht, të punësuarit tanë marrin pjesë në një numër të madh trajnimesh që janë mënyra më e mirë për të marrë  përvojat që i kanë në vendet e tjera, por  edhe për t 'i përmirësuar ato teorikisht meqë trajnimet shpesh ligjërohen nga profesorë të fakulteteve dhe doktorë të shkencave. Kjo u ndihmon në përballen me detyrimet e përditshme që i kanë në KRRE", thekson Bislimoski. 

Ai shton se në periudhën e kaluar, KRRE ka pasur bashkëpunim të ngushtë në nivel dypalësh dhe me të gjithë rregullatorët fqinjë.

"Kemi nënshkruar memorandume bashkëpunimi në fushën e miratimit të rregullativës nënligjore edhe me Shqipërinë edhe me Kosovën. Me memorandumin e fundit që kemi nënshkruar me Kosovën, kemi mundësuar që licencat për tregti ose furnizim me energji elektrike të lëshuara në Maqedoni të jenë të vlefshme në Kosovë, si dhe licencat e lëshuara në Kosovë të jenë të vlefshme edhe në Maqedoni. Kjo është kryesisht me kërkesë të rregullatorit kosovar, sepse tregu ynë është shumë më dinamik dhe shumë më likuid dhe ka shumë më tepër pjesëmarrës në treg. Duke vepruar kështu, u kemi mundësuar kompanive maqedonase pa procedura të mëdha për nxjerren e licencave në Kosovë të marrin pjesë në tregun e energjisë elektrike të Kosovës", sqaron Bislimoski.

Në këto 20 vite të ekzistimit kemi arritur, thekson ai, gjithmonë të paktën një herë në dy vjet të realizojmë një projekt më serioz ndërkombëtar. 

"Kishim një projekt tuiningu me rregullatorin austriak,  kemi disa projekte me Bankën Botërore që na ndihmuan të përpilojmë metodologji, KRRE gjithashtu mori një projekt të madh të asistencës teknike nga Komisioni Evropian që rishikoi plotësisht rregulloret e atëhershme të energjisë elektrike dhe gazit natyror dhe është baza mbi të cilën ne vazhdojmë të punojmë", shprehet Bislimoski. 

KRRE-ja ishte disi përpara kohës së saj dhe punoi në dy projekte të mëdha të financuara nga Mbretëria e Norvegjisë me të cilat punuam në një mënyrë se si të monitorojmë tregjet e energjisë elektrike dhe gazit natyror duke pasur një softuer për monitorimin e tregut për energjinë elektrike dhe gazin natyror dhe derivatet e naftës që është në nivelin më të mirë nga të gjitha vendeve në rajon. Kjo na mundësoi, në bazë të të dhënave që kemi marrë në tre vitet e fundit, të bëjmë kontrolle në kompanitë ku do të vërejmë se ka disa numra të palogjikshëm dhe ku shohim se ka mospërputhje", sqaroi Bislimoski.

Valentin Jankovski 

Foto: Darko Popov

QËNDRONI TË LIDHUR